Ndihmuan bosin e kartelit të kokainës Dritan Gjika, Ekuadori arreston sekretarin e Gjykatës dhe avokatin, në kërkim gjyqtari! Shqiptari, lidhje dhe me ish-presidentin

19 Gusht, 11:17| Përditesimi: 19 Gusht, 16:26

  • Share

Autoritetet në Ekuador njoftuan se kanë arrestuar dy zyrtarë të drejtësisë vendase, pasi dyshohen si të implikuar në organizatën kriminale të Dritan Gjikës, shqiptarit të arrestuar kohë më parë (6 Shkurt 2024), në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “La Pampa”, ose “Gram Fenix”.

Të ndaluarit janë identifikuar si Douglas C., sekretar gjykate dhe Luis S., avokat, teksa sipas mediave, ata u arrestuan natën e 17 gushtit 2024, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Shtetit, në Ekuador.

Hetimet fillestare kanë nisur nga Europa e veçanërisht Spanja, teksa verifikimet zbuluan se përveç gjyqtarit të dosjes që gjithashtu është shpallur në kërkim, të implikuar në favorizimin e kartelit janë edhe dy të ndaluarit më sipër.

“Ata janë zyrtarë të drejtësisë dhe dyshohet se kanë marrë pjesë në dhënien e urdhrave në favor të anëtarëve të mafies shqiptare. Ndërhyrja u krye në kantonin e Valencias, Los Ríos, ku banojnë të dy të përfshirët”, njoftuan autoritetet policore.

Teksa më tej sqarojnë se “ata kanë dhënë në mënyrë të parregullt, masa sigurie në favor të tre të pandehurve që dyshohet se janë pjesë e mafies shqiptare”. Gjithashtu detajohet sipas dosjes hetimore, se “këta shtetas, të cilët ndodheshin në paraburgim për krim të organizuar dhe pastrim parash, dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti kriminal të drejtuar nga Dritan G. (Dritan Gjika)”, bazuar edhe te njoftimi i Prokurorisë.

Gjithashtu, Prokuroria kërkoi mbështetje nga Policia për të gjetur gjyqtarin Lenin G., nga e njëjta Njësi Gjyqësore, i cili ka urdhëruar lirimin e të pandehurve dhe për të cilin është në pritje një urdhër arresti. Gjyqtari, sipas raportimeve është larguar dhe po kërkohet. Karteli u godit teksa po trafikonte një ngarkesë me 2 tonë kokainë të fshehur në banane drejt Spanjës, më 6 shkurt të këtij viti.

Moment nga operacioni i arrestimit të sekretarit të Gjykatës

Dy të arrestuarit, sekretari i Gjykatës dhe avokati, në kërkim gjyqtari që i liroi

Douglas C., është sekretar i Njësisë Gjyqësore të kantonit të Valencias, në Los Ríos, kurse Luis S., është avokat i grupit kriminal, raporton media ekuadoriane “Motimundo”.

“Të përfshirët kanë dhënë në mënyrë të parregullt masa paraprake në favor të tre anëtarëve të mafies shqiptare, të drejtuar nga Dritan Gjika”, theksohet më tej.

Gjithashtu, Ministria Publike kërkoi bashkëpunimin e Policisë së Ekuadorit për vendndodhjen dhe kapjen e gjyqtarit Lenin G., i cili u dha lirinë të pandehurve. Një urdhër arresti rëndon mbi magjistratin, ndërsa ai mbetet i arratisur nga drejtësia.

Historia/ Goditja e kartelit të Dritan Gjikës, arrestimi dhe lidhjet

Dritan Gjika, 48 vjeç, me origjinë nga Shkodra, akuzohet për drejtimin e  një rrjeti kriminal që trafikonte drogë midis Ekuadorit dhe Evropës. Dritan Gjika u arrestua pas një megaoperacioni të zhvilluar në Ekuador dhe Spanjë kryesisht, si dhe në 57 vende të tjera, për të goditur një grup kriminal shqiptar të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Dritan Gjika, i cili u vendos në Ekuador në 2009-n, ishte në mesin e 18 anëtarëve të kartelit që u arrestuan në vendin e Amerikës së Jugut dhe cilësohet si kreu i saj.

Dritan Gjika dhe pamje nga operacioni

U deshën dy vite hetime që organizata të çmontohej, teksa rezulton se ndihmohej edhe nga autoritete shtetërore të infiltruara. Prokuroria njoftoi se karteli synonte të importonte të paktën 3.2 ton në portet e Spanjës, të fshehur mes bananeve, duke përfituar nga pozicioni i Ekuadorit si eksportuesi numër një në botë i frutave.

Lidhja e Dritan Gjikës me familjen e ish-presidentit

Gjika kishte lidhje të dyshimta biznesi me Ruben Cherres, shoku i kunatit të ish-presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso, i cili u largua nga kjo detyrë pas akuzave për korrupsion. Trupi i Ruben Cherres u gjet me shenja torture në Santa Elena, në brigjet ekuadoriane. Ai ishte po ashtu dëshmitar kyç, i gatshëm për të folur për një rrjet biznesesh të dyshuara se përdoreshin për të fshehur paratë e drogës, disa prej të cilave dyshohet se shkonin deri lart, në zyrën e Lasso.

Cherres dhe Gjika rezulton se themeluan 13 kompani, shumica prej tyre ndërtimi dhe pasurish të paluajtshme, 8 prej të cilave u krijuan në një ditë të vetme. Këto firma janë vëzhguar nga Mbikëqyrja e Kompanive për mosrespektim të rregulloreve kundër pastrimit të parave. Asnjë nuk kompanitë nuk ka paguar taksa. Kompanitë kanë gamë të gjerë, si; prodhimi i mishit, turizmi, promovimi i shfaqjeve dhe të tjera.

Ndryshe nga Cherres dhe ato 13 kompani, Gjika bën pagesa rekord taksash. Viti i tij më i madh i bumit ishte 2021, kur pagoi 15,342,62 dollarë dhe dërgoi 3,729,38 dollarë jashtë vendit. Por një vit më vonë, financat e tij ranë: ai deklaroi 0 dollarë fitim. Pavarësisht se nuk pagoi taksa në vitin 2022, ai dërgoi 1,805,10 dollarë jashtë vendit.

“Shqiptari është një biznesmen privat: ka nxjerrë jashtë vendit më shumë para se sa ka deklaruar. Në vitin 2020, ai pagoi 503 dollarë taksa dhe mori 1,367,80 dollarë. Në vitin 2018, ai deklaroi 0 dollarë dhe dërgoi 237,25 dollarë”, shkruante media ekuadoriane pas operacionit.

Gjika ka një kartë identiteti ekuadoriane që nga viti 2013, e regjistruar në Guayaquil, ku dhe banon. Por para se të interesohej për themelimin e kompanive të ndërtimit, Gjika u fokusua tek eksportuesit e bananeve. Në vitin 2014 Gjika filloi aktivitetin e tij të biznesit. Një nga aktivitetet e tij të para në Ekuador ishte blerja e aksioneve në "Cresmark", një eksportues i të gjitha llojeve të produkteve bujqësore, por i fokusuar tek bananet. Në atë firmë, aksioner ishte edhe shqiptari Erjon Spahiu, i cili ia shiti Gjikës aksionet e tij në kompani më 28 janar 2022.

Kompanitë që posedonte Gjika

Vazhdimi përfundoi në çështjen “León de Troya”, e cila përfshin Danilo Carrera, kunatin e ish-presidentit Lasso, i cili dyshohet se menaxhonte poste publike. Kurse tashmë edhe zyrtarë të drejtësisë, ku dy janë arrestuar dhe një gjyqtar u shpall në kërkim.

Nga Shkodra, në ‘bosin’ e narkosit në Ekuador

Dritan Gjika rezulton se nuk ka skedë kriminale të mëparshme apo procedentë. Por pavarësisht kësaj, u zbulua se drejtonte kartelin shqipfolës nga Ekuadori, ndërsa kishin edhe laboratorë dhe baza në Kolumbi apo Europë.

Grupi përdorte 6 kompani në Ekuador dhe 4 në Spanjë për të fshehur drogën, mes ngarkesave me banane. Droga mbërrinte nga Kolumbia në Ekuador, ku kontaminoi kontejnerët e bananeve për t’u dërguar në Belgjikë, Holandë, Turqi dhe Shqipëri. Kjo organizatë përdorte persona fizikë dhe juridikë për blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme dhe pastrimin e parave, nga trafiku i drogës.

Operacioni po ashtu bëri që autoritetet në Spanjë të sekuestronin përgjatë vitit 2024 një numër vilash luksoze dhe pronash me vlerë 13 milionë Euro. Pronat luksoze që gjenden nëpër Marabella dhe Costa de Sol, prej kohësh kanë qenë mënyra kryesore për të pastruar paratë që burojnë nga droga. Zona më e preferuar për hyrjen e mallit ishte porti i Malaga në Spanjë. 

Besohet se shuma e pastruar nga karteli vitet e fundit shkonte në 32 mln euro, e investuar kryesisht në pasuri të paluajtshme, por edhe në posedim biznesesh të njohura në Europë e më gjerë.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?