Për 115 vjetorin e Lindjes së shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli u mbajt një simpozium në Pogradec, qytetin e tij të Lindjes, ku morën pjesë familjarë dhe studiues. I biri, Pandeli Pasko kërkon të vlerësohet figura e tij, pasi gjatë komunizmit është anatemuar. Pasko thumboi Kadarenë, duke deklaruar se ka shtrembëruar historinë.
“Sa më shumë gërmohet në dokumente, aq më lart ngrihet vlerësimi dhe kontributi i Kutelit për Shqipërinë, si në aspektin ekonomiko-financiare ashtu dhe nga ana letrare". Nga raportet e tij del që ka qënë një nga guximtarët më të mëdhenj. Që ka ditur të thotë jo, ka ditur të japë dorehëqje, ka ditur të sakrifikojë veten e vetë. Si kundër Gjermanëve, si kur nuk pranoi ndërhyrjet e Jugosllavëve. Mos harrojmë çfarë bënin të tjerët, ndërkohë që thoshin po dhe më pas na bënë ministra dhe çfarë nuk u bënë. Ai (Kuteli) diti të thotë “jo” dhe tha atë “jo-në” e madhe. Nuk pranoi të të shkruaj në shërbim të dikujt, sepse do t’i duhej te mbronte historinë. Ne në të vërtetë nga një sërë Shkrimtarësh kemi marrë histori të shtrembër", tha Pandeli Pasko, djali i Mitrush Kutelit.
Pasardhësit vazhdimisht kanë hedhur akuza indirekte tek Kadareja, për të cilin thonë se ka qenë një pengesë në krijimtarinë e Kutelit. Pandeli Pasko kritikon Kadarenë, për qëndrimet kundër të atit edhe në parathënien e librit “Netë Moldave”.
"Lexova çka na solli Doruntina dhe vërejta se nga një anë Shkrimtari Ismail Kadare e ngjitte Kutelin disa shkallare më lartë në hierarkinë letrare dhe nga ana tjetër, e gruponte me ata shkrimtarë që pëlqehen rregjimet reaksionare dhe tiranike. Ishte kthim prapa në rrugën e reabilitimit të Kutelit dhe prezantim aspakt i saktë për botën e jashtëm së cilës i drejtohej, mbase rregjimi tiranik për të cilin flitej aty veç të tjerave e kishte ndaluar autorin Dhimitër Pasko të botonte librin “Tri probleme me Bankën Kombëtare”, por përtej konsideratave letrare, në ato dy tri faqe kishte dhe të pavërteta dhe pasaktësi për jetën e Kutelit, për të cilat menduam se edhe autori i tyre do të ishtë i interesuar t’i rregullonte.", shkruan nga Pandeli Pasko në parathënien e librit “Netë Moldave” të Kutelit.
Ndërsa, drejtori i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido tha se Dhimitër Pasko ka qenë patriot, duke hedhur poshtë zërat dhe dyshimet për bashkëpunim e Kutelit me forcat e huaja gjatë luftës së dytë botërore.
“Si gjatë qëndrimit të tij në Rumani ku mori pjesë në “koloninë Shqiptare” të atjeshme, ashtu dhe me qëndrimin e fortë që kishte në atdhe, jo vetëm në fushën e ekonomisë por edhe të raporteve që duhet të kishte Shqipëria me Jugosllavinë, pavarësinë që duhet të ruante Shqipëria për kundrejt asaj që tentoi të bëhej një republikë e 7-të e Jugosllavisë, për të cilën e pagoi më pas me një kalvar mundimesh, ai dhe familja e tij. Prandaj është shumë e rëndësishme që figura si Dhimitër Pasko, të kujtohen përmes fjalëve të tyre, përmes dokumenteve, përmes fotografive të kohës, në mënyrë që të mundet të frymëzohemi prej kësaj figure", u shpreh Bido.
Gjatë aktivitetit me rastin e 115 vjetorit të lindjes janë ekspozuar materiale nga Arkiva e Shtetit, pjesë nga krijimtaria e Dhimitër Paskos, i cili shkroi me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli.
Parathënia e librit "Netë moldave"