Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Ndërtojeni shtëpinë rrëzë Vezuvit

29 Janar 2021, 16:11| Përditesimi: 29 Janar 2021, 16:17

  • Share

A nuk e shikoni se po na tërheqin përdrejt llavës, teksa jemi nisur drejt zgjedhjeve të 25 prillit?

Nuk ndodhemi shumë larg rrezikut…

Edhe pse themi kaq shpesh se këto tre dekada nuk kemi bërë asgjë, të paktën kemi mbi krye një mal; mal rreziku që sa i largohemi, aq edhe i afrohemi. Vullkanit të Vezuvit, që fundosi katër qytete të madhërishëm romakë, tash 1900 vjet i janë larguar njerëzit. Rreziku ynë na vë në provë sot e kësaj dite, të paktën një herë në katër vjet.

Prova e fundit:

Dy parti politike ‘të humbura’, sapo kanë deklaruar se do të paraqiten në zgjedhjet e 25 prillit, ‘ani pse’ ia kanë shpifur njeriut këtu. PD dhe LSI, prej tre vjetësh po kërcënojnë me rolin e llavës së nxehtë të Vezuvit. Në radhë të parë u fshehën vetë poshtë hirit, lanë mandatet e popullit në Parlament dhe dolën malit. Më shumë se një e treta e popullit votues u tradhtua prej tyre dhe mbeti ‘pa ombrellë’. Ndërsa dy të tretat e popullit votues u terrorizuan nga njëra javë në tjetrën: ‘kur do të na vijnë ata me zjarre me bomba molotov?’. Të dyja partitë sulmuan rrugët e qytetit, selinë e Parlamentit dhe zyrat qeveritare. Në optikën e tyre kishte ardhur koha e dilemës: ‘O na lironi nga gjyqet për korrupsion, o i vunë flakën!’. Optika e tyre shkon edhe më ej: Janë gati të afrojnë me ne ‘boshtin e së keqes’, mjaft që të shpëtojnë për vete. Boshti i së keqes lidhet me sulmet e tyre të stilit të terrorizmit politik, që  na përafronte kombin me shtetin islamik… Domethënë këta guxojnë të kërkojnë pushtet mbi ne- popullin. Si të thuash se iu shkonte mendja të na e ngrinin Vezuvin mbi shtëpitë tona.

Prova e budallait:

Provuan edhe një herë të na bëjnë të gjithëve ‘turma budallenjsh’. Kryetarja e LSI (gruaja e presidentit), doli në ekrane dhe iu drejtua popullit (me ngjyrë e pa ngjyrë, me fe e pa fe, me arsye e pa arsye) me thirrjen që të lindin fëmijë ‘si biznes’. Fëmijët do të trajtohen si kungujt: ‘Më jep një fëmijë, të jap 1000 dollarë; për 4 vjet nga 1000 t’i bëj 25 mijë’. Kjo është prova e zonjës së madhe, ose më mirë të thuash se është prova e popullit para talljes. Kishte edhe ndonjërin që tha se ‘s’ka faj Mona, ku di ajo ça është paraja’, paraja për këta është si hiri i llavës, paraja i ka mbuluar. Të njëjtën provë ‘të budallallëkut’ ofroi edhe kryetari i PD. Basha nuk jep kaq shumë për ‘biznesin e fëmijëve’; por e bën ‘fushë me lule’ gjithë fushën e ‘turmave’. Premtimi i tij është ky: Lekë pa fund do të bien nga pemët çdo stinë! Ulen taksat, rriten pagat, rriten pensionet, ‘sa lekë do ti- na merri’, ‘sa do ti vëlla?- na merri’. Ja kështu. Vdekja si e Vezuvit rri brenda tyre kur guxojnë për herë të dytë a të tretë që të mashtrojnë duke qeshur!

Prova e nderit:

Këta dalin derë më derë dhe ekran më ekran e na shajnë ‘me robt ku t’i keni!’. Na thonë se jemi ‘bisht i mafies’; na shajnë se ‘jemi kokë palarë’, na kërcënojnë se ‘në 25 prill do të na përmbysin’, na telendisin si qytetarë të dorë së fundit. Në dorë të tyre mbajnë dy të tretat e pasurisë sonë kombëtare: Floririn e Thesarit të Shtetit, kursimet e shqiptarëve të mbledhura në skemat piramidale, fitimet e kontrabandës shtetërore të naftës dhe armëve; paratë e vjedhura nga CEZ, nga familjarët sekserë, nga rruga e ‘Kombit’, nga shitja e protestave… Kur bëjnë moral guxojnë e thonë se populli ynë ‘nuk di të reagojë’. E vërteta është se populli në Shqipëri është i vetmi në vendet ish- komuniste që ka derdhur gjak në protestat kundër korrupsionit. Kur dëgjoj që këta thonë ‘dilni na votoni!’, më duket se po na thërrasin ‘dilni t’u vrasim në bulevard’ si ata të katër.

Prova e zjarrit:

Shqipëria është i vetmi vend në Evropën e Lindjes ku pushteti post- komunist krahasohet me krimet e pushtetit komunist. Është edhe i vetmi shtet me një luftë civile dhe me një grusht shteti, brenda dy vjetësh, të kryer nga presidenti në fron dhe i sapo larguar nga froni. Në vitin 1997 populli u sulmua nga qeveria e tij me armë, me tanke, me prerje urash e rrugësh, me avionë, me napalm dhe me policinë sekrete. Në mes të luftës qeveria deklaroi se në arkën e shtetit kishte vetëm 17 milionë lekë të vjetra, prag urie. U vranë rreth 3 mijë vetë, aq sa në 11 Shtator në Amerikë- ku ndryshoi bota. Në vitin 2005, po këta që mbytën popullin me llavë, erdhën në pushtet, manovrën e të dy palëve e konsideruan ‘marrëzi e popullit’; prandaj tentojnë të vijnë prapë përmes marrëzisë.

Atëherë kombi do të vihej tamam nën Vezuv. Në 100 mijë  shpërthime të vullkanit në malin e Vezuvit gjatë shekujve, kanë vdekur vetëm 1000 vetë; shumë pak në krahasim me rrezikun këtu pa ‘Vezuv’. Por kur Fridrih Niçe paralajmëronte rreziqet e të pamendëve, thërriste: ‘E mirë, pra, ndërtojeni shtëpinë rrëzë Vezuvit!’.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ada: 31/01/2021 19:24

    Edhe ti ta shpif From Cupi.. nuk ka me te degjeneruar

    Përgjigju
  • Henri: 30/01/2021 08:32

    Epo si u katandis kaposhi nje thele?! Media nr.1 ne vend dhe galaktike. Nga bi, e trinomin e paperseritshem : Karlo-Merro-Frrok.... zot na rujc

    Përgjigju
  • Shqipëria: 29/01/2021 21:07

    Vetëm 2 komente i shkreti Frrok, po ia le une një per mëshirë.

    Përgjigju
  • Keta mo Frrok: 29/01/2021 17:40

    Basha Berisha Mona Iliri mire eshte ta ndertojne shtepine ne hale te gomerve.

    Përgjigju
  • Kacidhe: 29/01/2021 17:12

    I madh je Frrok.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?