Në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua sot aktiviteti përkujtimor me titull “Ai që ndezi dritën në bodrumin e ferrit”, një ekspozé dedikuar figurës së At Pjetër Mëshkallës meshtarit françeskan dhe simbolit të qëndresës shpirtërore gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri.
Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Tonin Gjuraj, e cilësoi këtë aktivitet si një pikënisje të domosdoshme për vlerësimin institucional të figurës së At Mëshkallës, duke theksuar nevojën për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike.
Një nga momentet më të ndjera të aktivitetit ishte fjala e Viktor Martini, ish i përndjekur politik dhe bashkëvuajtës me At Mëshkallën në burgun famëkeq të Burrelit. I prekur emocionalisht, Martini ndau me të pranishmit dëshmi dhe kujtime tronditëse nga koha e vuajtjes së dënimit, duke e përshkruar At Mëshkallën si një pishtar shprese dhe force morale për të gjithë të burgosurit politikë.
Aktiviteti u organizua si një ngjarje përkujtimore me dëshmi të gjalla nga bashkëkohësit e At Mëshkallës, për të risjellë në vëmendje kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë e ndërgjegjes dhe rezistencën njerëzore përballë shtypjes totalitare.
Komente
