Shoqata e Ndërtuesve ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për rritjen e çmimeve të referencës në Tiranë, pasi e konsiderojnë si të papajtueshëm me Kushtetutën. Kjo padi e tyre do te shqyrtohet në një seancë publike nga Gjykata Kushtetuese me 18 qershor 2024.
“Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit nr. 457, datë 26.07.2023 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në vendimin nr. 132, datë 07.03.2018 të Këshillit të Ministrave “Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar” (VKM nr. 457/2023) shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe në pjesën që ka ometuar të përcaktoje në Aneksin 1, pika a.2) se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën. 2. Pezullimin e zbatimit të shkronjës “dh” të Aneksit 2, si dhe pikës a.2) të Aneksit 1, për lejet e ndërtimit të dhëna përpara hyrjes në fuqi të VKM-së nr. 457/2023 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.”, thuhet në kërkesën e ndërtuesve.
Shoqata ka kërkuar shfuqizim të pjesshëm të vendimit, që sipas saj ka rritur kostot e tyre, pasi është rritur vlera e taksës së ndikimit në infrastrukturë që ata paguajnë. Por referencat e reja sipas tyre kanë rritur edhe vlerën e apartamenteve në vend.
Kryetari i Shoqatës Erjon Harizi thotë se rritja e çmimeve të referencës ka rritur çmimin e apartamenteve e për pasojë automatikisht është shtuar edhe vlera e taksës së ndikimit në Infrastrukturë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë në Tiranë është 8%, dhe përllogaritet mbi vlerën e metrit katror në momentin e shitjes. Gjithashtu sipas shoqatës vendimi jep efekte prapavepruese, që është në shkelje të sigurisë juridike dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Me vendimin e qeverisë së vitit të kaluar, çmimet e referencës për metër katror në Tiranë, u rritën, me synim afrimin e tyre me vlerat reale të tregut. Kështu në disa zonat rritja e çmimit të referencës ishte mbi 50 mijë lekë, si në rastin e zonës përreth liqenit artificial apo qendrës së Tiranës.
Shteti te fusi amortizimin per pallatet e vjetra nuk mundet qe nje pallat i 76 te ket cmim reference 1900 euro per m2 eshte cmenduri.
Përgjigju