Gjykata e Kukësit ka lënë në masën "detyrim paraqitje" Ramë Gjomokajn, i cili u arrestua për ndërtimin e 8 objekteve pa leje në pronën e tij të trashëguar në fshatin Llugjaj të Tropojës. Seanca gjyqësore u zhvillua sot nga ora 13:00 deri në 13:40, ku pas shqyrtimit të materialeve dhe pretendimeve të palëve, trupi gjykues vendosi ta lërë të lirë me kusht, duke i ngarkuar detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë organeve kompetente.
Ramë Gjomokaj ra në prangat e policisë për ndërtim pa leje, pasi kishte ndërtuar 8 objekte dhe një pishinë pa leje brenda rrethimit të banesës së tij në fshatin Llugjaj të Tropojës. Prokuroria e Kukësit theksoi se policia referoi rastin, ndërsa u konstatua se objektet ishin në përmasa 10x6m të ngritura mbi kolona betoni dhe të rrethuara me mur tulle me ngjyrë të kuqe dhe solete sipër.
Gjomakaj e kishte trashëguar pronën nga i ati me tapi, dhe po i ndërtonte me paratë e të vëllait nga Anglia. Arrestimi i tij solli reagimin e familjarëve, të cilët thonë se është i padrejtë, pasi ndërtimet janë bërë në truallin e tyre. Beqir Gjomokaj, vëllai i të arrestuarit dhe njëherësh kryeplak i fshatit, në një prononcim për Report TV u shpreh se Ram Gjomokaj vuan nga probleme shëndetësore me frymëmarrjen dhe me nervin e këmbës, ndërsa nuk ka pasur kurrë konflikte me askënd.
“Ne jemi mbi 30 vite që presim të na zgjidhet problemi i tokës. Kemi bërë aplikime për leje ndërtimi për nevoja familjare, por askush nuk na ka dhënë asnjë dokument. Sot vëllai është në burg për një padrejtësi, sepse ndodhet në tokën që na e ka lënë babai,” thotë Beqiri.
Ai shpjegoi se situata me pronat në Ragam mbetet e pazgjidhur, pasi një pjesë e tokave janë të zaptuara që nga koha e komunizmit nga banorë të ardhur në fshat.
“Familja jonë e ka të ndarë tokën, por prej vitesh na kanë zaptuar të tjerët. Është e padrejtë që të arrestohet dikush që ka aplikuar për ndërtim, ndërkohë që nuk na janë bërë letrat. Ka ardhur deri edhe grupi i inxhinierëve nga Tirana për të hartuar planin, por pa u liruar tokat e zaptuara, as fshati ynë nuk mund të futet në sistem,” tregon kryeplaku.
Sipas tij, i gjithë fshati është në të njëjtën situatë: jashtë sistemit të dokumentimit të pronësisë, duke mbetur peng i një konflikti pronësor të trashëguar prej dekadash.
Njoftimi i Prokurorisë Kukës:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës u arrestua shtetasi R.Gj., nën hetim për veprën penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ parashikuar në nenin 199/a, paragrafi 4, i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.509, datë 08.09.2025, pas referimeve të policisë së shtetit, në vendin e quajtur lagjja "Gjomakaj", (fshati Llugjaj), Njësia Administrative Llugaj, Bashkia Tropojë u konstatuan 8 objekte dhe një pishinë në ndërtim e sipër të cilat ndodheshin brenda rrethimit të banesës së shtetasit R.Gj.
Këto objekte janë me përmasa 10x6m të ngritura mbi kolona betoni dhe të rrethuara me mur tulle me ngjyrë të kuqe dhe solete sipër.
Objektet e ndërtuara dhe pishina ndodhen brenda rrethimit të baneses së shtetasit R.Gj. dhe rreth e përqark objekteve ka materiale ndërtimi si zhavorr, tulla etj. Veprimet hetimore mbi këtë çështje vijojnë.
Komente
