Ndihemi të mrekulluar kur dëgjojmë tingujt e muzikës klasike, qoftë në sallat e mëdhaja të Operës, por edhe nëpërmjet telefonit, muzika klasike ka gjithnjë fuqinë të sjellë entuziazmin e artit të vërtetë. E tillë ishte edhe performanca magjike e tingujve të violinës me një gërshetim të muzikës rrok, por kësaj radhe, unike ishte pjesëmarrja e Teatrit të Operës dhe Barletit nga Shqipëria në bashkëpunim me dy artistët italianë, koncert i mbajtur në Lecce.
Të ftuar në panelin e Studio Live me gazetarin e Report Tv, Arbër Hitaj, ishin dy orkestruesit e TKOB, Hilda Çekani dhe Gëzim Bulçari të cilët folën për eksperiencën e tyre dhe për artin e muzikës klasike në tërësi, pritshmëritë, sfidat por edhe vështirësitë në fushën që ata ushtrojnë.
“Bëmë tre ditë prova. Me Aleksandrin bëmë edhe këtu, ndërsa Massimo është pak më i rrepte. Është kënaqësi shumë e madhe të luash me ta por edhe ata u kënaqën. Shpresoj të luhet edhe në Tiranë, ishte një koncert i magjishëm.”- tha Hilda Çekani.
Për Hildën, dhurata më e bukur e performancës ishte afrimiteti dhe ngrohtësia e publikut, të cilët i njohën e i përshëndetën në rrugët e Lecces, teksa shëtisnin. Për orkestruesen, ishte kjo ndjesia e bukur që të mbushte me krenari.
“Bashkëpunimi dhe gjetja e harmonisë mes dy mënyrave harmonike të lojës, ishte për ne shumë e veçantë dhe e bukur. Publiku ishte mësuar me këtë, për ne ishte nder të performonim si orkestra e TKOB.
Ne shëtitëm dhe pak në Lecce dhe njerëzit na njohën, u mbushëm me krenari.”- tha më tej Hilda.
Ndërsa Gëzim Bulçari ka folur edhe për koncertet e ardhshme ndërsa është shprehur edhe për vështirësitë e profesionit. Ai është shprehur madje paksa ndryshe nga çfarë perceptohet për audiencën e vendit tonë në koncerte të këtij lloji duke thënë se sallat janë plot.
"Ne kemi koncertin e radhës të shtunën me një soprano italiane. Ditën e shtunë rreth orës 19:00 dhe pjesa tjetër me Vikena Kamenicën.
Kjo është një ndërthurje shumë e bukur.
E vështirë është sepse profesioni ynë është që në moshë të vogël. Duhet të nisë nga mosha 5-6 vjeç. E kuptoni vetë mundin. I miri e gjen një vend, pa diskutim që këtu del, është shtuar një orkestër e tretë, ‘Forcat e Armatosura’. Mundësi ka, por është edhe e vështirë.
Publiku ka interes, ka qenë çdo shfaqje plot.”- tha Bulçari.
Më tej, artisti i ftoi të gjithë të rinjtë të vinin në Opera.
“I ftoj të gjithë të vijnë në Opera. Por edhe kompozitorët e rinj. Dhe, e shoh pak të ndrydhur, nuk është se ka shumë. Megjithatë, kemi dy tre të rinj për pjesën e të shkruarit e kanë me shumë dëshirë. Por vështirë për konkurrencë, është e vakët.”- përfundoi ai.