Brenda këtij viti pritet të mbarojë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut, kjo vepër pritet të jetë një vlerë e shtuar sa i takon sigurisë energjetike në vend. Në rast mbiprodhimi ne mund të shkëmbejmë energji me Maqedoninë e Veriut dhe në rast nevoje do mund të marrim energji nga Maqedonia e Veriut.
Punimet për ndërtimin e kësaj linje të transmetimit të energjisë elektrike ka nisur në dhjetor të vitit 2023 dhe kostoja e saj përllogaritet në 70.1 milionë euro që është bashkëfinancim i bankës gjermane KFW, Bashkimit Evropian përmes WBIF dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit. (50,000,000 Euro kredi nga KFË, 14 mln euro grant nga WBIF, 1.1 mln euro grant BE-Gjermani dhe 5 mln euro OST).
“Jemi ende në fazë ndërtimore, pothuajse kanë mbaruar punimet civile dhe po punohet me pjesën elektro-mekanike, ndërtimi i shtyllave dhe do të vijohet me shtrirjen e përcjellësit. Linja fillon këtu ku jemi, nga Fieri, në Elbasan dhe deri në kufi me Maqedoninë e Veriut. I gjithë projekti pritet të finalizohet në fund të këtij viti”, tha për Report TV, Julian Angoni administrator i projektit.
Ky projekt që lidh për herë të parë sistemet energjetike të dy vendeve parashikon ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë – Thanës, ndërtimin e linjës 400 kV, Elbasani- Fier, ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.
“Ky projekt do të thotë siguri nga ana energjetike, siguri në sistemin energjetik por edhe jemi të lidhur me të gjithë fqinjët. Në vitin 2005 kur ne kishim probleme me energjinë mund të merrnim energji vetëm nga Greqia, ndërsa tani jemi të lidhur Kosovën, Malin e Zi, presim me Maqedoninë, pra me të gjithë fqinjët”, thotë Angoni.
Një studim fizibiliteti po bëhet edhe për një linjë të re 400 kilovolt me Greqinë.
“Me Greqinë po bëhet studimi për një linjë të re, por kemi edhe linjën ekzistuese nga Zemblaku, Elbasan, Tiranë dhe vijon për në Malin e Zi”, thotë Angoni.
Paralelisht po punohet edhe për lidhjen nënujore me Italinë, ku institucionet shqiptare po kërkojnë fonde për të financuar studimin e fizibilitetit.
Komente
