Kompania ‘Gener 2’ i ka filluar punimet për aksin Thumanë-Kashar ende pa marrë lejen zhvillimore nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili duhet ta pajisë kompaninë me dokumentin që përcakton kushtet zhvillimore dhe që shërben si një leje ndërtimi.
Kompania Gener 2 është pajisur me këtë dokument vetëm një ditë më parë, ndërkohë që punimet për këtë aks i ka filluar rreth datës 20 nëntor. Pra, kompania i ka nisur punimet pa u pajisur me lejen.
Ndërtimi i këtij aksi është kundërshtuar shpesh edhe nga banorët e zonës të cilët kanë zhvilluar protesta herë pas here. Edhe banorët kanë ngritur shqetësimin se kompania i kishte nisur ndërtimet pa leje.
Ndërtimi i segmentit Thumanë-Kashar, kushton 225.8 milionë euro. Për të kaluar me makinë në këtë aks qytetarët duhet të paguajnë një taksë. Rreth 1.3 miliardë euro pritet të mblidhen nga kompania për 35 vite koncension.