Policia në stadiumin e Beogradit dhe banderolat kundër Kosovës

Sport

Ndeshja e radhës kundër Shqipërisë në Beograd, Serbinë e pret dënimi shembullor nga FIFA! 'Kosova është Serbi' dhe harta me ngjyrat serbe

10 Shtator, 12:49| Përditesimi: 10 Shtator, 13:01

  • Share

BEOGRAD, Serbi - Kombëtarja serbe e futbollit u mposht 0-5 nga Anglia mbrëmjen e të martës në Beograd, me duelin që vlente për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026. Më 11 tetor në Beograd luan Shqipëria, ndërsa serbët presin një dënim shembullor nga FIFA për thirrjet nacionaliste kundër Kosovës.

Përtej sfidës, ndeshja prodhoi tension dhe dhunë. Dy tifozeritë u përleshën jashtë stadiumit, ndërsa brenda impiantit "Rajko Mitic" pati edhe dhunë mes serbëve, atyre që mbështesin presidentin Vucic dhe atyre që janë kundër.

Veç tyre, nuk munguan pankartat "Kosova është Serbi", apo refreni i tyre i kënduar gjatë takimit. Gjithashtu u panë harta të shtetit të Kosovës me ngjyrat serbe dhe mbishkrime nacionaliste.

Ndeshja u luajt në një stadium pjesërisht të mbyllur si ndëshkim për thirrjet raciste në ndeshjen e mëparshme kundër Andorrës, ku 15% e kapacitetit ishte bosh. Federata e Futbollit të Serbisë publikoi një deklaratë para ndeshjes, duke i bërë thirrje tifozëve të silleshin me qytetari, duke shtuar se gjatë pesë viteve të fundit janë gjobitur me mbi 700,000 euro nga FIFA dhe UEFA për shkelje të përsëritura.

Nëse Shqipëria fitoi në Tiranë 1-0 kundër Letonisë dhe 'Air Albania' ishte me 20 përqind të kapacitetit të reduktuar për shkak se pikërisht në ndeshjen kundër Serbisë më 7 qershor u fërshëllye himni serb nga tanët, do duhet që i njëjti metër të mbahet edhe kundër serbëve.

Vetë Federata Serbe e Futbollit i kishte kërkuar tifozëve që mos bënin të tilla sjellje sepse janë në vëzhgimin e FIFA-s. Duket se arbitri francez Clement Turpin dhe delegati i kanë shënuar këto gjeste aspak sportdashëse dhe do ia referojnë Komisioneve të Disiplinës në FIFA. Me paralajmërimin që e kishin në fuqi dhe sjelljet diskriminuese kundër Kosovës, Serbia rrezikon që ndeshjen e 11 tetorit në Beograd kundër Shqipërisë ta luajë me impiant të reduktuar, për të mos thënë bosh; gjë që do ishte në favor të kuqezinjve të Sylvinhos, pasi ky duel është një finale për fatet e Grupit K kualifikues të Botërorit 2026.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?