Në Tiranë ndihet kudo atmosfera e festave të fundvitit. Pasi u ndezën dritat e pemës së Vitit të Ri te Pazari i Ri, më pas te Kalaja e Tiranës dhe në sheshin "Skënderbej", tani është radha e Parkut të Liqenit të vishet me ngjyrat e festave.
Nën ritmet e muzikës dhe këngëve të gëzueshme të fundvitit rrethuar me plot fëmijë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kushti që një qyteti t'i shkojnë punët mirë është që të gjithë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
"E vetmja ngjitëse që mund të mbajë bashkë mbi 1 milion persona që jetojnë në Tiranë, është bashkëpunimi. Qyteti është si një fëmijë që duhet rritur me dashuri. Ndonjëherë duhet të marrësh edhe vendime të rrepta, por të drejta, që të rritet dhe në momentin që secili kontribuon që qyteti të bëhet më i mirë ne mund të kemi realisht një qytet shumë më të mirë seç e gjetëm. T'i lemë brezit të ri një qytet shumë më të mirë", theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku kujtoi kohën kur një pjesë e Parkut të Liqenit ishte e zaptuar dhe protestohej, ndërsa sot kjo hapësirë është një ndër atraksionet kryesore të qytetit.
"Kur kemi hapur pemën për herë të parë këtu tek liqeni, përpara 6 vitesh, i gjithë bregu andej ishte i pushtuar. Kanë qenë rreth 100 ndërtesa pa leje, digjej plastikë, grumbulloheshin plehra. E kuptoj, gjithë ata njerëz që thonë mos ma prek, por nëse nuk prekim gjë në shtëpi, si rregullohen gjërat? Njeriu vë dorë dhe pastaj gjërat rregullohen. Mbaj mend që betejën e parë në këtë liqen e kemi bërë për fëmijët. Por çështja është, do zihemi ne shqiptarët për çdo gjë, apo ndoshta ca punë të mira thjesht duhet t’i lëmë që të ndodhin?!", u shpreh Veliaj.