Dinamo dhe Tirana luajnë nesër (e premte) në orën 17:00 në "Niko Dovana" të Durrësit. Sfida vlen për javën e 19-të të Superligës, çka rikthen futbollin elitar për herë të parë në vitin 2024.
Përpara ndeshjes për mediet foli edhe trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj. I konfirmuar tanimë te bardheblutë, trajneri kërkon tri pikët dhe afrime në ekip.
"Si fillim dua të përshëndes të gjithë shqiptarët për një vit të mbarë për 2024-ën por edhe komunitetin e futbollit dhe ne veçanti komunitetin bardheblu dhe të jetë një vit i mbarë dhe i begatë për familjet e tyre. Gjithmonë karakteristikë e Tiranës ka qenë që duhet të përshtatet shumë shpejt me ambientet e ndryshme dhe në fusha të vështira dhe kjo duhet të jetë prezent edhe kësaj here", tha ai.
Ahmataj më pas u ndal te gjendja e ekipit, duke thënë se fundin e vitit të shkuar janë kushtëzuar nga dëmtimet.
"Tirana ka pasur organikë të plotë, por për shkak të dëmtimesh ka qenë organikë e cunguar në fund të kampionatit. Me kthimin e disa lojtarëve themi që mund të jemi plotësuar, por gjithmonë skuadra ka nevojë për përforcime gjë që ne po shohim mundësitë që janë pasi në merkaton e janarit nuk ka shumë mundësi. Momentalisht të gjithë janë stërvitur shumë mirë dhe kemi bërë një periudhë të shkurtër me ritëm të lartë dhe mendojmë që do jemi në maksimumin tonë në fillimin e ndeshjes", tha trajneri.
Sa i takon afrimeve, Ahmataj kërkon përforcime, por Tirana ende vijon të ketë merkaton e bllokuar për shkak të borxheve. Për ndeshjen ndaj Dinamos, trajneri thotë se futen në fushë për tri pikë.
"Ne duhet të jemi të përqëndruar pasi çdo ndeshje ka vështirësinë e saj, luhet për 3 pikë dhe duhet të jemi përqëndruar që ta marrim dhe të ruajmë vazhdimësinë. Ana psikologjike është një armë plus, Tirana duhet të luftojë dhe sakrifikojë për të marrë rezultatin dhe të bëjë maksimumin. Çdo skuadër ka nevojë për përmirësim, nëse ka prurje të mirë e mirëpresim", mbylli bisedën Ahmataj.