Jorgo Papingji

Shuhet në moshën 81-vjeçare poeti i këngëve, Jorgo Papingji! Kuvendi mban 1 minutë heshtje për 'Mjeshtrin e Madh'

21 Mars, 18:49| Përditesimi: 21 Mars, 23:54

  • Share

Jorgo Papingji, shkruesi i disa prej teksteve më në zë në muzikën shqiptare është shuar në moshën 81-vjeçare. Tekst shkruesi i mijëra këngëve të dashura për shqiptarët në Festivalin e Këngës ndahet nga jeta pas një gjendje të rënduar shëndetësore ku prej disa ditësh ishte i shtruar në spitalin e Sanatoriumit duke lënë pas pasuri të vyera për vendin.

Papingji në karrierën e tij të gjatë si tekstshkrues, numëron mbi 4000 poezi të mirëfillta, përkthyer në melodinë e tingujve muzikorë.

Ai është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë.

Emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.

Papingji u lind në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942. Ai ka shkruar tekste këngësh që në moshë të re duke bashkëpunuar me kompozitorë të njohur dhe duke lënë shenjë në shoqërinë shqiptare. 

Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivalin e Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014.

Ndër këngët e shkruara nga Papingji veçohen “Kur jemi bashkë të dy”e vitit 1980 kënduar nga Luan Zhegu, “Askush s’do ta besojë” dhe “Fat dhe jetë” kënduar nga Anita Bitri, “Kur e humba një dashuri” këngë fituese e kënduar nga Manjola Nallbani, “Rri me mua” kënduar nga Mira Konçi, “I thuaj jo” kënduar nga Ardit Gjebrea), “E doni dashurinë” kënduar nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo), “S’jam tribu” këngë fituese kënduar Aurela Gaçe dhe shumë këngë të tjera.

Ai ishte dekoruar me titullin “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti i Republikës. Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje në nderim të 'Mjeshtrit të Madh', ndërsa reagime të shumta pati nga aktorë të ndryshëm.

Ora 20:48
Veliaj shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të Jorgo Papingjit: Kontributi i tij, një trashëgimi e vyer e artit shqiptar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të shumë këngëve, Jorgo Papingji.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan se ai la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.

“I  trishtuar për largimin nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra këngëve të njohura, Jorgo Papingji! Kontributi yt i jashtëzakonshëm është një trashëgimi e vyer e artit Shqiptar. U prehsh në paqe”, shprehet Veliaj.

Ora 20:33
Nikolla ngushëllime për ndarjen nga jeta të Jorgo Papingjit: U prehsh në paqe, Mjeshtër!

1707244233_nikolla.jpg

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet për poetin e njohur, Mjeshtrin e Madh, Jorgo Papingji.

“Artisti poet Jorgo Papingji, Mjeshtër i Madh, autori i mijëra teksteve të këngëve shqiptare, bashkoi me tingujt muzikorë frymëzimet dhe ndjenjat e holla të bukurive të jetës dhe botës shqiptare. Disa breza jemi rritur me këngët e Mjeshtrit Papingji, kushtuar dashurisë,  jetës, mallit, bukurisë, gëzimeve, vuajtjeve e dhimbjeve njerëzore, ëndrrave e dëshirave,  natyrës, dhe natyrisht, atdheut.

Mirënjohje për pasurinë e bukur që na le! U prehsh në paqe, Mjeshtër!”- shkruan Nikolla.

Ora 20:06
Rama: Lamtumirë maestro Jorgo Papingji

Kryeministri Edi Rama ke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kantautorit Jorgo Papingji.

‘Lamtumirë maestro Jorgo Papingji, autori i teksteve të dashurisë në koleksionin e këngëve më të kënduara shqiptare. U prehsh në paqe.’- shkruan Rama.

 

Ora 19:58
Kuvendi mban 1 minutë heshtje për Mjeshtrin e Madh, Jorgo Papingji

Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh Jorgo Papingji. Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla në seancën plenare të Kuvendit të mbahet një minutë heshtje, gjë që u pranua nga Nikolla.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?