Kronikë

Ndërtoi pa leje në zonën e mbrojtur në Sarandë, pranga biznesmenit, i gjendet municion luftarak

12 Shtator 2021, 18:45| Përditesimi: 12 Shtator 2021, 19:07

  • Share

Është vendosur në pranga 49-vjeçari Aleksandër Rica i shpallur në kërkim, për “Ndërtim të Paligjshëm”.

Ky i fundit, së bashku me katër të tjerë, dyshohet se kanë ndërtuar në zonën e mbrojtur e quajtur “Kurora e Qytetit” në Sarandë. Sakaq, gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur edhe municion luftarak. Kujtojmë se gjatë ditës, janë arrestuar në flagrancë katër punëtorët Shenasi Ahmetaj, 47 vjeç, banues në Sarandë, Flamur Baraj, 46 vjeç, banues në Mallakastër, Elton Pashka, 37 vjeç, banues në Delvinë dhe Astrit Rrupulli, 51 vjeç, banues në Librazhd. 

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Vijon puna për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ndërtojnë pa leje. Vihet në pranga 49-vjeçari i shpallur në kërkim policor, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”. Më herët u vunë në pranga nga Policia 4 shtetasit, e kontraktuar nga 49-vjeçari, për ndërtimin pa leje të një objekti, në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë.

Evidentohet dhe 2 objekte të tjera të ndërtuara pa leje, po në atë zonë, nga ky shtetas. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë,
bazuar në informacionet e marra, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, kanë konstatuar dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara pa leje, në vendin e quajtur “Kurora e qyetit”, në lagjen nr.3, Sarandë.

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor, Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se ka kontraktuar 4 puntorë (të vënë në pranga nga Policia më herët), për ndërtimin e një objekti (vilë), po ashtu ky shtetas dyshohet se ka ndërtuar pa lejen e autoriteteve kompentente dhe 2 objekte të tjera, të ndërtuara po në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Aleksandër Rica, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak. Vijon puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë përgjegjësi për mosverifikimin e ndërtimeve dhe pronave, në proçes legalizimi, të këtij shtetasi, në një zonë të mbrojtur, të qytetit të Sarandës.

Materialet shtesë në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Prodhimi dhe mbatja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar në misionin e saj me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112


Lajmi kryesor:

Sarandë/ Ndërtuan pa leje në zonën e mbrojtur 'Kurora e qytetit', arrestohet biznesmeni dhe 4 punëtorët! 49 vjeçari ka ndërtuar edhe 2 objekte të tjera


  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?