Legjenda e futbollit botëror, braziliani Edson Arantes do Nascimento i njohur si Pele është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Prej 1 muaji ai ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin "Albert Einstein" në Sao Paolo (Brazil) nga ku kurohej prej kancerit në zorrën e trashë.
"Mbreti" i futbollit ishte trajtuar për kancer në zorrën e trashë, pas operacionit për heqjen e një tumori në shtator 2021 dhe kishte kërkuar trajtim të rregullt mjekësor. Pasi u pranua përsëri në spital në fund të nëntorit për të rivlerësuar trajtimin e tij të kancerit, ai u diagnostikua me një infeksion të frymëmarrjes përpara se të transferohej më pas në kujdesin paliativ kur trupi i tij nuk reagonte ndaj kimioterapisë.
Pele dhe ylli argjentinas Diego Maradona, i cili ishte më i ri se Pelé dhe luajti pas tij, janë diskutuar shpesh si lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave; madje u emëruan bashkërisht si “lojtari i shekullit” nga FIFA në vitin 2000. Pavarësisht konkurrencës, të dy krijuan një miqësi përpara se Maradona të ndërronte jetë në vitin 2020.
Në temën për lojtarët më të mëdhenj të futbollit, përkrah Pelé përmenden vetëm Diego Maradona, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Burime të ndryshme rendisin totalin e golave të Pelé në 650 në ndeshje zyrtare dhe 1,281 gola duke përfshirë edhe ndeshje në nivel të ulët. Pele do mbahet mend si futbollisti që fitoi tre herë Kupën e Botës me Brazilin në vitet 1958, 1962 dhe 1970. Pelé luajti në 4 Kupa Bote gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist.
Pele luajti me Santos nga 1956-1975 dhe për New York Cosmos nga 1975-1977. Pele në total fitoi 14 trofe dhe gjashtë herë u shpall golashënuesi më i mirë.
Pelé luajti 4 Kupa Bote me ekipin brazilian dhe fitoi 3:
Botërori i parë që Edoson Arantes fitoi ishte në Suedi në vitin 1958. Në këtë edicion të Botërorit, i riu Pelé ishte vetëm 17 vjeç dhe ishte zëvendësues në një ekip plot yje. Kundër Uellsit, në çerekfinale, ai shënoi golin e fitores. Në gjysmëfinale ai shënoi një hat-trick për të eliminuar Francën, ndërsa në finale shënoi një dopietë.
Në Kupën e Botës 1962 në Kili, fundi ishte i hidhur. Brazili ishte kampion, por Pelé nuk mundi të shkëlqejë për shkak të dëmtimit kur kishte luajtur vetëm dy ndeshje. Në Angli 1966, skuadra braziliane shkoi në fazën e grupeve. Në Botërorin e tij të fundit, Meksikë 1970, Pelé shënoi 4 gola dhe udhëhoqi Brazilin për të fituar Kupën e Botës së tretë. Pelé është lojtari që ka fituar më shumë Kupa Bote si lojtar. Deri më tani është e vështirë që një lojtar tjetër të arrijë diçka të ngjashme. Kjo është arsyeja e thjeshtë për të thënë se Edson Arantes do Nascimento është ndër figurat më të mëdha në historinë e futbollit në Brazil dhe një nga më të mirët në botë.
Pele u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Familjarët kanë postuar edhe pamje nga ditët e fundit të legjendës së futbollit. "Festoj çdo fitore të vogël", ka thënë më parë Pele, që ka shijuar çdo moment të jetës së tij. Topi nuk iu nda nga përditshmëria as në spital një prej më të mëdhenjve që futbolli ka nxjerrë.
Legjenda e Brazilit, Pele u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Pele ka pasur ndikim të madh në Brazil, me shtetin që e quajti "thesar kombëtar" dhe nuk e la të shitej veçse në fundin e karrierës.
Ndikimi i Peles ishte aq i madh saqë në vitin 1967 fraksionet e një lufte civile në Nigeri u pajtuan për një armëpushim të shkurtër në mënyrë që ai të mund të luante një ndeshje përgatitore atje. Më 1997 ai mori titullin e kalorësit nga Mretëresha Elizabeta II e Britanisë.
Në vizitën e tij në Uashington, në kuadër të përpjekjeve të tij për ta popullarizuar futbollin edhe në Amerikën e Veriut, Pele u prit nga presidenti amerikan Ronald Reagan. “Emri im është Ronald Reagan, jam president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i tha presidenti zotit Pele, “por ju nuk keni nevojë të prezantoheshin sepse të gjithë e dinë se cili jeni”, shtoi ai.
Pele i dha fund karrierës së tij më 1 tetor të vitit 1977. Pas futbollit jeta e Peles mori drejtime të ndryshme. Ai shërbeu si ministër sporti në Brazil dhe ishte një biznesmen i pasur dhe ambasador i UNESCO-s dhe Kombeve të Bashkuara.
Atij iu dhanë role në filma, telenovela dhe madje Pele kompozoi e regjistroi këngë të muzikës popullore braziliane. /VOA
Legjenda braziliane e futbollit, Pele u nda sot nga jeta në moshën 82-vjeçare. Tanimë Pele do mund të jetë pranë Maradonës, me "Mbretin" brazilian që shkruante në 2020 për vdekjen e argjentinasit. Mesazhi i Pele pas vdekjes së Diego Maradona në 2020 ishte 'një ditë shpresoj se mund të luajmë futboll së bashku në qiell'.
Pele, mbreti brazilian i futbollit, i cili fitoi tre Kupat e Botës ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare pasi humbi betejën me kancerin e zorrës së trashë. I konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të futbollit, Pelé kaloi gati dy dekada duke magjepsur tifozët dhe duke mahnitur kundërshtarët si golashënuesi më i mirë me klubin brazilian Santos dhe ekipin kombëtar të Brazilit.
Më poshtë mund të shihni historinë e jetës së tij në futboll përfshirë momentet më kulminante. Ai konsiderohej i vecantë për stilin e të luajturit sa dukej sikur kërcente ‘samba’ në fushë.
Djali Edson nuk ishte ende 10 vjeç kur pa babanë e tij Dondinho duke qarë pranë radios. Skuadra braziliane sapo ishte mposhtur nga Uruguai në një humbje të dhimbshme në Maracana në finalen e Kupës së Botës 1950, duke varrosur ëndrrën e kombit për të qenë kampion bote. Ata lot e bënë Dikon, siç e thërrisnin në shtëpi në Bauru, të besonte se do të fitonte Kupën e Botës vetëm për babain e tij. Së shpejti Diko do të bëhej Pele dhe do të përmbushte betimin: do të fitonte jo vetëm një, por tre Kupa. Jo rastësisht e quajtën futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave, ikona supreme e sportit që për shumë është fe.
Ai u bë mbret dhe pushtoi botën me lojën e tij. Ai është i vetmi tre herë kampion bote, ka shënuar 1281 gola në të gjithë karrierën e tij, 95 prej të cilëve për kombëtaren. Një karrierë 21-vjeçare që filloi me Santos në 1956 përfundoi me Neë York Cosmos në 1977. Pa këpucët e tij, ai u bë një yll ndërkombëtar, ishte një yll filmi, regjistroi albume dhe huazoi imazhin e tij për të shitur një mori produktesh. Ai kishte një jetë të trazuar, me polemika që herë pas here e kthenin në 'xham të brishtë'.
Vitet e fundit, guaska e fortë e heroit të pamposhtur është rafinuar nga problemet e njëpasnjëshme shëndetësore që i kanë treguar të gjithëve se Pele është një qenie njerëzore. Në vitin 2012, ai iu nënshtrua një operacioni për të korrigjuar ijën e tij. Në vitin 2014, ai u shtrua në spital për një procedurë për heqjen e gurëve në veshka dhe dy javë më vonë, u kthye në spital për të trajtuar një infeksion urinar. Një vit më vonë, ai iu nënshtrua një operacioni në shtyllën kurrizore. Në vitin 2019, ai përsëri vuante nga problemet urinare dhe u shtrua në spital, fillimisht në Paris dhe më pas në São Paulo derisa sot humbi jetën.
Fanella me numër 10 e Santos së shpejti mund të tërhiqet përgjithmonë. Është dëshira e familjes së Pele, që askush tjetër të mos veshë fanellën që dikur i përkiste "Mbretit të futbollit". Pele luajti me Santos nga 1956-1975 dhe për Neë York Cosmos nga 1975-1977.
"Mbreti" i futbollit botëror, Pele u nda sot nga jeta në moshën 82-vjeçare. Të shumta kanë qenë reagimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit. Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe klubi i Santos. "U prehsh në paqe Pele", shkruan Messi.
"Ngushëllimet e mia për të gjithë Brazilin dhe në veçanti për familjen e z. Edson Arantes do Nascimento. Një “lamtumirë” e thjeshtë për Mbretin e përjetshëm Pelé nuk do të mjaftojë kurrë për të shprehur dhimbjen që aktualisht përfshin gjithë botën e futbollit. Një frymëzim për miliona njerëz, një referencë nga dje, sot dhe përgjithmonë. Dashuria që tregonte gjithmonë për mua ishte reciproke në çdo moment që ndamë bashkë, qoftë edhe nga larg. Ai nuk do të harrohet kurrë dhe kujtimi i tij do të jetojë përgjithmonë në secilin prej futbolldashësve. U prefsh ne paqe mbreti Pele", shkruan Ronaldo.
Javier Zanetti në Instagram: "Një legjendë e përjetshme, një simbol i vërtetë i sportit. Një frymëzim përgjithmonë. Pusho në paqe, legjendë".
Reagimi i Neymar. "Përpara Pelé, “10” ishte vetëm një numër. E lexova atë frazë diku, në një moment të jetës sime. Por ajo fjali, e bukur, është e paplotë. Do të thosha se përpara Peles, futbolli ishte vetëm një sport. Pele ndryshoi gjithçka. Ai e ktheu futbollin në art, në argëtim. Ai u dha një zë të varfërve, zezakëve dhe veçanërisht: I dha shikueshmëri Brazilit. Futbolli dhe Brazili kanë ngritur statusin e tyre falë Mbretit! Ai është larguar, por magjia e tij do të mbetet. Pele është I përjetshëm", njofton Neymar.
Mesazh ngushëllimi ka shkruar edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka. "Futbolli humbi sot mbretin. I madhi Pele, braziliani virtuoz që magjepsi botën me talentin e tij, u nda nga jeta pas një betejë me problemet shëndetësore. Një moment i vështirë për të gjithë ata që patën fatin ta shikonin nga shkallët e stadiumit duke luajtur, por edhe për ato që e kanë njohur përmes historisë dhe bëmave të tij. Do t’i mungojë shumë botës së futbollit, por rekordet, arritjet e tij unike dhe trofetë e shumtë e kanë ngjitur prej shumë kohësh në olimpin e futbollit. Legjendat jetojnë përgjithmonë! U prehsh në paqe i madhi Pele!".
Ndërkohë klubi i tij i parë, Santos ka postuar një kurorë. "I përjetshëm", shkruan klubi brazilian.
Të shumta kanë qenë ngushëllimet edhe nga futbollistë të ndryshëm, politikanë, aktorë dhe këngëtarë.
Heronjtë ecin vetëm, bëhen mite kur prekin jetët dhe zemrat e secilit nga ne. Për sportdashësit, Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pelé, është hero. Niveli i lartë i performancës në çdo sport do të thotë të dalësh nga shkalla njerëzore e zakonshme, por performancat e Pelé-s mund të thuhet që kanë kaluar çdo lloj shkalle njerëzore humane, çdo kufi. Ai shënonte një mesatare golash në çdo ndeshje ndërkombëtare që luajti, njësoj siç një lojtar basketbolli shënon një seri koshash gjatë çdo loje të bërë, të paktën në këto 15 vjetët e fundit. Midis 1956 dhe 1974, Pelé shënoi një total prej 1220 gola. Ndërsa luante, Brazili fitoi kupën e Botës, 3 herë në 12 vjet. Ai shënoi 5 gola në një ndeshje 6 herë, 4 gola 30 herë dhe tre gola 90 herë. Dhe e bëri këtë, jo me ndonjë lloj superioriteti apo përçmimi, siç bëjnë shumë yje të kohës së sotme, por me një lloj gëzimi që infektoi edhe skuadrën kundërshtare, sepse nuk ishte e dhimbshme humbja në rastin kur kundërshtari ishte një fenomen i tillë.
Jeta
Ai ka lindur në një prej qyteteve bregdetare më të mëdha të Brazilit, Tres Coracoes. I thërritur shkurt Dico nga familja e tij, ai u quajt Pele nga shokët e futbollit, një fjalë origjina e së cilës e largonte atë. Dico llustronte këpucë deri në moshën 11-vjeçare, kur u zbulua nga një lojtar i famshëm i vendit, Waldemar de Brito. Katër vjet më vonë, De Brito solli Pelé-në në Sao Paulo dhe u deklaroi drejtorëve mosbesues të skuadrës së Santos që “Ky djalë do të jetë futbollisti më i madh në botë”. Shumë shpejt ai do të ishte një legjendë. Në sezonin tjetër u bë futbollisti më i mirë në ligën e tij. Siç shkroi gazeta londinese “Times” më vonë: “Si e shqiptoni Pelé? Z-O-T.” Ai u bë i njohur edhe për pushimin e luftës: të dyja palët në luftën civile në Nigeri, u thirrën të bënin 48 orë armëpushim në 1967, në mënyrë që Pele të luante në ndeshjen që u zhvillua në kryeqytetin Lagos.
Roli i Pelé-s në futboll
Për të kuptuar rolin e Pelé-së në futboll, disa njohuri për natyrën e lojës janë të nevojshme. Asnjë skuadër tjetër sporti nuk të ngjall të njëjtin pasion universal si futbolli. Gjatë Kupës së Botës ndeshjet e skuadrave nacionale impostuan skeda televizive mbi ritmin e jetës. Vitin e kaluar u mbajt një darkë për eksponentët kryesorë të stabilimentit anglez dhe miq të tjerë të shquar nga e gjithë bota në Stenden Spencer House në Londër. Të ftuarit patën fatin e keq që kishin zgjedhur natën e ndeshjes midis Anglisë dhe Argjentinës – gjithmonë një gjakmarrje, përkeqësuar në këtë rast nga kujtimi i krizës së Falklands. Audienca (ose të paktën mjaftueshëm për të ndikuar te miqtë), insistuan që televizorët e mëdhenj të vendoseshin në vende strategjike, gjatë pritjes dhe darkës. Ndeshja kaloi me kohë shtesë dhe kërkoi një penallti, në mënyrë që spikeri të mos e jepte mesazhin deri në orën 11 të mbrëmjes. Dhe meqenëse Anglia humbi, audienca nuk ishte në gjendje për asgjë, veçse për të mbajtur zi.
Kur Franca më në fund fitoi Kupën e Botës, Parisi u përshkua nga gëzimi për 48 orë me radhë, Brazili nga hidhërimi për të njëjtën periudhë kohe. Isha në Brazil në 1962 kur skuadra nacionale fitoi Kupën e Botës në Kili. Çdo gjë ndaloi për dy ditë, ndërkohë që Rio festonte një karnavale të parakohshme.
Asgjë e ngjashme nuk ndodh në SHBA. Fansët nuk identifikohen me skuadrën e tyre në këtë mënyrë, sepse skuadrat e sportit amerikane kërkojnë një lloj aftësie që është jashtë mundësive të laikut. Bejsbolli, për shembull, kërkon një bashkësi kompetencash eterogjene: të hedhësh një top për gjatë 90 m, të kapësh një top duke fluturuar me shpejtësinë e një plumbi dhe përshkrimi i një distance të largët me një siguri të madhe. Futbolli kërkon aftësi të tjera për secilin nga 11 pozicionet. Spektatorët e SHBA-së e gjejnë veten duke parë 2 ngjarje diskrete: ajo çka po ndodh në fushën e lojës dhe përkthimi i asaj në statistika, minute mbas minute të detajuara. Ai do që skuadra e tij të fitojë, por gjithashtu është i lidhur me statistikat e triumfeve të idhullit të tij. Heroi amerikan i sportit është si Joe Di Maggio – një lloj Lone Ranger që ecën në vetmi në krah të eksperiencave të pasura, duke na ngritur ne mbi veten tonë.
Futbolli është një tërësi llojesh sporti. Të gjithë 11 lojtarët duhet të kenë të njëjtën metodë loje – sidomos në futbollin modern, ku dallimet midis mbrojtjes dhe sulmit nuk janë më. Të jesh i vazhdueshëm, loja nuk duhet të lejojë të ndahet në një seri përbërësish, si mund të bëhet në futbollin amerikan apo në bejsboll. Bejsbolli dhe futbolli amerikan dridhen nga prefeksioni i vazhdueshmërisë së tyre, futbolli nga improvizimi i zgjidhjeve deri në nevojën e ndryshimit të strategjive. Futbolli kërkon pak material veshjeje. Çdo njeri mendon se mund të luajë futboll. Dhe mund të luhet nga një numër çfarëdo lojtarësh si një lojë marrjeje. Pra futbolli jashtë Amerikës së Veriut është vërtet një lojë për masën, që mund të identifikohet me pasionin e tyre, triumfin e papritur dhe zhgënjimet e paevitueshme. Bejsbolli dhe futbolli amerikan janë ekzaltimi i eksperiencës njerëzore, futbolli mishërimi i tij.
Pele është fenomen i ndryshëm nga yjet e bejsbollit apo futbollit. Yjet e futbollit janë të varur nga skuadrat e tyre edhe pse i paraprijnë ato. Për të arritur statusin e mitit, si një lojtar futbolli është shumë e vështirë, sepse kulmi i performancës është përgjithësisht e shkurtër – vetëm pak lojtarë performojnë në topin e lojës së tyre për më shumë se 5 vjet. Në mënyrë të pabesueshme, Pele-ja performoi në nivelet më të larta për 18 vjet, duke shënuar 52 gola në 1973, viti i tij i shtatëmbëdhjetë. Yjet e futbollit bashkëkohor nuk arrijnë kurrë me shumë se 50 gola në sezon. Për Pelen, që për 3 herë kishte shënuar më shumë se 100 gola në vit, kjo shënoi tërheqjen e tij.
Statusi mitik i Peles, rrjedh gjithashtu nga mënyra se si mëshiroi karakterin e skuadrës kombëtare të Brazilit. Stili i tij afirmon që virtyti pa gëzim është një kundërvënie termash. Lojtarët e tij janë më akrobatët, edhe gjithmonë më të zotët. Skuadra braziliane luan me një ezuberancë ngjitëse. Kur ato këmisha të verdha sulmojnë – gjë që ndodh shumicën e kohës – dhe fanset e tyre brohorasin nën ritmin e bandave samba, futbolli bëhet rituali i fluiditetit dhe elegancës. Në kohën e Pelesë, brazilianët e konceptonin futbollin si fantazi.
Kulmi e tij ka qenë në finalen e Kupës së Botës më 1970
Kundërshtari i Brazilit ishte Italia, që luajti mbrojtjen e saj të fortë me besimin për ta mbyllur lojën 1 me 1, duke demoralizuar kështu brazilianët. Italia shumë kollaj mund të kishte mbajtur mbrojtjen e saj edhe më shumë, derisa kundërshtari i saj filloi të bënte ato gabime që mund të shkaktonin humbjen. Brazili nuk u shpërqendrua, duke sulmuar sikur Italia të ishte një skuadër praktikantësh, duke e mundur atë 4 me 1.
Disa herë më pas, kur luante për New York, Cosmos Pele nuk ishte më aq i shpejtë, por ishte i harbuar si gjithmonë. Që atëherë Pele u shndërrua në një institucion. Shumë nga fansat modernë nuk e kanë parë kurrë të luajë, megjithatë ata ndjejnë se ai është pjesë e jetës së tyre. Ai bëri kalimin nga superstar në figurë mitike.
Futboll dhe art, Pelé dhe muzikë
Në Brazil emri i tij është në më shumë se 100 këngë. Pelé luan edhe në filma, protagonist i “Arratisja për fitoren” i Xhohn Hjuston, me Silvester Stalonen dhe Majkll Kejn. Aty ai bën roveshatën e bukur në Paris. Më pas luan edhe në 12 filma. Në vitin 2004 filmi titullohej “Pelé i përjetshëm”.
Më i njohur se Jezu Krishti
Pelé është unik. I vetmi lojtar i historisë së futbollit që ka fituar tre botërorë (1958, 1962 dhe 1970): kampion bote pa mbushur 18 vjeç. I vetmi që bënte gjëra unike. Është atleti më i famshëm i botës. Një herë madje ka thënë: “Jam bërë më i njohur se Jezu Krishti”. Pas kësaj e kritikuan, por disa kanë thënë: “Në fakt, ka diçka të vërtetë këtu.” Ai është i kërkuar, i ndjekur nga të tjerët, nga reklamat, mediat, burrat e shtetit. Pelé është intervistuar e fotografuar më shumë se çdo njeri tjetër, qofshin politikanë, yje kinemaje, etj. Është pritur nga mbretërit e 88 shteteve, nga 70 kryeministra, 40 presidentë dhe tre papë. Në Nigeri kanë deklaruar edhe 48 orë armëpushim në kohën e luftës në Biafra, sepse të dyja palët ndërluftuese donin ta shihnin tek luante. Shahu i Persisë e ka pritur tri orë në një aeroport vetëm që të bënte një foto me të. Rojet e kufirit kinez madje janë futur në Hong Kong për të parë Mbretin e futbollit, duke shkaktuar zemërimin e regjimit komunist të Kinës.
Atleti i Shekullit
Edison Arantes do Nascimento, (lindi më 23 tetor të vitit 1940 në Três Corações, Brazil), i njohur si Pelé, është ish futbollist brazilian, i vlerësuar nga shumica si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave. Ka fituar titullin “Atleti i Shekullit” nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë.
Hero kombëtar në Brazil
Në Brazil llogaritet si hero kombëtar, i njohur nga arritjet dhe kontributet në futboll, u shpall ambasador zyrtar botëror i FIFA-s dhe thesar kombëtar nga qeveria braziliane. Gjithashtu është i njohur për reagimet e tija për të ndihmuar ndryshimin e politikave për të varfëritë (shenimin e golit të 1 000-të ua dedikoi fëmijëve të varfër brazilian). Gjatë karrierës u bë i njohur si “Mbreti i Futbollit” (O Rei do Futebol), “Mbreti Pelé” (O Rei Pelé) ose thjesht ti “Mbreti” (O Rei).
Si u zbulua talenti
Talenti i tij u njoh nga futbollisti Waldemar de Brito, i cili u angazhua që Pelé të luante për Santos Futebol Clube që në moshën 15 vjeçare dhe në moshën 16 vjeçare u angazhua për kombëtaren braziliane, kurse në moshën 17 vjeçare fitoi Kampionatin e parë Botërorë në futboll. Përkundër ofertave të shumta nga klubet futbollistike evropiane, kushtet e atëhershme ekonomike dhe rregullativat futbollistike braziliane mundësuan që të përfitonte Santos FC ku u angazhua për gati dy dekada, deri në vitin 1974. Pelé luajti si një sulmues i brendshëm e më vonë u njoh si lojtar udhëheqës, rregullues i lojës.
Golashënuesi nr. 1
Është golashënuesi numër një i të gjitha kohërave i kombëtares braziliane të futbollit dhe i vetmi futbollist fitues i tre kupave botërore. Në vitin 1962 ishte pjesë e ekipit brazilian, por për shkak të një lëndimi në ndeshjen e dytë nuk mundi të vazhdojë ndeshjet e mëtejme të kupës.
Si e mori emrin Pelé dhe pse e urrente këtë emër
Pelé ishte i biri i futbollistit të Fluminenzes, João Ramos do Nascimento dhe Maria Celeste Arantes. U emërua sipas zbuluesit amerikan Thomas Edison, por më shumë i pëlqen të e thirrin Edison. Fillimisht fitoi llagapin Dico, nga familja e tij. Pseudonimin “Pelé” e mori gjatë ditëve shkollore kur gabimisht shqiptoi emrin e portierit të skuadrës Vasco da Gama, Bilé, duke e quajtur “Pilé”. Fillimisht e urrente këtë llagap, kështu që u largua nga shkolla për shkak të sulmit ndaj shokëve të klasës për thirrjen e tij me atë pseudonim, por sa më shumë që ankohej aq më shumë e thirrnin. Në autobiografinë e tij, Pelé thotë se nuk kishte idenë se çfarë domethënie kishte pseudonimi, as edhe shokët e tij nuk e dinin. Edhe pse fjala rrodhi nga emri Bilé dhe pa asnjë kuptim në spanjollisht, në irlandisht fjala “peile” që shqiptohet “njejtë”, do të thotë futboll.
Ikonë botërore
Të shumta kanë qenë emocionet që ka shkaktuar. Poetë e shkrimtarë nga mbarë bota i kanë dedikuar shkrime, si Horge Amado dhe Eduardo Galeano. “Ai është për futbollin si Shekspiri i letërsisë angleze”. Pasioni i popullit të futbollit. Një herë, në “Marakanà”, driblon shtatë lojtarë dhe portierin dhe shënon. Një herë tjetër, në Kolumbi arbitri i dha karton të kuq, por tifozët futen në fushë dhe arbitri arratiset! Si guxoi në fakt? Ndeshja rinis vetëm kur Perla e Zezë kthehet në fushë. Ai është kënaqësia e një kombi, Brazilit, që pas botërorit të parë e cilëson “pasuri kombëtare”. E duan edhe në Itali dhe anembanë botës. Por ai qëndron në Brazil. Pelés i ka bërë piktura dhe skulptura piktori dhe skulptori i njohur Andi Uarhol, i njohur në pop artin amerikan. Në Baurù, qyteti i vogël ku nisi të luante, është një statujë që ka hyrë në legjenda, pasi njerëzit atje kërkojnë shërim prej saj, sado e çuditshme të duket! Edson Arantes do Nascimento ka fituar shumë para dhe ka jetuar mirë. Ai ka pasur shumë poste, madje ka qenë edhe kandidat për Nobelin e paqes. Ai ka qenë ambasador dhe ministër. Është i pasur, simpatik dhe i gatshëm për të takuar të tjerët. Ashtu si i ri, ishte pa rivalë, edhe tani është një mit i gjallë.
Në fushë me vetëm tri skuadra
Ai ka luajtur për tri skuadra profesioniste: Santos nga 1956 në 1974, Kozmos nga 1975 në 1977 dhe për Brazilin. 685 gola ka shënuar Pele në 730 ndeshje të luajtura në nivel klubesh. Duke shtuar edhe miqësore, gjithsej janë 1154 gola në 1221 ndeshje.77 gola ka shënuar Pele në 92 ndeshje zyrtare me Brazilin, ku debutoi në vitin 1957 dhe dha lamtumirën në vitin 1971. 10 herë Pele është shpallur kampion i Brazilit, ndërsa fitoi 11 herë çmimin e golashënuesit më të mirë. 3 herë Pele u shpall kampion bote. Titullin e parë e fitoi që në moshën 17 vjeç.
Kjo është fotoja prekëse që ka postuar vajza e legjendës së futbollit, Pele. Me këtë foto, ajo ka njoftuar edhe lajmin e trishtë, për ndarjen nga jeta 82-vjeçarit.
“Të gjithë jemi këtu bashkë falë teje, të duam në pafundësi, prehu në paqe”, ka shkruar ajo.
Gjendja e futbollistit Pele kishte ardhur duke e përkeqësuar, e për pasojë ai ka zgjedhur që të t’i japë edhe lamtumirën e fundit miqve të afërt të tij. Kjo është edhe video e fundit nga Pele, teksa ishte i shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Do ngelet ikone e futbollit pavarsisht se jam tifoz Gjermanise por e verteta eshte e vertet do ngelet me i madhi futbollist ne bote
Përgjigjulojtar i madh,,kam patur fatin ta shikoj..gjynah qe vdiq kaq i ri..
Përgjigju