Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Nderohen me medalje pjesëtarët e FSK-së që ndihmuan në misionin e kërkim-shpëtimit në Turqi

20 Shkurt 2023, 21:20| Përditesimi: 20 Shkurt 2023, 21:21

  • Share

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi pas tërmeteve të 6 shkurtit, janë nderuar të hënën me medalje, pak minuta pas kthimit të tyre në Kosovë.

Medaljet, për të cilat ka dhënë urdhër komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, janë ndarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe zyrtarë tjerë të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se medaljet janë “dëshmi e mirënjohjes tonë për guximin e treguar në Turqi”.

“Është obligimi ynë humanitar, por në të njëjtën kohë është edhe detyra jonë si partnerë, e aleatë, dhe si shtet e popull mik i Republikës së Turqisë që t’iu gjendemi atyre në këto ditë të vështira dhe kjo u realizua pikërisht përmes jush, të cilët pa humbur kohë u nisët për në Turqi dhe u përpoqët me krejt çka dini dhe mundeni që të shpëtoni jetë”, u ka thënë Kurti pjesëtarëve të FSK-së, duke i përgëzuar për punën e bërë.

Ekipi i FSK-së - i përbërë nga 39 persona - është nisur në Turqi dy javë më parë, pas tërmeteve mbi 7 shkallë që kanë goditur Turqinë dhe Sirinë në orët e hershme të 6 shkurtit.

Pjesëtarët e FSK-së kanë arritur të shpëtojnë katër persona që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmeteve, si dhe kanë nxjerrë rreth 50 persona të vdekur.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, ka thënë se nga tërmetet në Turqi nuk ka vdekur asnjë shtetas i Kosovës.

Si pasojë e tërmeteve në Turqi dhe Siri kanë vdekur mbi 47.000 njerëz dhe mijëra ndërtesa janë shkatërruar.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se puna për ndërtim të gati 200.000 banesave në 11 provincat e prekura nga tërmeti në Turqi, do të nisë muajin e ardhshëm./REL

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?