Boksieri Alban Bermeta

Sport

Ndezi Londrën me nokaut, Bermeta arrin numra historik në boks: Në 2025 do të jem mes 10 më të mirëve në botë

11 Dhjetor 2024, 15:23| Përditesimi: 11 Dhjetor 2024, 15:37

  • Share

Numrat e Alban Bermetës në boks vijon të përbëjnë rekord për Shqipërinë. 33-vjeçari së fundmi arriti të triumfojë edhe në arenën e madhe të Londrës në York-Hall, duke mundur kampionin e Bullgarisë Mario Verner. Ky i fundit u detyrua të mbyllë duelin pas 4 raundeve pasi mori nokaut nga shqiptari.

“U ndjeva shumë i lumtur sepse u ndesha për herë të parë në Londër, që është ndër eventet më të mëdha në boks. U ndjeva shumë mirë sepse ishte një fitore e bukur, me nokaut. Një ndeshje e luftuar nga të dy dhe për fatin e mirë e fitova unë. Ishte shumë e bukur mes shqiptarëve sepse ata e kishin mbushur sallën,”-u shpreh boksieri Alban Bermeta

Fitorja në Londër e renditi të paktën përkohësisht të 17 në botë Alban Bermetën. Një numër i jashtëzakonshëm për një boksier shqiptar, teksa për Report TV boksieri thotë se ky rezultat ishte një shpërblim për punën e tij.

“Nuk e mendoja se do të shkoja në këtë renditje. Falë punës, mundin që kam bërë, ndjehem shumë mirë sepse po më shpërblehet ajo që kam punuar këto vite,”-tha ai.

Për Bermetën nuk ka kohë për pushim. Shumë shpejt ai do të ngjitet në ring për të ruajtur 1 nga titujt e tij.

“Titullin WBO do ta mbroj sërish më 11 janar në Londër. Shpresoj ta mbroj këtë titull dhe të luftoj për një më të mirë,”-deklaroi Bermeta.

Bermeta gjithashtu i ka të qarta planet për 2025.

“Mendoj se dua të shkoj në top-10 e botës dhe brenda 2025 të sjellë një titull akoma më të rëndësishëm në Shqipëri,”-u shpreh 33-vjeçari.

Në karrierën e tij në boksin profesionist Alban Bermeta numëron 19 ndeshje, 18 prej të cilave janë fitore. 14 të ardhura me nokaut, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim.

Ne.k./S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?