Boksieri shkodran, Nelson Hysa do ngjitet në ring më 29 korrik në orën 18:00. Përballë tij, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut do jetë boksieri më i mirë i Amerikës Latine, Marcos Antonio Aumada. Argjentinasi mban vendin e 84 në listën e boksierëve në botë, teka përballja do jetë në peshën më shumë se 92 kilogramë.
Hysa në 9 ndeshjet e zhvilluara në karrierën profesioniste nuk është përballur me një rival të këtij niveli, ndërsa synon që të tregojë forcën kundër një rivali të tillë. Aumada mban vendin e parë si më i miri në vendin e tij, teksa edhe në Amerikën Latine është një rival i respektuar, duke ardhur në përballjen me shkodranin pas tre fitoreve radhazi.
Kujtojmë se Hysa vijon stërvitjen për ndeshjen që do luhet në Tetovë. Aktualisht Hysa mban vendin e 154 në renditje dhe një paraqitje e mirë kundër Aumada do e dërgonte më lart në klasifikim.
Bilanci i Hysës në 9 ndeshje është me 9 fitore, mbi të gjitha shtatë fitore me KO. Nga ana tjetër, rivali latin ka 35 ndeshje në boksin profesionist nga të cilat 24 fitore (19 me KO) dhe 11 humbje (6 me KO).