'Ndeshja e kthimit do jetë tjetër histori', Seferi do përmbysjen për Champions-in: Tifozët do lënë pushimet për Tiranën

10 Korrik 2022, 12:37| Përditesimi: 10 Korrik 2022, 13:33

  • Share

Të martën në ‘Air Albania’ Tirana do synojë përmbysjen kundër Dudelange për të bërë një kualifikim tepër domethenës në Champions League për rritjen e klubit. Bardheblutë kampion të Shqipërisë pretendojnë se ndeshja e kthimit do ketë një histori tjetër nga humbja 1-0 e pësuar të mërkurën në Luksemburg.

“Nuk kemi patur shumë informata të sakta për ndeshjen e parë. Tani e dimë si lozin kundërshtarët dhe për rrjedhojë po e përgatisim ndeshjen ndryshe. Do ta luajmë në stadiumin tonë dhe do veprojmë ashtu siç bëjmë gjithmonë kur luajmë në ‘Air Albania’,”-u shpreh Taulant Seferi, futbollist i Tiranës.

Për këtë ndeshje historike Seferi thotë se do japë gjithçka për të ndihmuar ekipin pa menduar në aspektin personal.

“Do japim gjithçka nga vetja. Kjo ndeshje është gjithçka për gjithçka. Unë personalisht çdo herë nuk shoh aspaktin individual, por shoh grupin, pasi për mua më e rëndësishme është kualifikimi i ekipit. Dashtë zoti shënoi edhe gol që ta ndihmoj ekipin,”-deklaroi Taulant Seferi, futbollist i Tiranës.

Vera është një periudhë ku tifozët qëndrojnë larg stadiumit, por Taulant Seferi beson se ky nuk është rasti i Tiranës.

“E di së për Tiranën do vijnë dhe do ti lënë edhe pushimet. Do vijnë se na duhet përkrahja e tyre sepse kur janë ato në stadium është diçka e bukur edhe për ne në fushë. Besoj se të gjithë bashkë do shkruajmë historinë,”-tha Taulant Seferi, futbollist i Tiranës.

Për t’u kualifikuar në turin e dytë të Champions League Tirana duhet të fitojë me avantazhin e dy golave, pasi vetëm me një ndeshja do shkonte në shtesë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?