Politikë

Braçe: Dezinformimi të bëhet komision i përhershëm! Çollaku: Opozita gaboi me bojkotin! PS kalon te ‘Integrimi’ strategjinë kundër ndërhyrjeve të huaja

20 Qershor, 11:46| Përditesimi: 20 Qershor, 15:12

  • Share

Rikthimi i pasigurive globale, nga hija e armëve te ndërhyrjet e padukshme të palëve të treta riktheu në Kuvend diskutimet mbi Komisionin e Posaçëm kundër Dezinformimit, të udhëhequr nga Erion Braçe.

Nga Komisioni i Integrimit që drejtohet nga demokratja Jorida Tabaku, Braçe propozoi që lufta kundër dezinformimit të mos jetë vetëm një përpjekje e përkohshme në Kuvend, por të marrë formën e një strukture të përhershme.

"Komisioni edhe pse ka qenë vetëm me njërën anë, është munduar ta mbajë politikën e ditës jashtë. Është marrë me faktorët e tretë në dëm të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe gjithë veprimtaria e tij është kanalizuar në vetëm këtë drejtim. Për këtë çështje është folur për herë të parë nga Sekretari Blinken në Tiranë dhe ngritja e këtij komisioni ka qenë reflektim i këtij shqetësimi. E pastaj edhe pas konfliktit të Rusisë në Ukrainë.  Po, strategjia kërkon për t’u zbatuar vullnet, buxhet, ndërveprim në parlament dhe me ndërkombëtarët. Thuhet në mënyrë të qartë që brenda 2025 Këshilli i Ministrave duhet të miratojë planin e veprimit për zbatimin e strategjisë. E ardhmja e komisionit të dezinformimit? Kemi propozuar që të jetë komision i përhershëm i Kuvendit. Nuk i merr kurrkujt kompetencat.", tha Braçe. 

Opozita që në fillim i ka bojkotuar punimet e këtij komisioni të krijuar qershorin e 2024-s, por në radhët e saj, zërat se nuk duhet të kishte lënë bosh karriget kanë nisur të jenë publike.

"Dua ta nis me qëndrimin tim që ka ka qenë i ndryshëm me vendimin që mori forca ime politike në atë kohë për të mos marrë pjesë në komision. Kam patur mendimin se mosprania e opozitës në komision nuk ka qenë as në vlerën e opozitës as në produktin që ju keni prodhuar. Kjo mungesë dëmtimin e ka dhënë. Raporti juaj është e mirë nga pikëpamja teorike, ngjan një lekturë e mirë, por më ndjeni zoti Braçe nuk më duket i aplikueshëm. Do kishte qenë një kontribut teorik, një fotografi e ndikimeve të huaja, por në realitetin e Shqipërisë duket si element propagandistik. Nuk më duket se ka se çfarë mund të bëjmë, në këtë rast ti nuk e di kurrë se çfarë arme përdor kundështari. Strategjia që ju paraqisni, nuk kam asnjë fjalë kundër, por nuk mendoj se ka gjetur përgjigjet e duhura për të krijuar imunitet të vendit ndaj goditjeve hibrite e destabilizuese. Çfarë mund të bëhet për ndërhyrjet për zgjedhjet? Që është një nga pistat ku infiltron ndërhyrja. Këtu mungon edhe vullneti politik për të patur zgjedhje të lira. Shqipëria është mbase vendi më i brishtë në rajon për këtë çështje. Ndaj i rikthehem edhe një herë, më vjen keq që opozita nuk ishte në komision mbase këtë diskutim do ta kishim bërë atje. Thelbi i mbrojtjes nga lufta hibride është të eliminojmë vatrat e konfliktit. Në institucionet tona kanë pafundësisht vatra konflikti të tilla, që prodhohen nga mungesa e vullnetit politik. Zgjedhjet, nuk ka pikë më nevralgjike. Përderisa këtu mungon vullneti politik për zgjedhje të lira, dhe zgjedhjet është një ndër pistat ku infiltron influenca e huaj ose lidhjet e krimit të organizuar", tha Çollaku. 

Pavarësisht këtij qëndrimi, Çollaku dhe opozita nuk bashkuan votat për të miratuar strategjinë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit, të hartuar nga “Komisioni Braçe”. Kjo strategji, e cila kaloi vetëm me votat e PS-së, synon  të forcojë kapacitetet institucionale dhe ligjore për të parandaluar dhe luftuar ndërhyrjet e huaja që mund të ndikojnë në proceset demokratike, stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare, ekonominë dhe infrastrukturën kritike të Shqipërisë, veçanërisht në sektorët strategjikë të saj.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?