'Ndeshjen e vendosi një arbitër inkompetent', Olsi Rama për derbin. Halili: Nuk e prisnim të fitonim kaq thellë (VIDEO)

28 Shkurt 2020, 22:58| Përditesimi: 28 Shkurt 2020, 23:06

  • Share

Tragjike ishin bilancet për Partizanin në derbin me Tiranën. Bardheblutë në Air Albania kanë fituar 5-1 një takim që përfundoi me shumë polemika dhe që nisi me tension që në rrugët e kryeqytetit. Shkak u bë përplasja mes policisë dhe tifozëve për shkak se këta të fundit nuk donin të paraqisnin kartën e identitetit. Ndërsa sfida nisi me disa minuta me vonesë për shkak të flakadanëve në fushë.

Përsa i përket rezultatit ai ishtë një histori me vete. U desh vetëm minuta e dytë për të parë golin e parë, të realizuar nga Partizani me William Cordero. Braziliani shfrenoi fantazinë me një gol fantastik. Gjithsesi minuta e 14 do të ishte episodi që vendosi takimin, pasi për shkak të një ndërhyrje në zonë arbitri Xhaja akordoi penallti për Tiranën dhe nxorrri të kuq për Bitrin. Batha nuk gaboi nga 11 metra, diçka të cilën do ta përsëristë pas pak minutash pas akordimit të penalltisë së dytë për Tiranën.

Në pjesën e dytë më pas do të shënonin autogol Idrizaj dhe ‘dopietë’ Ernest Muçi. Pas sfidës te Partizani ishin shumë të revoltuar me arbitrimin:

Refik Halili dhe Olsi Rama

Olsi Rama, drejtori i Partizanit: “Për një vendosje dore në shpatullën e Torasës, u dha një karton i kuq. Më thoni kur e keni parë? Që ta di dhe unë, se po mësoj dhe unë futboll. Në qoftë se kemi ardhur këtu që fati i ndeshjes të vendoset në mënyrë arbitrare, nga një arbitër komplet inkopetent, unë nuk di çfarë të them.”

Sormani, trajner i Partizanit: “Penalltia është faull neto, por nëse jep penallti nuk jep të kuq, nëse ka ndryshuar rregullorja këtu unë nuk e kuptoj, në ato momente ndeshja është e manipuluar. Unë nuk kam frikë nga shkarkimi, sepse punoj nga mëngjesi deri në darkë. Vazhdoj me kokën lartë. Presidenti mund të bëjë vlerësimet e veta, jam i vendosur t’i shkoj deri në fund kësaj pune.”

Egbo, trajneri i Tiranës: “Nuk e shoh se në pesë golat që kemi shënuar të ketë ndikuar arbitri. Olsi Rama ka mendimin e tij, ka parë pamjet e ndeshjes. Ju që jeni gazetarë mund ta analizoni dhe flisni vetë.”

Refik Halili, president i Tiranës: “Më thenë të drejtën nuk e prisja të fitonin me këtë rezultat të thellë. Kemi biseduar dhe vazhdojmë të ndjekim një rrugë të gjithë bashkë. Edhe lojtarët që janë në stol gëzohen kur realizojmë dhe hidhërohemi kur pësojmë. Forca jonë është grupi.”

Më ketë fitore Tirana shkëputet +9 pikë nga Partizani, duke i dhënë një goditje të fortë në luftën për titull kampion. Sakaq bardheblutë udhëheqin Superligën me 47 pikë, 5 më shumë se Kukësi që ka një ndeshje më pak.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?