Nderohet Major Klodian Tanushi, bashkëshortja në Report TV: S'e harroj puthjen e fundit që iu dha fëmijëve në gjumë

7 Maj 2020, 19:20| Përditesimi: 7 Maj 2020, 20:20

  • Share

Shpërthimi i eksplozivit nuk ua kurseu jetën dy efektivëve, bijës tropojane nëntetares Zerife Hasanaj dhe birit dibran Major Klodian Tanushit, gjatë një misioni ushtarak në Letoni. Forcat e Armatosura nderuan dy efektivët që ranë në krye të detyrës një vit më parë në një ceremoni të posaçme, duke vendosur kurora me lule në memorialin kushtuar dëshmorëve të atdheut. Bashkëshortja e major Klodian Tanushit, Semi Tanushi gjatë një lidhje live në studion e emisionit 'Pa gjurmë', nga shtëpia në Tiranë ku ajo rrit e vetme tre fëmijët e mbetur jetim, mes lotësh rrëfen takimin e fundit me Klodianin. Ai u nis herët në mëngjes në mision. Puthja e fundit që iu dha tre fëmijëve në gjumë, ishte një shenjë lamtumire e 39-vjeçarit që u kthye i pajetë në atdhe. 

''Shumë i vështirë ky vit. Një dhembje shumë e madhe. I falenderoj të gjithë që na kanë qëndruar kaq afër. Plot kujtime na ka lënë. Ishte një baba shembullor për fëmijët. Telefonatat i kemi patur çdo sekondë. Për shkak të situatës së vështirë. Të rrisësh tre fëmijët e vetme është e vështirë. Vajzat e kanë patur më të vështirë, për mua ishte shkatërrim. E kërkonte në telefon dhe i binte ziles duke e kërkuar. Vajza e vogël e kërkon cdo ditë. Atë ditë iku herët, i puthi fëmijët në gjumë, nuk e harroj momentin kur nuk ngopej duke i puthur. Nuk ndahej dot. Tashmë jemi bashkë në shtëpi duke kaluar këtë situatë të vështirë'', rrëfen këtë takim të fundit Semi, bashkëshortja e Klodianit.

Babai i tre fëmijëve major Klodian Tanushi la pas dhembjen, që ende sot mban gjallë kujtimin e tij. Me sakrificën e vetëmohimit për t’i shërbyer detyrës është vlerësuar me mjaft Medalje. Nëntetarja Zarife Hasanaj, humbi jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa Klodian Tanushi u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital, pa u rezistuar dot plagëve të marra nga shpërthimi i eksplozivit. Dy efektivë që e kishin përpara karrierën e tyre, një karrierë të shkëlqyer me gjithë potencialin në çdo stërvitje dhe në çdo dislokim. Babai i tre fëmijëve major Klodian Tanushi la pas dhembjen, që ende sot mban gjallë kujtimin e tij. Një figurë e nderuar mes kolegësh gjatë kryerjes së disa detyrave në karrierën ushtarake. Major Klodian Tanushi ka kryer detyrën si Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni,  Specialist Operacionesh. Në vitin 2018 u dërgua me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontingjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor. 39-vjecari që u nda nga jeta në kulmin e moshës dhe karrierës ushtarake u mungon të gjithëve, veçanërisht familjes që kujton ndarjen e fundit pa ditur se biri dibran i nënës, bashkëshorti dhe babai do të kthehej i pajetë në atdhe.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?