Albina Veçani ka ardhur nga Lushnja, për t’iu bashkuar nismës së bashkisë së Tiranës, për të ndihmuar popullin turk e sirian, pas tërmeteve shkatërruese me dhjetëra mijëra viktima. Së bashku me djalin, ajo dhuroi veshmbathje e gjithçka kishte mundësi...
“Mu dhimbsën shumë. Kemi sjellë rroba, shtresa, dhe çfarë kishim. Më tregoi djali me nusen. Meqë kemi rrugën për Tiranë, po i ndihmojmë. Kam ardhur nga Lushnja. Më dhimbsen shumë ata njerëz që humbën jetën. Asaj që ndodhi nuk ke çfarë i bën, fëmijët që qanin e njerëzit që ulërinin, nuk i shikojmë dot. Kush ka mundësi të ndihmoje”, tha qytetarja, Albina Veçani.
Ndihmave i janë bashkuar edhe nxënësit e një klase në shkollën Qemal Stafa.
“Së bashku me zyshën menduam që të sillnim disa rroba, ose disa ushqime, këpucë, mbathje. Për ata që kanë nevojë në Turqi. Vetëm klasa jonë e kemi organizuar. Kemi parë shumë ndodhi, dhe ngjarje shumë të rënda. Jemi informuar dhe nga mediat. Kjo ishte një nismë shumë e mirë. Pak e nga pak bëhen shumë. Bashkimi bën fuqinë.”, tha Lubjana Hysaj, nxënësja e shkollës ‘Qemal Stafa’.
Janë disa çadra, të vendosura në kryeqytet ku dorëzohen ndihma nga qytetarët. Prej të premtes tha nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, janë mbledhur me dhjetëra pako.
“Me gjithë dhimbjen që humbën kaq shumë në atë tragjedi, është një thirrje shumë inkurajuese. Jemi që nga dita e premte. Kemi mbledhur kountribute nga qytetarët. Është dita e tretë. Ajo që qytetarët japin është diçka modeste. Kemi qenë shumë të inkurajuar dhe prekur nga solidariteti i qytetarëve. Tregon qytetari dhe solidaritet. Kanë qenë shkolla, qytetarë të thjeshtë, prindër me fëmijë. Të gjithë janë përfshirë. Bahskia e Tiranës në të gjitha rastet e tilla ka pasur një kountribut. Nuk është imediat tani. Patjetër që do të ketë. E filluam nga aty që u kërkuan. Ndihmat ne i grumbullojmë. Më pas i çojmë në pikat e grumbullimit që ambasada i ka dhe më pas dërgohen në Turqi", tha Anuela Ristani.
Nismës së grumbullimeve të ndihmave, prej ditës së diel, i është bashkuar edhe bashkia e Fierit që ka vendosur në dispozicion hollin e teatrit Bylis. Ndërkohë që është kërkuar nga këshilli bashkiak edhe akordimi i një fondi prej 35 mijë eurosh për dy shtetet e prekura.