Tirane- Në shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u realizua një operacion i veçantë dhe me teknikë inovatore, ku përmes një rruge të re, endoskopike transorbitale, u arrit të hiqet plotësisht një tumor beninj i trurit.
Ndërhyrja për heqjen e tumorit brenda kokës u realizua përmes syrit.
Kjo teknikë inovatore redukton rrezikun për pacientin, krahasuar me operacionet klasike të trurit' thuhet në tekstin që shoqëron videon.
Prof. dr. Artur Xhumari realizoi operacionin e veçantë përmes rrugës endoskopike transorbitale.
"Operuam përmes syrit për të hequr një tumor që ishte brenda kokës. Bëmë të mundur heqjen e plotë të tumorit dhe duke pakësuar rrezikun e të sëmurit që paraqet një operacion klasik për të hequr tumoret e kokës” tha doktori.
Pacienti u shpreh se kishte pasur një shqetësim në kokë para disa kohësh.
"Kisha një tumor mbrapa syrit të majtë dhe doktori vendosi të më operonte. Operacioni doli me sukses dhe jam shumë i kënaqur me punën që kanë bërë” tregoi pacienti.
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu bëri të ditur se ky sukses u arrit falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm mes ekipit të neurokirurgjisë dhe kolegëve okulistë e maksilofacialë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalit Universitar të Traumës.
Ekipi i mjekëve që kryen operacionin: Prof. dr. Artur Xhumari, neurokirurg, shef shërbimi në QSUT, dr. Ermal Simaku, oftalmokirurg, QSUT, dr. Marjon Sako, kirurg maksilo-facial, SUT, dr. Maren Ruka, neurokirurg, QSUT, dr. Myfit Saraci, anestezist-reanimator, QSUNT, infermierët e sallës operatore: Refije Kadiu, Foti Çuro dhe Enriko Paluka, si dhe qarkullueset Manjola Pjetri, Elona Topuzi dhe Anxhela Gjoni.