TIRANË- Presidenti Ilir Meta i ka akorduar sot Dekoratën e lartë "Nderi i Kombit", Gjeneralit të Brigadës, Ndriçim Sallakun, i cili ndërroi jetë një ditë më parë si pasojë e COVID. Kjo dekoradë, shprehet presidenti, është një vlerësim për Sallakun, të cilin e ka cilësuar si një ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere. Meta ka vlerësuar kontributin e tij në modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare, për pasojë e dekoroi Sallakun me dekoratën e lartë.
"Në vlerësim të veprës së çmuar e të gjithanshme si një ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe me mirënjohje shtetërore për vlerat atdhetare e njerëzore, që shpalosi gjatë veprimtarisë së tij akademike dhe shkencore, si dhe ndaj kontributit të qenësishëm në zhvillimin, lartësimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve tanë në uniformë, duke u shërbyer me dinjitet dhe krenari demokracisë e vlerave të paqes në radhët e Aleancës së NATO-s, pata privilegjin t'i akordoj sot Dekoratën e lartë "Nderi i Kombit", Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakut. I paharruar kujtimi i Tij dhe vepra e ndritur, që i la trashëgim Forcave tona të Armatosura", shkruan Meta.
Gjenerali ndërroi jetë ditën e djeshme, teksa për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht për punën e tij.