Të shtunën e 7 qershorit kombëtarja kuqezi ka përballjen e rëndësishme të grupit për eliminatoret e Botërorit 2026 me Serbinë, rivalen direkte për vendin e dytë që i çon në play-off, pasi Anglia virtualisht shihet e pakapshme.
Report Tv dhe ‘Repolitix’ trajtoi mbrëmjen e sotme parandeshjen, masat, tifozëritë, atë që ndodhi një dekadë më parë në Beograd, formacionin e mundshëm dhe parashikimin. Shqipëria renditet e dyta në grup me tre pikë në dy ndeshje, kurse Serbia ka zero pikë dhe fitorja e kuqezinjve do u japë një distancë të favorshme.
I ftuar në lidhje skype nga moderatori Denis Minga, ishte edhe ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Altin Raklli. Ai këshilloi që ekipi dhe tifozët të fokusohen vetëm te ndeshja dhe jo te hakmarrja me motive nacionalistepër atë që ndodhi më 2014 në Beograd, sepse do i dëmtonte më shumë.
“Do doja të flisja më shumë për anën teknike dhe taktike sesa nga ajo ngjarje e shëmtuar e Beogradit. Ne patëm edhe ndeshjen e Elbasanit më pas dhe nuk ndodhi asgjë. Por uroj që të mos ndodh gjë, sepse do ndikojë te ne. Nëse kemi qëllim të hakmerremi për atë që ndodhi atje, themi për lojtarët se ata morën goditjen më të madhe e delegacioni, megjithatë unë them se hakmarrja jonë më e mirë do ishte fitorja e ndeshjes. Nëse ata marrin tre pikët, edhe nëse futen tifozët tanë në fushë apo dhunohen, ata do jenë të kënaqur me trepikëshin, se atë duan. Ndaj them që të fokusohen vetëm te loja dhe rezultati, që të jemi realist”, sugjeroi ish-sulmuesi.
Raklli theksoi se me rëndësi janë tre pikët dhe vendi i dytë si objektiv dhe asgjë tjetër që i shfokuson lojtarët dhe stafin teknik. Ai foli edhe për cilësitë teknike të kundërshtarit, i cili duket edhe i motivuar për trepikëshin.
“Ne na duhen 3 pikët dhe ato duhen marrë së bashku, tifozët në stadium dhe lojtarët në fushë. Përkrahja është e rëndësishme, ndaj them se këto janë rastet që duhen diskutuar, kur e përkrah lojtarin direkt në fushë. Kurse pjesa tjetër, në mënyrë sporadike, jo të organizuar, nuk është se e ndihmon shumë. Ne Serbinë e kemi rivalin direkt, pasi objektiv kemi vendin e dytë, për të qenë realistë, se ndryshe themi synojmë vendin e parë. Çdo gjë mund të ndodhë në futboll, mund ta mundësh një skuadër edhe në ditën e keqe, siç është Anglia. Por rivali ynë është Serbia, janë skuadër elitare, por qëndron poshtë, ka cilësi, e përgjegjshme dhe në ditë të mirë janë të karikuar, pasi edhe presidenti i tyre u ka kërkuar fitore, pra në ditë të mirë ata edhe na mundin. Kanë lojtarë mbi mesataren, me strukturë dhe që luajnë në skuadra të mira”, tha ish-sulmuesi për Report Tv.
Por cilat janë shanset e Shqipërisë dhe gjendja e lojtarëve? Si e shikon Raklli në aspektin taktik dhe teknik.
“Edhe ne kemi lojtarë të mirë, që kanë minutat e veta me skuadrat e tyre, por ka edhe nga ata që nuk i kanë minutat. Në lidhje me Asllanin them se ai u fut në finalen e Champions me Inter kur gjithçka kishte mbaruar, për më tepër që është me temperament të ftohtë dhe ajo ngjarje ka kaluar. Asllani është profesionist, kam biseduar me të pas ndehshjes dhe ai është i fokusuar”, shpjegoi ish-lojtari kuqezi.
Gazetari Andi Kapxhiu e pyeti nga studio Rakllin në lidhje me formacionin e mundshëm të teknikut Silvinjo, në repartin e sulmit.
“Silvinjo në qendër preferon lojtarë potentë si Broja dhe Daku. Mua për shembull do më fuste në të majtë ose të djathtë, duke njohur Silvinjon, pasi luaj me të dyja këmbët. Unë them se do nisi me Brojën në krah të djathtë, Manaj në qendër dhe Bajrami në krahun tjetër. Ky është mendimi im, por nëse do isha unë, do kisha dhe do bëja një formacion tjetër”, përfundoi Raklli.
Komente
