Kronikë

Manja: Prokurorja Gjeli nuk nisi hetimin për ndërtimin në Theth, nuk lejojmë që tolerimi i paligjshmërisë të jetë precedent

11 Korrik, 15:26| Përditesimi: 11 Korrik, 17:16

  • Share

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja doli në një konferencë shtypi për tu kërkuar organeve të drejtësisë të hetojnë prokuroren Elsa Gjeli. Sipas qeveritarëve, prokurorja nuk kreu hetime për ndërtimet e paligjshme në Theth e këto akte minojnë besim e publikut tek drejtësia e pavarur.  Ministri i Drejtësisë tha se nuk do të lejojë që të krijohet një precedent i rrezikshëm për tolerimin e paligjshmërisë.

“Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mosushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit.

Prokurorja Elsa Gjeli, nga momenti i referimit nga Policia gjyqësore, të një materiali kallëzues në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të këtij parku turistik në zemër të Thethit, pa kryer asnjë hetim, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë’, tha Manja.

Sipas tij, ky rast përbën një goditje serioze ndaj shtetit të së drejtës dhe minon besimin e qytetarëve te drejtësia. Ministri e cilësoi refuzimin e prokurores për të hetuar si një skandal.

‘Ka pasur dhe raste të tjera por nuk kanë qenë kaq sensitive. Shqipëria 2030 nuk ndërtohet duke toleruar paligjshmërinë. Me justifikime teknike me artifica ligjore për t’iu shmangur detyrave që përcakton kushtetuta dhe ligji. Drejtësia që kemi premtuar ndërtohet jo vetëm me institucione të pavarura. Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit.

Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit. 83 mandatet që shqiptarët na dhanë janë më shumë se një votëbesim. Janë një barrë për të reaguar shpejt, qartë me vendosmëri për çdo gjë që nuk shkon dhe me ndonjë devijim në institucionet tona. Nuk na heq të drejtën që të njëjtën llogari dhënie ta kërkojmë edhe nga sistemi i drejtësisë, drejtësia europiane nuk mund të jetë drejtësi selektive, nuk mund të jetë në heshtje përballë minimit të natyrës', tha ai. 

Ministri i ka bërë thirrje KLP që të veprojë. Ai tha se institucionet e drejtësisë duhet që ta hetojnë deri në fund këtë çështje. 

'I bëj thirrje KLP të veprojnë pa vonesë, ta hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë se një rast i mosfillimit të hetimit, organet kanë përgjegjësi të garantojnë integritetit te drejtësia. Raste si ky minojnë reformën në drejtësi, besimin e publikut. Është cenim i shtetit të së drejtës. Unë nuk e di si do jetë përfundimi i hetimit, por kam besim te institucionet e reja të drejtësisë, do e hetojnë deri në fund, i cili krijon precedent të rrezikshëm dhe i hap rrugë gjendjes së paligjshmërisë në territorit’, tha ai.

Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar nisjen e këtij hetimi disiplinor nga Ministria e Drejtësisë pak ditë më parë. Më 7 korrik, kryeministri publikoi rastin e ndërtimit pa leje dhe vendosjes së kabinave të pushimit në Theth. Rama ka denoncuar ngjarjen dhe kritikoi prokuroren Elsa Gjeli që nuk nisi hetimet për çështjen, duke shtuar se ka lejuar një krim mjedisor. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Prokurorisë së Shkodrës, ku thuhej se 'vendimi ishte bazuar në ligj, pasi strukturat janë referuar nga policia si kontejnerë të përkohshëm pa themele, të vendosura jo mbi bazamente betoni por në rrasa guri të prera". 

Kabinat pa leje në Theth, të cilat përplasën kryeministrin Edi Rama me prokurorinë e Shkodrës, janë në pronësi të Prek Kodrës, një personazhi të shpallur 2 herë në kërkim nga SPAK. Më 2021, në një dokument të Njësisë Kundër Terrorizmit në Kosovë cilësohej si personi që do vriste me snajper kryeministrin Kurti dhe 2 politikanë të tjerë. Lidhja me Bajrët dhe biseda në SKY ECC me Suel Çelën. 

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?