Enkeleid Dobi, trajneri i KF Teutës për mediat

Sport

Ndeshja e prapambetur me Dinamon, Dobi: Teuta luan kundër skuadrës më të mirë në Shqipëri

16 Shtator, 13:26| Përditesimi: 16 Shtator, 13:34

  • Share

DURRËS - Teuta dhe Dinamo përballen të mërkurën në orën 15:00 në "Niko Dovana", me duelin që vlen për raundin e parë të Superligës, sfidë kjo e prapambetur pasi Dinamo kishte impenjime evropiane në Conference League.

Përpara medieve këtë të martë doli trajneri i Teutës, Enkeleid Dobi, i cili vlerësoi rivalin dhe e quajti si skuadrën më të fortë në Shqipëri. Nga ana tjetër Dobi thekson se të tijtë do futen në fushë vetëm për tri pikë dhe se 'arma' e tyre shtesë janë tifozët.

"Si e keni përgatitur skuadrën për sfidën ndaj Dinamos?

Si çdo ndeshje tjetër, edhe këtë herë jemi përgatitur me seriozitet. E vetmja gjë që ka ndryshuar është fakti se kemi pasur më pak kohë në dispozicion krahasuar me një javë normale mes ndeshjeve.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje dhe cilat janë objektivat kryesorë të Teutës?

Objektivi ynë kryesor është fitorja dhe për këtë jemi përgatitur. Natyrisht, fusha është ajo që do të tregojë rezultatin, por skuadra ime, stafi dhe i gjithë klubi hyjmë në këtë përballje vetëm me mendjen te tri pikët.

Kush janë pikat më të rrezikshme të Dinamos dhe si mendoni t’i neutralizoni?

Dinamo edhe sezonin e kaluar zhvilloi një kampionat të mirë dhe ka ruajtur vazhdimësinë, si në staf ashtu edhe në organizimin e klubit. Kohët e fundit ka treguar ambicie të larta, sidomos me paraqitjet në Europë, ku dëshmoi se është një ekip solid. Sot, mund të them se është skuadra më e mirë në Shqipëri dhe meriton respektin tonë. Por ne kemi një moto: ‘Nëse do të të respektojnë të tjerët, respekto fillimisht veten’. Ne e respektojmë veten tonë dhe në fushë do të luftojmë vetëm për fitore.

A do të ketë ndryshime në formacionin ose sistemin tuaj të lojës për këtë takim?

Së bashku me stafin po e analizojmë situatën. Do të shohim gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve, pasi kjo është një pjesë shumë e rëndësishme. Ende kemi kohë deri nesër për të marrë vendimet e duhura dhe për të përcaktuar formacionin ideal.

Si është gjendja e skuadrës?

Gjendja e skuadrës paraqitet mirë, megjithëse nuk kanë kaluar ende 48 orë nga ndeshja e fundit. Kemi një zhgënjim të vogël nga rezultati i asaj sfide, jo nga loja, por tashmë e kemi lënë pas dhe fokusi ynë është te Dinamo. Nga ana fizike, mendore dhe emocionale jemi gati për të marrë një rezultat pozitiv. U bëj thirrje edhe tifozëve tanë që të na mbështesin, pasi kjo skuadër ka treguar dinjitet dhe karakter, dhe çdo ndeshje do të jetë gjithnjë e më e mirë.

Një koment për tifozët?

Tifozët janë gjithmonë të rëndësishëm, jo vetëm për Teutën, por për çdo ekip në botë. Ata janë pjesë e lojtarëve, klubit dhe qytetit. Ky ekip luan për ta. Teuta historikisht ka pasur një tifozëri të zjarrtë dhe nuk duhet ta harrojmë këtë. I ftoj “Djemtë e Detit” të jenë më pranë se kurrë, sepse ky është momenti më i duhur për të mbështetur skuadrën. Jam i bindur se do të jenë krenarë për atë që do të shohin në fushë.

Cili është mesazhi juaj për lojtarët përpara ndeshjes?

Mesazhi im është i thjeshtë, në jetë nuk duhet të lëmë asgjë për të ardhur keq, por çdo ditë duhet ta shfrytëzojmë për të dhënë maksimumin. Të punojmë fort, të stërvitemi dhe të luftojmë në fushë. Gjërat e jashtme nuk varen nga ne, por puna jonë po. Rezultatet do të vijnë, herët apo vonë, nëse secili jep gjithçka ka brenda tij", tha Dobi.

Pas dy ndeshjeve të luajtura, Teuta me dy barazime mban vendin e shtatë me dy pikë, ndërsa Dinamo me tre pikë ndodhet në pozitën e gjashtë me një humbje dhe një fitore.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?