Pavarësisht rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në tregjet e huaja, zhvillimi i sektorit në vend nuk kanë të ndalur, duke regjistruar rekorde të reja. Vetëm në gjashtë muajit e parë të këtij viti, INSTAT raporton se janë miratuar 736 leje ndërtimi, ose 138 leje ndërtimi më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i lejeve të dhëna këtë vit në gjashtëmujor janë më të lartat që prej vitit 2006, ku për periudhën janar-qershor në atë kohë u dhanë 860 leje për ndërtime të reja.
Për shkak të numrit të lartë të ndërtesave të reja, edhe sipërfaqja e dhënë për ndërtime është rritur ndjeshëm në krahasim me vitet e kaluara, duke regjistruar edhe në këtë drejtim shifra rekord. Sipas INSTAT nga janari në qershor sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja ishte 1.6 milionë metra katrorë, nga 1.1 milionë që ishte në vitin e kaluar, dhe nga 655 mijë metër katror që ishte në vitin 2020.
Tirana është në vendin e parë për numrin më të lartë të lejeve të dhëna ndjekur nga Durrësi, më pas është Fieri, Elbasani, Lezha, Korça dhe Vlora. Berati dhe Dibra janë dy qarqet me numrin më të ulët të lejeve të ndërtimit, me nga 9 të tilla secila.
Por pavarësisht këtyre shifrave rekord të regjistruara gjatë muajve të parë të këtij viti, bazuar në të dhëna vihet re një ngadalësim i sektorit në vend. Nëse në tremujorin e parë të vitit u dhanë 397 leje, në tremujorin e dytë u miratuan 339 leje, duke treguar se çmimet e larta të lëndëve të para kanë pasur impaktin e tyre.
Rritja e kostove vlerësohet edhe si një nga faktorët kryesor që po rrit çmimet e apartamenteve në vend e kryesisht në Tiranë, ku edhe në zona larg qendrës një metër katror kushton 1000 euro, ndërsa rekordi mbahet nga ndërtimet e reja në qendër ku metri katror arrin mbi 3000 euro metri katror.
Ndërtimet e reja kanë vlerë financiare rreth 64.9 miliardë lekë, nga 49,7 miliardë lekë që ishte vlera e ndërtimeve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.
“Në tremujorin e dytë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25,9 miliardë lekë, nga 23,1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2021, duke shënuar një rritje prej 12,1 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Numri i lejeve të ndërtimit
Lejet e ndërtimit në 2022
Lejet e ndërtimit sipas gjashtëmujorëve
Sipërfaqja e ndërtimeve të reja
Vlera e ndërtimeve të reja