Foto ilustruese

Kronikë

Lushnjë/ Tejkaloi 77% të lejes së ndërtimit, dërgohet për gjykim ndërtuesi, punonjësi i bashkisë dhe inspektori i IMT-së

23 Shtator, 09:23| Përditesimi: 23 Shtator, 10:44

  • Share

Prokuroria e Fierit ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq 3 persona, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “ekspertim i rremë”. Bëhet fjalë për ndërtuesin me iniciale N. Q., i cili ka ndërtuar 77% më shumë nga sa ishte e parashikuar në lejen e përfituar nga Bashkia e Lushnjës.

Së bashku me të për gjykim është dërguar punonjësi i Bashkisë së Lushnjës, E.S, me cilësinë e ekspertit me kryerjen e aktit të ekspertimit, i cili në aktin e ekspertimit ka paraqitur të dhëna të rreme që lidhen me sipërfaqen reale të ndërtimit të realizuar.

Në dosje përfshihet dhe punonjësi i IMT-së, Gj.M., me detyrë Kryeinspektor, i cili nuk ka përmbushur detyrën e tij dhe nuk ka referuar rastin e paligjshëm pranë organeve kompetente.

Hetimi për rastin në fjalë ka nisur në vitin 2021 ndërsa objekti, i cili kishte devijuar nga kriteret e lejes së ndërtimit 276.6m², u konstatua në lagjen “Kongresi” në Lushnjë.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit:

Ndërtoi 77% më shumë se sa leja e miratuar, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq ndërtuesin, kryeinspektorin dhe ekspertin për ‘shpërdorim detyre’, ‘ndërtim të paligjshëm’ dhe ‘ekspertim të rremë’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin N.Q., për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a pg.4 i Kodit Penal, shtetasin Gj.M, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shtetasin E. S, për kryerjen e veprës penale “Ekspertimi i rremë” parashikuar nga neni 309 pg.1 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.322 të vitit 2021, rezultoi se ndërtimi i realizuar nga investitori/subjekti ndërtues, në lagjen “Kongresi” Bashkia Lushnje, u krye në shkelje të rëndë të kushteve të lejes së ndërtimit. Prokuroria dokumentoi se shtetasi N.Q, pasi ishte pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Lushnje, gjatë zbatimit të projektit, ka realizuar punime tej lejes së marë. Në total sipërfaqja e ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit rezultoi 276.6m², ose 77% e ndërtimit.

Gjithashtu, veprimet hetimore u fokusuan në drejtim të veprimeve dhe mosveprimeve të strukturave inspektuese vendore pranë Bashkisë Lushnje, Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë kësaj bashkie. Nga ana e autoritet inspektues, IMT-së, Bashkia Lushnje, personave përgjegjës të ngarkuar me ushtrimin e detyrave funksionale që lidhen me kontrollin e territorit dhe monitorimin në vijimësi të zbatimit të lejeve ndërtimore, u konstatua se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës. Fakti penal i konstatuar ju atribua nga prokuroria shtetasit M.Gj., me detyrë Kryeinspektor pranë IMT-së Bashkia Lushnje, në kohën e kryerjes së veprës.

Po kështu edhe shtetasi E.S, me cilësinë e ekspertit me kryerjen e aktit të ekspertimit, ka paraqitur në të dhëna të rreme që lidhen me sipërfaqen reale të ndërtimit të realizuar. Nga hetimet rezultoi se sipërfaqja e ndërtuar nga i pandehuri ishte disa herë më e madhe se ajo e pasqyruar nga eksperti.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë shtetasve që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve si dhe punonjësve shtetërore ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?