Andrej Plenkovic

Bota

Ndikimi rus në Ballkan, kryeministri kroat: Duhet më shumë vëmendje ndaj rajonit, mbështetje ndaj forcave politike të përkushtuara në rrugën evropiane

6 Prill, 08:56| Përditesimi: 6 Prill, 09:05

  • Share

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka shprehur mbështetjen për integrimin e vendeve të Evropës Juglindore në BE, përfshirë edhe Ukrainën. Në një intervistë për France24, ai theksoi se Ballkani Perëndimor duhet të jetë prioritet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, për shkak të situatës së ndërlikuar politike në rajon.

“Vendet e Evropës Juglindore janë në vijën e parë për t’u futur në BE. Ne i mbështesim të gjitha, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, ku kroatët përfaqësojnë një pjesë të popullsisë bashkë me serbët dhe boshnjakët. Të gjithë fqinjët tanë, miqtë tanë, duhet të plotësojnë kriteret e anëtarësimit”, theksoi ai.

Kryeministri kroat përmendi në mënyrë të veçantë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke vlerësuar se këto vende kanë shprehur gatishmëri për të përshpejtuar integrimin e tyre evropian. Megjithatë, ai paralajmëroi për tensionet në rritje dhe ndikimin e jashtëm, veçanërisht atë rus, që sipas tij, mund të destabilizojnë përpjekjet drejt BE-së.

“Ekziston një situatë politike që kërkon vëmendje. Evropa duhet të mbështesë forcat politike që garantojnë stabilitet dhe janë të përkushtuara ndaj rrugës evropiane,” tha Plenkoviç, duke bërë thirrje që BE të veprojë në mënyrë të kujdesshme dhe të vendosur.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur vende të rajonit po përballen me protesta të brendshme dhe sfida të mëdha gjeopolitike, çka e bën integrimin evropian jo vetëm një proces teknik, por edhe strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?