Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pranoi sot kërkesën e SPAK për dërgimin për gjykim të dosjes në ngarkim të Arjan Cengut, Bari Iseberi dhe Musli Lleshaj, të akuzuar për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në vitin 2021 kur Arjan Cengu ishte shofer pranë Prokurorisë së Kukësit akuzohet se ka ndërhyrë për lehtësimin e masës së sigurisë, ndaj Fatri Iseberi, i arrestuar për kundërshtim të punonjësve të policisë. Ndërkohë në momentin e arrestimit 26 shtator 2023 Arjan Cengu punonte si avokat.
Së bashku me aktet e këtij procedimi penal dërgohet dhe kërkesa e të pandehurve për aplikimin e gjykimit të posaçëm, atë të shkurtuar. Vendimi u mor sot në seancë paraprake nga gjyqtarja Etleva Deda.
Fashikulli i gjykimit përmban të gjitha aktet e kryera gjatë hetimit paraprak të procedimit penale nr. 272/1 të vitit 2021 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të paraqitura nga prokurori në Gjykatë, duke përfshirë dhe deklarimet e marra në atë fazë, si dhe ato marra në seancë paraprake.
Pas lirimit nga burgu, Fatri Iseberi ka arritur të punësohet në Policinë e Shtetit, por në vitin 2022, përfundoi sërish në pranga. Ai rezultoi nga përgjimet, si i implikuar në aferën e kalimeve të paligjshme në pikën kufitare të Morinës mes Shqipërisë dhe Kosovës.