Lufta hibride është një term që ka gjetur një përhapje të gjerë dhe në rritje gjatë 10-vjeçarit të fundit, pasi shumë shtete perëndimore e panë veten objektiv të ndërhyrjeve nga jashtë dhe të fushatave dezinformuese.
Një vend me një infrastrukturë të kufizuar teknologjike dhe me institucione të brishta, Shqipëria vendosi të përballej me këtë fenomen, vetëm vitin e kaluar.
Më 11 prill të 2024-ës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vetëm me 73 votat e socialistëve ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar “Për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, ose siç njihet gjerësisht tashmë, Komisioni i Dezinformimit.
“Nevoja ishte fare evidente. Ne ishim nën sulm, nën atak. Një atak që vazhdon në mënyrë konsistente. Të njëjtët aktorë vijojnë të ndërmarrin sulme edhe të natyrës së dezinformimit dhe kibernetike. Dhe prej këtej buroi nevoja për ta ngritur këtë gjë. Aty në sfond ishin qëndrimet e partnerëve tanë strategjik BE dhe SHBA-së për t’i dhënë përgjigje këtyre ndërhyrjeve”, thotë kryetari i këtij komisioni, Erjon Braçe.
Puna e 1 viti, që konsistoi me thirrjen në seanca dëgjimore të 14 institucioneve, si Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, SHISH, AKEP, AKSH, AMA apo KQZ përfundoi me miratimin e një “Strategjie Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit” më 3 korrik, sërish vetëm me votat e socialistëve.
“Veçanërisht pas sulmeve ruse në Ukrainë ishte e nevojshme ngritja e një sistemi që nuk ekziston deri më sot, hartimi i një strategjie që do të bashkërendojë gjithë veprimin e aktorëve të shtetit për të luftuar ndërhyrjet e huaja keqdashëse dhe dezinformimin brenda territorit për të krijuar përcarje në shoqëri, ndarje sociale, për të destabilizuar demokracinë dhe ekonominë”.
Ndërhyrjet në demokraci dhe proceset zgjedhore, Braçe thotë se janë shqetësimi kryesor. Sidomos zgjedhjet, sipas tij janë hallka më e dobët.
“Demokracia është fokusi kryesor i tyre. Gjithë thelbi i ndërhyrjeve të huaja keqdashëse është delegjitimimi i demokracisë brenda një shoqërie. Elementi kyç i demokracisë që po përdoret kudo janë zgjedhjet. Ne jemi të rrezikuar sa i takon proceseve zgjedhore për sa kohë kemi patur edhe rasteve të ndërhyrjes përmes financimeve të drejtpërdrejta apo financimeve me origjinë të dyshimtë apo të pa identifikuar që janë në hetim dhe që kanë patur fokus ndikimin në rezultatin zgjedhor. Zgjedhjet janë elementi kyç i një ndërhyrje të huaj keqdashëse me fokus të qartë favorizimin e forcave politike përmes financimit. Ne jemi zbuluar në këtë aspekt”.
Propozimet janë konkrete dhe do të vihen në tryezën e reformës zgjedhore.
“Në momentin që do të ulemi për një reformë të plotë zgjedhore, të diskutojmë për dy elementë që janë edhe propozim i strategjisë, votimi elektronik në të gjithë vendin dhe mbrojtja e çdo sistemi elektronik që do angazhohet në zgjedhje, duke nisur nga origjina e produktit, është në Kinë? Në Rusi? Detyrimi i të tretëve për të deklaruar origjinën e parave me të cilën financojnë partit. Para me origjinë nga jashtë? Apo brenda vendit? Sot mund të jetë dikush donator i një partie politike, i një kandidati. Ne nuk i detyrojmë donatorët të tregojnë orgjinën e financimit. Detyrojmë partinë të tregojë donatorin, por jo donatorin të tregojë origjinën e parave".
Por në cilët sektorë rrezikon më shumë vendi ynë?
Gazetarja Raziela Myslimaj: Në strategji preket një tjetër çështje me shumë rëndësi që është monitorimi i investimeve të huaja në sektorët kritikë të vendit që mund të prekin sigurinë kombëtare. Kemi ne investime me origjinë të dyshimtë?
Erjon Braçe: Po! Në sektorin e komunikacionit që kanë kompanitë e internetit e që na u referua nga QKB por edhe nga DPT, që ka pronarë që vijnë nga vende të kësaj origjine, e që natyrisht me pronarët vijnë dhe flukset e kapitalit. Një fokus i posaçëm duhet të jetë këtu, në energji, në energjinë rinovueshme, nafta, gazi… të gjitha bashkë. Duhet skrutinim i kapitaleve që hyjnë në këto sektorë. Telefonia gjithashtu, telekomunikacioni. Sistemi bankar, sistemi i mikrokredive, apo institucioneve jo banka. Madje duhet të jetë nën hetim ky sektor që nuk rregullohet me ligj. Janë një seri sektorësh kritikë që janë përshkruar në strategji e që duhet të jenë në vëmendje për kontrollin. Ka aksionerë që vijnë nga vende të kësaj origjine, apo nga vende përreth, siç janë Rusia, Irani apo vende të tjera që nuk kanë qëllime paqësore kundrejt nesh. Veprimtaria e tyre duhet të jetë në vëmendje.
Edhe këtu masat që propozohen në strategji janë të konkrete.
“Këto janë sektorët kritikë ku ne kemi rekomanduar dy masa themelore. Një ligj që duhet të bashkojë ligjin për investimet e huaja dhe ligjin për investimet strategjike dhe që mbart në të krijimin e një mekanizmi kontrolli dhe transparence për flukset e kapitaleve që hyjnë në këto sektorë”.
Hakerimi i sistemeve qeveritare dhe të dhënave për Shqipërinë vijon të jetë ende një fenomen shqetësues.
“Kemi kërkuar shumë qartë: Një listë të vendeve nga ku Shqipëria të mund të importojë teknologji. Mjafton një çip për të patur akses në të gjithë shtetin, në të gjitha të dhënat e shtetit në kohë reale. Kjo listë duhet hartuar sa më parë në bashkëpunimin me partnerët veçanërisht sa i takon infrastrukturës kritike”.
Komisioni i Dezinformimit u ngrit mes dyshimeve dhe pikëpyetjeve të mëdha nga ekspertë e opozita, se produkti i tij do të ishte një mjet kontrolli e censure për median e lirinë e shprehjes.
“Të gjithë mendonin se do mbyllej syri, do hiqej dhëmbi, do pritej gjuha…nuk ndodhi asgjë nga këto. U tha se Erjon Braçe është vënë në krye që të mbyllë këto. Përkundrazi, strategjia e trajton dezinformimin në aspektin e lirisë së shprehjes. Nëse ka një kërcënim real liria e shprehjes është dezinformimi. Sot mediat audiovizive operojnë në bazë të një ligji dhe aty ka instrumenta të posaçëm që mediat duhet t’i nënshtrohen. Ndërkohë online, ke thuajse media audiovizive që prodhojnë video, siç prodhojnë audio dhe tekst. Këto janë jashtë kontrollit”.
Braçe thekson se shqetësimi i punës së komisionit nuk ka qenë aspak linja editoriale e këtyre mediave
“Nuk jam fare i shqetësuar se cfarë shkruhet në to, por ama kur cënohet siguria kombëtare apo interesat kombëtare e ndërkombëtare të Shqipërisë si anëtare e NATO-s dhe shumë shpejt si anëtare e BE-së, duhet të ndalemi për të krijuar një ambient ku liria është më e madhe se dezinfiormimi”.
Gazetarja Raziela Myslimaj: Ka dezinformim të qëllimshëm në media? Që bëhen palë e interesave të caktuara?
Erjon Braçe: Ajo që kam parë në ato dokumente të klasifikuara për 50 vjet, këto dy aspekte. Të biesh pre e dezinformimit dhe ta përhapësh atë masivisht për shkak të mungesës së burimeve financiare, njerëzore, profesionale… dhe e dyta vetëofrimi. Janë vetëofruar për ta bërë këtë gjë. Dokumentet e bëjnë të qartë këtë.
Gazetarja Raziela Myslimaj: Ka dyshime për financimin e medias?
Erjon Braçe: Deri këtu shkuam ne. Nuk kishim tagrin e një komisioni hetimor. Pastaj ka një fenomen tjetër që është fenomeni i mediave të huaja që adresohen në gjuhën shqipe. Për sistemin e mediave Pravda në gjuhën shqipe, që adreson politikën ruse këtu. Komisioni ka kërkuar mbylljen e tyre, njësoj siç ka vërejtur që institucionet bënin “pas”.
Komisioni i cili iu besua Erjon Braçes e nisi dhe përfundoi punën vetëm me anëtarët socialistë, pasi kjo nismë jo vetëm nuk e mori mbështetjen e opozitës, por edhe u bojkotua prej saj duke mos shkuar në asnjë prej mbledhjeve, me argumentin se komisioni do të cënonte lirinë e medias.
Megjithë pretendimet, në strategjinë e miratuar tashmë në kuvend nuk ka masa që cënojnë lirinë e medias, por bëhet fjalë për ndërhyrje që rrisin transparencën dhe verifikimin e informacionit të publikuar. Në planin e masave përfshihet edukimi mediatik në kurikulat shkollore parauniversitare dhe universitare, si dhe ngritja e një rrjeti komunikimi me operatorët mediatik për verifikimin e vërtetësisë së informacionit.
Komente
