Gjendja e Urës së Milotit

Ekonomi

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit, ARRSH hap tenderin 107 milionë lekë për projektin

21 Gusht, 12:11| Përditesimi: 21 Gusht, 12:46

  • Share

Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të bëjë një ndërhyrje në Urën e Milotit, e cilësuar si emergjente dhe që lidhet konkretisht me mbrojtjen e themeleve. Në një procedurë të çelur këtë të enjte, me fond limit 107 milionë lekë, ARRSH vlerëson se ky projekt erdhi pas një investigimi në terren të konsulentit, i cili konstatoi gjendjen e saj dhe nevojën për ndërhyrje. Ura ndodhet aktualisht në mes të jetëgjatësisë që kanë veprat e kësaj natyre; ndërhyrja parashikon rritjen e sigurisë.

ARRSH vlerëson se themelet e Urës janë në një gjendje tej të dëmtuar.

“Për këtë sugjerojmë se Urës, si masë emergjente, duhet t’i bëhen punimet sipas përshkrimeve të mëposhtme, për të siguruar një jetëgjatësi të saj me kufizimin e ngarkesave, siç ajo është sot, për një periudhë deri në (5÷10) vjet” – thuhet në dokument.

Më të detajuara në dokumente nënvizohen problematikat konkrete të vërejtura në themelet e urës.

Ndër problematikat kryesore të vërejtura është problemi i themeleve, të cilat pothuaj kanë dalë në sipërfaqe, për shkak të gërryerjes së përgjithshme të shtratit të lumit.
Thellësia mesatare e gërryerjes së përgjithshme dhe lokale shkon (3÷5) m.
Vazhdimi i marrjes së zhavorrit në mënyrë të pakontrolluar në lumë është shkaku kryesor i kësaj situate, fenomen që shfaqet edhe në urat e ndërtuara së fundmi mbi këtë lumë” – thuhet në dokumentin e ARRSH.

Ndër punimet e parashikuara që të kryhen janë:

  • Pastrimi i zonës përreth pilotave (32 pilave) dhe nivelimi i shtratit përreth tyre;

  • Betonimi i pilotave të themeleve në një lartësi (1.5÷2.5) m duke gjykuar sipas rastit (mbrojtjen e pilotave të dëmtuara dhe thellësisë së gërryerjes);

  • Përforcimi dhe mbrojtja e themelit të pilës dhe ballit nga gërryerjet lokale nëpërmjet krijimit të një qilimi me blloqe të lidhura gabioni, siç tregohet në projekt.

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot–Lezhë, mbi lumin Mat, në rrugën kombëtare Milot–Lezhë, SH1. Projekti për ndërtimin e urës ka datën 24.04.1979, hartuar nga Instituti i Projektimeve Nr. 2, dhe ka qenë pjesë e Projektit “Hekurudha Laç–Shkodër–Kufi” (Urë hekurudhore dhe automobilistike mbi lumin Mat)./Monitor

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?