Një tjetër arrestim është kryer nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë për tentativë të dhënies ndihmë të emigrantëve të paligjshëm. U arrestua një 24-vjeçar maroken, i cili u kap në fshatin Qytezë të Devollit duke shoqëruar dy shtetas të tjerë marokenë.
Dyshohet se marokeni, në bashkëpunim me të tjerë, ndihmonte emigrantë nga vendet e treta kundrejt pagesës, për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë dhe më pas për t’u larguar drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet Malit të Zi.
Tentativat për të ndihmuar emigrantët e paligjshëm nga vetë shtetas emigrantë vijojnë të jenë prezente në juglindje. Nga ana tjetër, vijojnë kontrollet e policisë kufitare në të gjitha pikat e kalimit për konstatimin e këtyre rasteve.
Njoftimi i policisë:
Organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt pagesës – vihet në pranga 24-vjeçari maroken.
24-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Qytezë, Devoll, duke shoqëruar dy shtetas të tjerë marokenë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pagesa”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi maroken:
O. Ch., 24 vjeç, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë marokenë, ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës, për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë dhe më pas për t’u larguar drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet Malit të Zi.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Komente
