Kronikë

Zaptimi i hapësirave publike, shkarkohen 2 drejtuesit e Policisë së Shkodrës! Pezullohet ai i Thethit, Proda: Nuk meriton të veshë uniformën

10 Korrik, 10:06| Përditesimi: 10 Korrik, 17:24

  • Share

Në zemër të Thethit, ku natyra është e mbresëlënëse dhe çdo gur ka zë, ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirave publike, kishin mbirë si kërpudhat. Kabinat e drunjta pranë kishës, rezultuan se nuk ishin një rast i izoluar. Dhjetra ndërtime pa leje kanë prekur fshatin turistik në zona të ndryshme të tij, përballë syve të mbyllur të autoriteteve. 

Ndërsa zhurma e eskavatorëve që po ndërhyjnë, janë efekti i parë i reagimit, vala e goditjes sot shkoi përtej kufijve të Thethit, duke ngrënë kokat e policisë së Shkodrës. Drejtori i qarkut, Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit, Nik Nikollaj, u shkarkuan nga detyra.

Vendimin e bëri publik kryepolici Ilir Proda, në një deklaratë të ashpër për media. Përmes saj, Proda dërgoi një mesazh për çdo drejtuesë qarku e shef komisariati në vend.

"Kam vendosur të shkarkoj nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër. Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë.", tha Proda. 

Më i ashpër Ilir Proda u tregua me shefin e postës policore të Thethit, Edison Gjoka, për të cilin mes rreshtave paralajmëroi përjashtim të përhershëm nga blutë. Ai u pezullua nga detyra dhe për të nisi hetim disiplinor për shkelje të rëndë, bashkë me inspektorin e zonës dhe specialistin e krimeve.

"Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu. Gjithashtu, ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit.", u shpreh ai. 

Me sa duket, ky është vetëm fillimi. Të gjithë janë të rrezikuar. Kryepolici Proda, paralajmëroi të gjithë shefat dhe drejtorët e policisë në të gjithë vendin për përgjegjësinë personale mbi ndërtimet pa leje. 

"Shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti!"

Drejtori i Përgjithshëm konsideroi se Policia e Shtetit gjithsesi e bëri detyrën e saj për referimin në prokurori të kompleksit me 12 kabina që kryeministri Rama denoncoi në Thesh, të ndërtuar pa leje, por kjo nuk heq përgjegjësinë e policisë për dhjetëra ndërtime të tjera që kanë mbirë si kërpudha pas shiut. Prej 4 ditësh në Theth, ka nisur shembja e 80 objekteve pa leje, ndërsa Rama ka paralajmëruar “furtunë” edhe në zona të tjera.

Me shkarkimin e Fatmir Lleshajt në Shkodër, u komandua Gentian Berberi, së fundmi drejtor i Policisë së Kukësit, ndërsa vendin e tij e zuri Loard Sallaku.

Drejtori i policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit Nik Nikolla 

 

Ora 10:21
‘Cenon sigurinë e qytetarëve’, Proda i prerë: Parkimi i dyfishtë jo më ‘shkelje e lehtë’, vepër penale! Shkelësit rrezikojnë deri në 3 vite burg

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në një deklaratë për mediat i ka bërë të qartë çdo strukture të policisë se lirimi i hapësirave publike është një detyrë prioritare. Proda thotë se hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe askush nuk ka të drejtë ti përvetësojë. Duke përmendur rastin e Thethit, Proda tha se do ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e shtetit.

“Dua të ndaj me publikun dhe të paraqes para çdo strukture policore disa pika që janë të panegociueshme dhe prioritare për ditët, javët e muajt në vazhdim: Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë.

Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme  si në rastin e Thethit.

Bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”, tha Proda.

Një tjetër pikë të rëndësishme që preku Proda në deklaratën e tij ishte edhe parkimi i dyfishtë në rrugë, duke theksuar se nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Tashmë, Proda thotë se parkimin e dyfishtë do të trajtohet si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.

Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.

Neni 293 i Kodit Penal

Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit

Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Ora 10:18
Shkarkimi i drejtorit të Policisë së Shkodrës, komandohet Gentian Berberi! Ikën nga Kukësi

1752135543_gentianberberi.png

Gentian Berberi është drejtori i komanduar i Policisë së Shkodrës, pas shkarkimit të Fatmir Lleshajt, bëjnë me dije burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema. Berberi ikën nga drejtimi i Policisë së Kukësit dhe komandohet në Shkodër.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • kiraskiras: 10/07/2025 16:09

    Genti është polic që i duhet Shkodrës!! Ka dhënë prova se ka goditur grupet kriminale por prokuroria e tradhtoi...tashti mbase me SPAK do ja dalin mbanë. Çunave të dobraçit dhe të kirasit ju bëj thirrje të ikin ose mos të dalin më rrugë...

    Përgjigju
  • TRANS -RAPID: 10/07/2025 12:43

    Qytetarët duhet të janë ata që duhet bërë çdo gjë e paligjëshme shkruar te kompetentët dhe nëse nuk veprohet duhet denoncu publikishtë te mediat kështu kryet obligimi qytetarë ndaj vëndit

    Përgjigju
  • ISH USHTARAK: 10/07/2025 12:33

    SHUMË MIRË QË NUK MERITOJNË TË JEN NËN UNIFORMË ATA, POR ATA KË KAN SUPERIOR TË TYRE DHE AI I PA AFTË E I KORUPTUAR ËSHTË?JO DREJTOR JEPI ÇEZARIT ÇFAR I TAKON, DHE JO OPSHE.PËR MUA 'VARRI N.Q.S. E MERITOJNË, POR VETËM UJKU ÇAN NË TUFË.KUADRI ËSHTË INVESTIM JO I SHTETIT POR I POPULLIT,NDRYSHE NGA POLICËT ME LAPS SI I THOSHIM NË KOHËN TONI

    Përgjigju
  • Shkodra: 10/07/2025 10:50

    Hidhi nji sy lagjes gjuhadol ne shkoder , zaptime trotuaresh dhe muzika ne maksimum

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?