Regjisori i mirënjohur Vladimir Prifti shuhet në moshën 81-vjeçare, filmat e tij shkollë për brezat

5 Nëntor 2023, 10:19| Përditesimi: 6 Nëntor 2023, 13:38

  • Share

Kinematografia shqiptare sot është në zi! Regjisori i mirënjohur Vladimir Prifti ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, një nga ikonat e kinematografisë sonë që shënoi përjetësinë me filma të suksesshëm si “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë” e “Flutura në kabinën time”.

Regjisori ka nja kontribut të çmuar edhe si skenarist, në produksione si “Era e ngrohtë e thellësive” apo “Kush vdes në këmbë”, në të cilët ishte edhe regjisor. Miq e kolegë shprehin dhimbjen për largimin e një prej kineastëve më të mëdhenj të vendit tonë, duke u shprehur se ai la pas një shkollë për filmin shqiptar. 

Ndërkohë homazhet do të zhvillohen nesër, nga ora 10:00-13:00 dhe 16:00-20:00 në ambientet e “Funeral Home Alba 2000”, tek rruga e Dibrës, pranë Medresesë.

Ndërsa vizitat do të priten të mërkurën dhe të enjten nga ora 10:00-13:00 dhe 16:00-20:00 po në të njëjtin vend.

Aktori Mevlan Shanaj, thotë se sot ekranit shqiptar i ka ikur regjisori i shquar, njeriu me humor dhe me pasion për artin. 

Ngushëllime ka shprehur edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, në një shënim në rrjetet social.

‘Sot kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të madh! Regjisori i filmave të paharrueshëm "Udha e shkronjave", "Kush vdes në këmbë", "Flutura në kabinën time" e shumë të tjerëve, Vladimir Prifti iu shtua tempullit të përjetësisë! Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës, Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. U prehsh në paqe mjeshtër!’- shkruan ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Vladimir Prifti lindi në Tiranë, me 1 Qershor 1942. U diplomua në shkollën e lartë për aktorë, «Aleksandër Moisiu». Më pas u emërua aktor në Teatrin Popullor. Luajti disa role dytësore atje. Spikati me Kogon te drama «Fytyra e dytë» e Dritëro Agollit (1968).

Pas disa përvojave si asistent regjisor në këtë teatër, në vitin 1974 filloi punë si regjisor pranë TVSH-së. Prej këtej e ka zanafillën edhe pasioni i tij për filmin. E nisi në mënyrë premtuese me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë, «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» (1976), duke e shndërruar shfaqjen teatrore në gjuhën e veçantë të filmit televiziv. Vijoi mandej edhe me filmin «Kur hidheshin themelet» (1978), sipas dramës së KoIë Jakovës, «Lulet e Shegës».

U nderua me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikes të klasit të parë me filmin e tij artistik «Udha e shkronjave» (1978). Ky film mbetet edhe sot e kësaj dite ndër kulmet e tij, duke qënë një film i frymezuar, i kahut psikologjik, me nënshtresa e tonime të thukëta dramatike, mesazhe të fuqishme, karaktere të realizuara, tension e suspansë. Shtysa është marre nga tregimi «Buka dhe thika» i Dhimistër S. Shuteriqit. Ndërsa fabula e një rrugëtimi të Dhaskal Todrit me gërmat e shqipes mbi kuaj, vrasja e tij, si dhe ai pak dialog i tregimit kane pësuar transformime e pasurime, në sajë të imazhit të pasur filmik që ështe përftuar gjatë realizimit.

Në filmin «Era e ngrohtë e thellësive» (1982), pavarësisht zbukurimit që i bëhet jetës në minierë, i kushton vëmendje marrëdhënieve njerëzore dhe nevojës per besim, dashuri, dinjitet. FiImi i tij i parë i prodhuar në kinostudion «Shqipëria e re» ishte «Kush vdes në këmbë» (1985). Në këtë film vijon të konsolidojë stilin e tij me theks dramatik e tragjik, për dimensionin social të faktit, ashpërsine e veprimit duke vënë në qendër figurën vetëmohuese te Petro Nini Luarasit, raportet e tij me kishën, administratën turke, armiqtë e gjuhës dhe të mëkëmbjes kombëtare, etj.

Në filmin «Dhe vjen një ditë» ai veçon tashmë planet psikologjike, fshehur pas një dialogu në dukje të zakonshëm, që gërshetohet me episode të ndjera të njerëzve të thjeshtë në fshat, ku fillon edhe kuptimi i të vertetes prej individit të tjetërsuar nga tundimi për pozitë, privilegje e karrierë. Me ketë film kinematografia shqiptare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987).

Më tej do të realizonte filmin e arrirë «Flutura në kabinën time» (1988), fitues i çmimit të dytë në Festivalin VIII të Filmit Artistik. Regjisori paraqet me një realizëm të thellë aftësinë e njeriut për t’u prirur drejt së mirës, virtytit e fisnikërisë, pavarësisht rrethanave të pavaforshme të jetës.

Realizuar me shumë mjeshtëri është edhe filmi «Dasma e Sakos» (1998), fitues i disa çmimeve. Falë një subjekti të pasur me ide, karaktere dhe ngjarje, regjisori është kujdesur per të krijuar metaforën e shterpësisë së burrit, njeriut ambicioz e hakmarrës dhe të vetë raporteve të prapambetura të pronësisë perballë fisnikërisë, dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Në një realitet në dukje të mbytur nga Iuksi dhe pasuria, por në fakt të vobektë shpirtërisht dhe armiqësor, spikat aftësia e regjisorit për të realizuar aktrime me vërtetësi, plot tension e dramacitet, sikunder aftësia e tij për të krijuar sinteza historike nëpërmjet imazhesh domethënëse.

Vladimir Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, ndër to mund të përmenden: «Të bekuarit», «Legjenda e baltës», «Rruga Egnatia», «Butrinti». Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe të trilluara. FiImi fitoi një çmim të veçantë në Festivalin e X-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë. Vladimir Priftit i është dhënë titulli «Artist i merituar».

Ora 13:37
Ndarja nga jeta e Vladimir Priftit, presidenti Begaj shpreh ngushëllimet: Frymëzim për brezat e rinj të kinematografisë shqiptare

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ikonës së kinematografisë shqiptare, regjisorit Vladimir Prifti.

‘Sot arti shqiptar humbi një ndër regjisorët më të talentuar dhe Shqipëria një intelektual pa kompromis, Vladimir Priftin. Do të mjaftonin vetëm dy vepra, ikona të filmit shqiptar, si: “Udha e shkronjave” dhe “Flutura në kabinën time” për t’u përjetësuar emri i tij në plejadën e regjisorëve më të mirë shqiptarë, por vepra e tij përmban edhe shumë realizime filmash të tjerë.

Si skulptor i imazhit, ai skaliti personazhe të pashlyer nga kujtesa e publikut. Artist, intelektual dhe, mbi të gjitha, njeri që e donte vendin e vet, Vladimir Prifti është frymëzim për brezat e rinj të kinematografisë shqiptare. I shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjarëve!’- shkruan Begaj.

Ora 10:51
Ndarja nga jeta e Vladimir Priftit, aktori Mevlan Shanaj tregon bisedën e fundit me regjisorin

Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare një nga ikonat e ikonat e kinematografisë shqiptare, Vladimir Prifti. Aktori Mevlan Shanaj, ka shprehur ngushëllimet për familjen e regjisorit.

‘Lamtumirë VLADIMIR PRIFTI! Sapo më lajmëruan për ikjen e regjisorit të filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Era e ngrohtë e thellësive etj! Sot ekranit shqiptar i ka ikur , regjisori i shquar , njeriu me humor dhe me pasion për artin! Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm  për mes veprës tënde!’- shkruan Mevlan Shanaj.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/11/2023 01:31

    R.I.P zoteri i nderuar! Nuk ka me Shqiperia artiste,regjizore,skenariste e filma te ketij niveli.Ne fakt nuk kemi me studio dhe as kinematografi te vertete, qe te krenohet e te meritoje brand-in e saj si art e emer! Tani kemi me pak perjashtime, filma askushi,aktore askushi,regjizore e skenariste askushi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?