Lufta/ Zelensky flet në takimin në Ramstein: Ne kemi nevojë për armë, nuk kemi më kohë! S'ka vendim për dërgimin e tankeve Leopard 2

20 Janar 2023, 07:30| Përditesimi: 20 Janar 2023, 22:28

  • Share

Asnjë vendim për tanket e Gjermanisë drejt Ukrainës nuk u mor në takimin e Ministrave të Mbrojtjes nga 50 vende të botës në Ramstein. 15 vendet që kanë Leopardët e prodhimit gjerman diskutuan këtë çështje, por nuk ranë dakord për dërgimin e tyre, tha ministri polak i Mbrojtjes.

Megjithëse debati i tankeve nuk mori zgjidhje, ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë, Pistorius, sugjeroi se çështja po shkonte përpara. Në hapje të takimit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u kërkoi të pranishmëve që të "gërmojnë më thellë" në stoqet e tyre të armatimit dhe të furnizojnë Ukrainën.

Presidenti Zelenskyy në  një videokonference dhe u bëri thirrje vendeve të mos vonohen, "terrori nuk lejon diskutim”.

“Faleminderit për gjithçka keni bërë, por nuk kemi shumë kohë! Duhen bërë gjërat më shpejt, na duhen më shumë armë. Qindra faleminderit nuk përkthehen në qindra tanke. Secili prej nesh mund të përdorë mijëra fjalë për bisedime, por nuk do t’i vë fjalët përpara armëve që na duhen kundër  artilerisë ruse apo sistemeve anti-raketë që na duhen më së shumti për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse”, tha Zelensky.

Ndërkohë, palët ranë dakord mbi vendime të tjera për të ndihmuar Ukrainën me armatim dhe ndihma humanitare. Finlanda njoftoi një donacion të ri prej më shumë se 400 milionë eurosh, amerikanët do të dërgojnë paketën e tyre të radhës prej 2.5 miliard dollarësh, ndërsa kabineti holandez do të konsiderojë furnizimin me avionë luftarakë F-16.

Në takim ndodhej edhe ministri ynë i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Shqipëria do të përgatisë paketën e radhës në koordinim dhe bashkëpunim me aleatët”, njoftoi mbrojtja shqiptare.

Më herët, drejtori i CIA-s, William Burns, u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të diskutuar dyshimet për sulmet të reja ruse në javët në vijim.

Çfarë është tanku Leopard 2?
I konsideruar si një tank kryesor beteje në të njëjtën mënyrë si Challenger 2 dhe i prezantuar për herë të parë në vitin 1979, ai ofron mbrojtje të mirë kundër armëve të blinduara dhe armëve të drejtuara kundër tankeve.

Është raportuar se Leopard 2 është vlerësuar të jetë në gjendje të depërtojë në armaturën ballore të tankut T-72 të prodhimit sovjetik nga 2,000 metra larg dhe atë të T-62 nga më shumë se 4,000 metra. Të dyja këto janë në përdorim nga ushtria ruse në Ukrainë.

Ora 22:26
Gjermania mohon bllokimin e dërgimit të tankeve Leopard në Ukrainë

Ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mohoi të premten se Berlini po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë, por tha se qeveria ishte e gatshme të lëvizte shpejt për këtë çështje nëse do të kishte konsensus midis aleatëve. Duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Pistorius tha se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.

"Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes", tha ai pa dhënë më shumë detaje për arsyet.

Presioni mbi Berlinin është rritur për të siguruar tanke për Kievin, të cilat Ukraina i sheh si kyçe në luftën kundër Rusisë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më herët u kërkoi aleatëve të gërmojnë më thellë për të mbështetur Ukrainën. Udhëheqësit e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes nga rreth 50 vende po zhvillojnë takim në bazën ajrore Ramstein të Gjermanisë, për të folur për ndihëm dhe premtimin e armëve që kur Rusia pushtoi Ukrainën gati 11 muaj më parë.

Ky takim ka ka rezultuar në një konsensus të gjerë se më shumë ndihmë ushtarake duhet t'i dërgohet Ukrainës - dhe ajo po dërgohet. Por, ende nuk ka një vendim për një pjesë të pajisjes që Ukraina kërkon urgjentisht: tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman. Gjermania është bërë një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të Ukrainës në përgjigje të pushtimit të Rusisë, por ajo ende nuk ka rënë dakord të dërgojë tanke ose të lejojë vendet e tjera të dërgojnë tanket e tyre të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t'i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim. Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë. Mirëpo, Pistorius ka thënë se nuk është në dijeni të kushteve të tilla./REL

Ora 22:20
Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Paketa e ndihmës përfshin tanke, por jo si ato që ka kërkuar Ukraina

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha më 20 janar tha se SHBA-ja dhe aleatët e tjerë kanë mbledhur një paketë të re armësh për Ukrainën, që ata besojnë se është e mjaftueshme për sukses. Austin tha në një konferencë për media në bazën ajrore amerikane, Ramstein, në Gjermani se paketa përfshin tanke, por jo tanket luftarake të prodhimit gjerman Leopard, që ka kërkuar Ukraina, ose tanket e amerikane, Abrams.

Kievi thotë se i duhen tanket Leopard të prodhimit gjerman për të zmbrapsur trupat ruse, por Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim i aleatëve për të dorëzuar tanket do të ishte një përshkallëzim "jashtëzakonisht i rrezikshëm" i situatës. Rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t'i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.

Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë. Paketa që Austin dhe gjenerali amerikan, Mark Milley, përshkruan pas takimit të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës përfshin një sërë obusësh, automjete të blinduara dhe municione. Ai tha se paketa përfshin gjithashtu "kapacitetin e tankeve" të ofruar nga Polonia.

"Kjo është një paketë shumë, shumë e madhe", tha Austin. "Nëse vendoset siç duhet, do të mundësojë që [forcat ukrainase] të jenë të suksesshme".

Trupat ukrainase po trajnohen me pajisje që tashmë u janë dërguar nga aletët.

"Ne jemi vërtet të përqendruar në sigurimin që Ukraina ka potencialin që i nevojitet për të pasur sukses. Ne kemi një dritare mundësish këtu, nga tani deri në pranverë... sa herë që ata fillojnë operacionin e tyre, kundërsulmimin e tyre", u tha Austin gazetarëve.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar. Aleatët perëndimorë kanë ofruar po ashtu armë në vlerë të miliarda dollarëve për Ukrainën./REL

Ora 22:09
Stoltenberg: Furnizimi i Ukrainës edhe një nevojë emergjente

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se furnizimi i Ukrainës me armë është një nevojë emergjente. Në një intervistë për Tg1, nga Gjermania ku mori pjesë në samitin e Ramstein, Stoltenberg u bëri thirrje të gjitha vendeve aleate të NATO-s që të bëjnë më shumë Ukrainën.  

"Ajo që mund të arrijë Ukraina nga negociatat e ardhshme varet nga fuqia e saj në terren. Ne duhet t'i ofrojmë asaj mbështetje ushtarake tani, sepse kjo është mënyra e vetme për të bindur Putinin se nuk do të mbizotërojë në fushën e betejës dhe për t'u angazhuar në negociata të sinqerta”.

Ora 22:04
Zelensky pret në Kiev delegacionin e senatorëve amerikanë

1673623772_Screenshot3.jpg

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, priti në Kiev senatorët amerikanë Lindsey Graham, Richard Blumenthal dhe Sheldon Whitehouse. Zelensky përsëriti vlerësimin e tij për mbështetjen që SHBA po jep për popullin e Ukrainës.

Ora 20:27
Ministri polak: Aleatët mund ta formojnë një koalicion për t’i dërguar tanke Ukrainës

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, është "i bindur" se aleatët e Ukrainës mund ta formojnë një koalicion për t’i ofruar tanke Leopard Kievit. Duke folur me gazetarët në margjinat e një takimi të udhëhequr nga SHBA-ja në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, ai tha se ministrat e mbrojtjes nga 15 vende ishin mbledhur për ta diskutuar këtë çështje.

Kievi thotë se i duhen tanket Leopard të prodhimit gjerman për të zmbrapsur trupat ruse, por Kremlini ka paralajmëruar se çdo vendim i aleatëve për të dorëzuar tanket do të ishte një përshkallëzim "jashtëzakonisht i rrezikshëm" i situatës.

Sipas rregulloreve aktuale, Gjermania duhet të sanksionojë çdo rieksportim të tankeve të saj nga vendet e tjera, si Polonia. Pra, rieksporti i Leopardëve kërkon miratimin e Qeverisë gjermane, kështu që edhe vendet e tjera që i kanë këto tanke nuk mund t'i dërgojnë ato në Ukrainë pa këtë aprovim.

Gjermania ende nuk ka marrë ndonjë vendim, por mohon bllokimin e njëanshëm të eksportit të tankeve. Përshtypja se "ka një koalicion të bashkuar dhe se Gjermania po qëndron në rrugë është e gabuar", tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius. Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë./REL

Ora 17:45
Sekretari amerikan i Mbrojtjes pas takimit në Ramstein: Perëndimi është krah Ukrainës, sistemet e reja të mbrojtjes ajrore do të shpëtojnë jetë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka mbajtur një konferencë për shtyp pas përfundimit të takimit për Ukrainën në Ramstein në Gjermani. Austin tha se të gjithë aleatët janë zotuar të qëndrojnë në krah të Ukrainës. Austin u shpreh se takimet me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Yevhen Moisiuk u fokusuan në "mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së konfirmoi edhe një herë paketën më të fundit të mbështetjes së Amerikës prej 2.5 miliardë dollarë për Kievin. Ndërkohë pritet që edhe BE të miratojë një paketë të re për Ukrainën.

“Rusia vazhdon sulmin e saj, por Ukraina dhe qëndron sfiduese dhe e fortë”, tha ai.

Lloyd Austin tha se do sistemet e reja të mbrojtjes ajrore që do të dërgojnë në Ukrainë do të shpëtojnë jetë.

Ai theksoi se donacionet për pajisjeve ushtarake janë bërë nga vende të ndryshme duke përfshirë Danimarkën, Letoninë, Estoninë.

“Këto angazhime të reja të rëndësishme tregojnë vendosmërinë tonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet.

“Ka të bëjë edhe me sigurinë evropiane dhe globale”.

Gjenerali amerikan Mark A. Milley i cili e nis fjalimin e tij duke thënë se përpjekjet e sotme për më shumë pajisje ushtarake për Ukrainën janë bërë pas bashkëpunimit të 54 vendeve.

"Kjo është NATO më e unifikuar që kam parë ndonjëherë," thotë ai.

"Me fjalët e Presidentit Biden aq sa duhet, për aq kohë sa duhet për të mbajtur Ukrainën të lirë dhe sovrane."

Ora 17:32
Përfundon takimi në Ramstein për Ukrainën, asnjë vendim nuk është marrë për dërgimin e tankeve Leopard

Asnjë vendim për furnizimin me tanke Leopard 2 në Ukrainë nuk është marrë në takim në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani.

Ministri i mbrojtjes i Polonisë tha se ai mbeti optimist se përpjekjet për t'i siguruar ato do të përfundonin me sukses.

“Ministrat e Mbrojtjes të 15 vendeve u takuan në margjinat e konferencës së sotme dhe ne biseduam për këtë temë”, tha Mariusz Blaszczak.

“Jam i bindur se ndërtimi i koalicionit do të përfundojë me sukses”.

Ora 17:19
Erdogan në telefon me Zelensky: Turqia e gatshme të kontribuojë për një paqe të qëndrueshme

Ditën e sotme presidenti Erdogan ka pasur një bisedë telfonike me presidentin ukrainas për të diskutuar për luftën në Ukrainë. Biseda mes dy presidenteve trajton në thelb synimin e Turqisë për të kontribuuar për shtetin ukrainas.

Turqia është e gatshme të japë një kontribut të fuqishëm diplomatik për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë. 

Erdogan gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për Zelensky për vdekjen e ministrit të Brendshëm Denis Monastyrskyi dhe 13 personave të tjerë në rrëzimin e helikopterit të mërkurën, raporton Anadolu News Agency.

Ora 17:15
Zelensky flet në takimin në Ramstein: Ne kemi nevojë për armë, nuk kemi më kohë

1674122671_dsfdfd.JPG

Presidenti ukrainas Zelensky foli në takimin në Ramstein. Zelensky tha në fjalën e tij përmes skype se kanë nevojë për më shumë armë.

"Faleminderit për gjithçka që keni bërë, por ne kemi shumë pak kohë, duhet të bëjmë gjithçka më shpejt, kemi nevojë për më shumë armë”, tha Zelensky.

Ora 16:36
Holanda mund të dërgojë aeroplanë F-16 në Ukrainë

Holanda mund të dërgojë aeroplanë luftarakë F-16 në Ukrainë nëse Kievi e kërkon këtë. Mediat holandeze raportojnë për një marrëveshje dhe mbështetje midis vendeve.

Gjatë një debati parlamentar të enjten, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës , Wopke Hoekstra tha se kabineti qeveritar do ta shikonte një kërkesë të tillë me një “mendje të hapur” në mënyrë  që të bashkëpunojë me Ukrainën. 

"Holanda, një anëtare e NATO-s, është gjithashtu e gatshme të dhurojë para për blerjen e tankeve Leopard 2 që vendet e tjera do t’i dërgojnë në Ukrainë', tha ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren.

 

Ora 15:57
Kiev: Bomba ruse në Kherson, plagoset 15-vjeçari

Pushtime të reja kanë ndodhur sërish në Ukrainë, kësaj herë në rajonin Kherson. Shumë fëmijë kanë vdekur që nga fillimi i luftës në Ukrainë e deri ditët e sotme, por gjithashtu dhe shumë të tjerë janë plagosur ku së fundmi shënohet rasti i një 15-vjeçari. Rusia ka goditur dy vende të tjera ditën e sotme.

Një 15-vjeçar u plagos gjatë një sulmi me artileri në fshatin Antonovka.

Ndërsa granatimet e fshatit Nova Dmytrivka, rrethi Oleksandrivsk, rezultuan me plagosjen e një personi, të cilit i është prerë këmba.

Ky njoftim ka ardhur përmes Telegram nga nënkryetari i Byrosë së Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko.

Ora 14:52
Lufta në Ukrainë/ Polonia pretendon të dërgojë tanke gjermane pa autorizim, ende asnjë marrëveshje përfundimtare

Polonia pretendon të dërgojë tanke Leopard pa autorizimin e Gjermanisë por nuk është arritur ende një marrëveshje.

Ata shtuan se nuk kanë informacion për një kërkesë zyrtare.

Gjermania zotëron licencën e eksportit për tankun kryesor të betejës Leopard, kështu që zyrtarisht  autorizonte vendet e tjera që i dërgojnë ato jashtë vendit.

Komentet e zëdhënësit pasojnë kryeministrin e Polonisë duke thënë se vendi i tij mund të dërgojë tanket,  pavarësisht nëse merr apo jo lejen gjermane.

Ora 14:43
Kievi: Arrestohen 7 'tradhtarë' për përfshirje në sulmin në Dnipro

Ukraina tha se arrestoi shtatë "tradhtarë" të dyshuar se u dhanë forcave të Moskës koordinatat për të kryer sulme në Dnipro , ku të paktën 46 civilë u vranë në një sulm me raketa në një ndërtesë apartamentesh.

"Të arrestuarit u dhanë rusëve koordinatat e infrastrukturës kritike," tha shërbimet ukrainase të sigurisë në një deklaratë, raporton Ukrainska Pravda, duke shtuar se informacionet në lidhje me përfshirjen e mundshme të të arrestuarve në sulmin me raketa ruse në një ndërtesë banimi në Dnipro më 14 janar 2023 janë aktualisht në shqyrtim."

Ora 14:25
Borrell: Rusia humbje të paimagjinueshme në Ukrainë


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell, në një fjalim të mbajtur në Madrid të Spanjës, ku mori çmimin "Nueva Economia" tha se Rusia ka pësuar humbje të pa imagjinueshme gjatë luftës dhe nëse do ta dinte këtë gjë, ajo nuk do ta kishte nisur konfliktin e armatosur.

"Humbjet ruse në luftën në Ukrainë janë të paimagjinueshme, të paimagjinueshme. Nëse Vladimir Putin do ta dinte se kjo do të ndodhte, ai do të kishte menduar dy herë dhe definitivisht nuk do ta kishte nisur këtë luftë. Për sa i përket jetëve njerëzore, satelitët nuk na thonë, por ne e dimë se ka shumë. Nuk guxoj të jap një shifër, por ato janë me dhjetëra mijëra"-tha Borrell.

Ora 13:54
Kremlini: Konflikti po përshkallëzohet! Perëndimi ka iluzionin se Kievi mund të fitojë

Konflikti po përshkallëzohet në Ukrainë, kështu tha vetë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov para gazetarëve.

"Ne shohim se (lufta) po zhvillohet me të vërtetë në një spirale lart. Ka një përfshirje indirekte dhe ndonjëherë direkte të vendeve të NATO-s në rritje. Dëgjojmë deklarata që tregojnë mbizotërimin absolut të vullnetit politik për të rritur këtë përfshirje.Perëndimi është i mashtruar nëse mendon se Kievi mund të fitojë," , tha Peskov.

Ora 12:50
OKB, karvani i parë me ndihmave humanitare mbërriti në Soledar

OKB-ja ka njoftuar se kolona e saj e parë e ndihmave humanitare ka mbërritur pranë Soledar, një nga vendet më të diskutueshme të Ukrainës në konfliktin me Rusinë. 

"Kolona me tre kamionë, që transportonte ujë, ushqim dhe nevoja themelore për rreth 800 persona, është duke u shkarkuar", tha Jens Laerke, një zëdhënës i Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në një konferencë shtypi OKB në Gjenevë.

Ora 11:02
Shefi i CIA-s amerikane viziton Kievin, takohet me Zelenskyn

Kreu i CIA-s udhëtoi fshehurazi në Ukrainë për një takim top-sekret me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky për të shkëmbyer informacione mbi planet e ushtrisë ruse. William Burns u takua me presidentin ukrainas në Kiev ku folën për manovrat e ardhshme të Rusisë në fazën tjetër të luftës, thanë burimet për Washington Post.

Kjo erdhi pasi SHBA njoftoi një paketë të re ushtarake prej 2.5 miliardë dollarësh, duke përfshirë qindra automjete të blinduara dhe mbështetje për mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Donacionet erdhën në prag të bisedimeve të vështira të sotme në Ramstein të Gjermanisë ku do të takohen ministrat e mbrojtjes të NATO-s për të diskutuar furnizimet e ardhshme të armëve në Ukrainë.

Gjermania ka treguar se nuk do të dërgojë tanket e veta Leopard në Ukrainë nëse SHBA nuk dërgon Abrams. Tanket Abrams nuk u përfshinë në njoftimin e të enjtes në SHBA. Mbrëmë Zelensky tha se ai priste "vendime të forta" nga udhëheqësit e mbrojtjes të NATO-s dhe vendeve të tjera.

Ora 10:24
Ministri i Jashtëm italian intervistë me homologun ukrainas: Do mbrojmë lirinë e Ukrainës!

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, njoftoi se sot do të ketë një takim me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba për nismat e nevojshme për të mbështetur Ukrainën.

“Kryeministri do të shkojë së shpejti në Ukrainë, sot do të jem unë që do diskutoj  për të rënë dakord për të gjitha iniciativat e nevojshme për të mbrojtur lirinë e atij vendi”, tha Tajani për mediat italiane. 

Tajani shtoi se Italia ka punuar gjithmonë për një zgjidhje diplomatike, por edhe për një paqe të drejtë.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • gregu: 20/01/2023 14:54

    haaaaaaaaaaaaaaa, ky budallai para ca kohesh tha qe europa esht nje xhardino edhe te gjithe duan ta vjedhin, duke harruar qe europa u be xhardino duke vjedhur afriken dhe ameriken latine per 500 vjet, ah ne cfar idjotesh ka rene europa, ja pse putin ben gallate me perendimin.

    Përgjigju
  • Turi: 20/01/2023 14:33

    Na keni lodhur me keto bla bla propagande dhe mashtrime , sipas jush i bie qe Ukraina do kishte pushtuar gjithe Rusine por e verteta eshte se Ruset i kane vene para dhe me sa duket ajo pune ka mar fund

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?