10 mijë punonjës dhe ish punonjës të transportit publik qytetas, ndërqytetës dhe të shërbimit taksi, do të marrin 10 mijë lekë ndihmë në prag të festave. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i transportit Rrugor Blendi Gonxhja nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook, ku shprehet se ky është një akt solidariteti në prag të festave të fundvitit.
Sipas Gonxhes duke qenë se transporti është ndër sektorët më të goditur nga pandemia qeveria ka vendosur të japë 10 mijë lekë shpërblim për vitin e ri për këta qytetar. Vlera prej 100 milionë lekësh që do të jepet për këtë kategori, është siguruar nga fondet e DPSHTRR të realizuara në 2019.
“DPSHTRR vuri në dispozicion të Qeverisë Shqiptare fondin vjetor të bonusit nga realizimi i bilancit të 2019-ës si ent, duke e hequr nga vetja për tua shpërndarë 10,000 individëve për Vitin e Ri! Akti i tretë sivjet nga DPSHTRR. U miratua sot VKM për Ndihmën Solidare në vlerën 10,000 Lekë për secilin nga 10,000 të punësuarit dhe ish-të punësuarit në vitin 2020 në subjektet e transportit publik, qytetas, ndërqytetës dhe shërbim taksi, që do kalojë direkt në numrat e llogarive bankare sipas listës dhe brenda Dhjetorit 202”, shkruan Gonxhe në facebook.
Kjo ndihmë do të kalojë në llogaritë e tyre bankare sipas listës brenda këtij muaji. Po ashtu Gonxhe ka njoftuar edhe një pagë tjetër lufte për 420 punonjës që nuk e përfituan në qershor financuar nga DPSHTRR.
“U miratua gjithashtu edhe shtesa për 420 Paga Lufte (26,000 Lekë) për punonjësit dhe ish-punonjësit në subjektet e transportit publik, qytetas dhe ndërqytetës të cilët nuk mundën ta përfitonin te Paketa e Qershorit (financuar po nga DPSHTRR)!”, vijon postimi i tij.
Punonjësit dhe ish punonjësit e këtij sektori zhvilluan një sërë protestash në muajit qershor-korrik duke kërkuar edhe një pagë tjetër lufte, pasi kishin përfituar vetëm bonusin prej 40 mijë lekësh. Pas shumë protestash qeveria vendosi t'u japë edhe një pagë të dytë prej 26 mijë lekësh mes të muajit gusht.