Tiranë- Një ndjekje si nëpër filma nga Policia e Tiranës u mbyll me arrestimin e një personi të skeduar si kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare të rrezikshme, që rezultonte i dënuar me 18 vite burgim në mungesë.
Policia njoftoi sot (29 korrik) se lokalizoi dhe prangosi pas tentativës së dështuar për arratisje me ‘Audi Q5’, 59-vjeçarin me dy identitete, Ilir Koçiaj (Kociaj).
Operacioni është koduar “Hierarkia”.
“Si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç”, bëri me dije policia e kryeqytetit.
Sipas informacioneve, 59-vjeçari u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë–Elbasan.
Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale.
59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Komente
