Poeti, Grigor Jovani u nda në mënyrë të parakohshme nga jeta, duke humbur betejën me sëmundjen e rëndë. Lajmi i trishtë, mësohet nga miqtë e tij në Athinë, ku jetonte prej vitesh.
Grigor Jovani u lind më 1 prill 1959, në Jergucat të Gjirokastrës, ku kaloi fëmijërinë e hershme, ndërsa rininë e tij e kaloi në Berat e më pas në Laç. Përveçse një nxënës i shkëlqyer, Grigori ishte edhe një talent shumë i mirë letërsie. Poezia e ndihmoi të njihej në rrethet letrare të qytetit të Krujës.
Kështu bashkëpunoi me shtypin lokal, mori pjesë me tekste në festivalet lokalë dhe kombëtarë, fitoi çmime të para në konkurset poetike në rreth dhe kjo bëri që të pranohej kandidat në Lidhjen e Shkrimtarëve, diҫka e pazakontë për moshën e tij.
Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës vazhdoi të shkruante, duke fituar çmime të para në konkurset studentore në Shkodër dhe Tiranë, si dhe në ato të degëve të Lidhjes së Shkrimtarëve në Krujë dhe Shkodër.
Mbarimi i studimeve i solli emërimin në zonën e Repsit (Oroshit), malësive të Mirditës, ku shkroi monografinë e Heroit të Popullit, Mustafa Kafaçi, përgatiti Ansamblin Folklorik “Kastrioti” për Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, i cili fitoi vendin e parë. Më pas u emërua në Krujë korrektor gjuhësor dhe redaktor në gazetën “Kastrioti”, duke plotësuar ëndrrën e tij e dytë të madhe gazetarinë, e cila do ta shoqëronte gjithë jetën ku punoi katër vjet.
Në dhjetor të vitit 1990, për arsye shëndetësore Grigori niset drejt Greqisë. Fillimisht punoi në punë të zakonshme, por dalëngadalë u përfshi në jetën sociale, letrare e kulturore të Athinës. Bashkëpunoi me gazetën e parë shqiptare në Greqi, “Egnatia”, më pas me “Zëri i Emigrantit”, “Rilindja XXI”. “Triti Septemvriu”, “Tribuna”, revista “Pelegrini”. Gjatë luftës së Kosovës ishte pjesë e disa paneleve televizive ku ngjalli kundërshtime me qëndrimet e tij.
Përveҫ profesionit të gazetarit nuk la pas dore edhe pasionin e tij të parë letërsisë duke u bërë pjesë e jetës letrare të krijuesve shqiptarë në Greqi. U bë anëtar i përhershëm i kryesive të Shoqatave dhe Klubeve të Shkrimtarëve, “Drita” dhe “Litter-Art”, madje edhe zëdhënës shtypi i tyre. Së bashku me disa miq të tjerë shkrimtarë në diasporë themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Greqi “Together”, ku u zgjodh kryetari i parë i saj. Gjithashtu hapi revistën “Pegasi”, revistë tremujore letraro-artistike, e cila synonte promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në të gjithë diasporën.
Gjatë karierës së tij artistike Grigor Jovani ka botuar pesë libra poetikë, të gjithë gjatë jetës në Greqi, “Botë pa dashuri, “Punishtja e ëndrrave”, “Udhëtoj brenda vetes”, “Blu e thellë” dhe “Vreshtat e Dionisit. Dy romane, “Ura e Mbretit” dhe “Jackpot”, pesë libra në prozën e shkurtër dhe tre me publicistikë artistike. Grigor Jovani ka përkthyer librin poetik “Monologë” të Milan Kunderës.
Gjatë karierës së tij letrare në Greqi, Grigori ka fituar vende të para në konkurset e organizuara dhe është përfshirë në disa antologji të botuara në diasporë.
Komente
