Kronikë

Ndeshja Shqipëri-Serbi, Proda mesazh për Policinë e Shtetit: Mirënjohje për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin që treguat

8 Qershor, 11:04| Përditesimi: 8 Qershor, 11:25

  • Share

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, iu ka dërguar një mesazh falënderimi strukturave që u angazhuan në zbatimin e planit të posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi.

Përmes një mesazhi zyrtar Proda shpreh mirënjohje për të gjithë angazhimin dhe profesionalizmin që treguan efektivët, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë Bashkiake të Tiranës, Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA-s, stafit të skuadrës mike dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.

Proda gjithashtu falenderoi qytetarët dhe tifozët që respektuan udhëzimet e Policisë gjatë gjithë zhvillimit të ndeshjes.

Mesazhi i plotë:

Të nderuar kolegë,

Është e disata herë që brenda një muaji t’ju drejtohem me shumë kënaqësi dhe gjej momentin të jem falënderues për të gjithë ju që përballuat me sukses disa sfida shumë të rëndësishme, të cilat kërkonin përkushtim, angazhim, sakrificë dhe maturi.

Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për angazhimin, profesionalizmin dhe përkushtimin që treguat në përballimin me sukses të masave të sigurisë për ndeshjen e futbollit Shqipëri–Serbi, një sfidë me rëndësi të veçantë dhe ndjeshmëri të lartë.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave policore, veprimeve të koordinuara për garantimin e standardeve të sigurisë, bashkëpunimit me Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake Tiranë, FSHF-në, UEFA-n, stafin e skuadrës mike dhe agjencitë ligjzbatuese, ky aktivitet sportiv u menaxhua me profesionalizëm, duke mundësuar që të zhvillohej pa incidente që do të cenonin rendin publik apo sigurinë e pjesëmarrësve.

Puna juaj e palodhur, angazhimi i jashtëzakonshëm dhe vetëkontrolli në kushte të ngarkesës fizike dhe emocionale janë tregues i qartë i përkushtimit që Policia e Shtetit ka ndaj detyrës dhe ligjit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, pavarësisht sfidave apo ndjeshmërive të momentit.

Falënderim të veçantë për qytetarët, sportdashësit dhe tifozët, të cilët respektuan udhëzimet e Policisë deri në përfundim të aktivitetit sportiv.

Bashkëpunimi me qytetarët për përballimin e këtyre sfidave është një tjetër tregues i besimit që ndërtojmë së bashku, dhe një dëshmi e qartë e gatishmërisë sonë për të përballuar me sukses sfidat e sezonit veror.

Faleminderit!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria barazoi me Serbinë, sa shanse ka për të shkuar në Botëror?