Për herë të dytë pa kaluar 3 vite gjyqtarët duan një rritje rroge, këtë herë rreth 700 euro në muaj. Kjo kërkesë e 3 marsit të kaluar e Unionit të Gjyqtarëve, do të shqyrtohet në ditët në vijim në Gjykatë Kushtetuese. Gjyqtarët kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga qeveria, e cila zbatoi kështu vendimin e një viti më herët të Kushtetutës dhe përcaktoi se rroga e gjyqtarëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit.
Vendimmarrje e ligjvënësit e cila nuk i ka pëlqyer gjyqtarëve. Sipas tyre kjo llogaritje i ka ulur përfitimet dhe kjo është anti kushtetuese, dhe për këtë kërkojnë një llogaritje tjetër me bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë. Kjo kërkesë e gjyqtarëve është konsideruar skandaloze nga ana e Kryeministrit Rama. Me një reagim në llogarinë e tij personale në rrjetin social X, kreu i qeverisë bën edhe shpjegimet përkatëse ligjore, teksa nënvizon se uron që Kushtetuesja të mos “lajthisë” përsëri duke përsëriur vendimin e mëparshëm për të cilin Qeveria heshti për respekt të pavarësisë së drejtësisë.
"Unioni i Gjyqtarëve kërkon që t'u rritet paga me 700 euro", shprehet kryeministri mes të tjerash.
Rama thotë se edhe pse Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën e tyre, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh, kjo ndërhyrje sipas tij skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit.
Në fund Kryeministri shkruan se gjyqtarët të mos e kuptojnë si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, me Reformën në Drejtësi u rritën pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë!
Unioni i Gjyqtarëve e ka depozituar kërkesën në datën 3 Mars 2025 në Gjykatën Kushtetuese, ku aktualisht e ka kaluar seancën paraprake dhe në mes të muajit Qershor pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e saj. Unioni i Gjyqtarëve mendon se ka të drejtë të kërkojë këtë rritje të pagave, ndërsa pritet vendimi që do të marrë Kushtetuesja.
Reagimi i plotë i kryeministrit Edi Rama në X:
"Interesante!
Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë!
Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri, në vitin 2022, kur ky Union kërkoi në Gjykatën Kushtetuese që paga bazë e gjyqtarëve të ekuivalentohej ose me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë ose me një përqindje të pagës së Presidentit, sipas dëshirës së gjyqtarëve.
Dhe Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën, duke garantuar një pagë bazë të lidhur prej 156.000 lekësh!
Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, i ka shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.
Ndërkohë që në vitin 2022 Unioni donte garantimin e një shume bazë pavarësisht çdo llogaritjeje, sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro!
Domethënë, ky Unioni e kuptoka si një privilegj të përjetshëm faktin që për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit dhe fuqizuar gjykatësit e dalë nga Vetingu, ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë vjet njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!…
Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishtë një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cënonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë”.
Postimi i kryeministrit Edi Rama
Kliko këtu për të lexuar kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash
Komente

E tupshme, ne fakte duhet tu ulen pagat pas performances se dobet pas reformes e cila u be qe ti jepte zgjidhje ngjarjeve tragjike qe ndodhen ne vendin tone si firmat piramidale,96,97,98, 21 Janari ,Gerdeci e shume te tjera.
PërgjigjuButesia juaj z.kryeminister ju ngre puplat drejtesise me vendimet dhe arestimet pa akuze .Duhet te reagoni dhe duhet ti denonconi keta gjyqtare qe vetem po ndikojne negativisht ne drejtesi .Ju urojme qe drejtesia te viret ne shinat e duhura .