Në godinën e ish-burgut të Spaçit, monument kulture i kategorisë së dytë po kryhen disa ndërhyrje si pjesë e një projekti restaurimi të Institutit të Trashëgimisë Kulturore, që synon kthimin e tij në muze të kujtesës.
Ndërhyrjet e parashikuara në projekt kanë të bëjnë me vendosjen e disa parmakëve në pjesë të ndryshme të objektit, në vendosjen e një porte druri dhe një porte metalike në godinë, ndërhyrje në rrethimin e skarpatës të sipërme dhe asaj të poshtme me parmakë, ndërhyrje në rrethimin e oborrit të brendshëm të objektit dhe ndërhyrje në vendosjen e kullës së vrojtimit.
Por puna restauruese e filluar ka ngjallur kundërshti tek ish të përndjekur politikë, familjarë të tyre dhe qytetarë, të cilët protestuam këtë të enjte në mjediset e ish-burgut të Spaçit.
“Jemi mbledhur këtu të sensibilizojmë në lidhje me fillimin e punimeve që po tjetërsojnë identitetin e të vetmit burg që ka mbetur në Shqipëri. Frika jonë është se mos ndërhyhet thellësisht dhe humbet identiteti i këtij burgu.”, thotë Et’hem Fezollari, kryetar i Shoqatës të ish-të përndjekurve politike.
Ata shprehen se nëse do të vazhdojnë punimet tjetërsuese do të mblidhen sërish dhe do të shpërbëjnë punën e bërë deri tani.
“Babai im ka bërë 20 vite në këtë burg, por kur kam ardhur te dera, ky tjetërsim nuk më shpie te burgu i babës, më shpie në kampe, sikur kemi qenë në kampe. Këtu ka qenë një derë më gjemba, pas gardhit me gjemba. Kërkojmë të ndalojë kjo masakër për të llustruar vuajtjen tonë.”, tha Napoleon Gumeni, i biri i ish- të përndjekurit Zef Gumeni.
Në mbështetje të protestuesve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi, i cili u bëri thirrje autoriteteve qendrore për reflektim dhe transparencë lidhur me projektin.
Debatit për ndërhyrjet, iu shtuan dhe hamendësimet se gjithçka po bëhej për të përshtatur terrenin për xhirimet e një filmi, me skenar të Visar Zhitit dhe regji të Namik Ajazit. Por ky i fundit tha për “Report TV” se vërtet mendon të xhirojë një film artistik në ish burgun e Spaçit, por vetëm pasi të përfundojë faza e parë e restaurimit të ish-burgut.
Komente
