Ikja nga Shqipëria për disa është zgjidhje, por jo zgjedhja përfundimtare në jetë. Ndoc Fusha nga Dukagjini u rikthye për t’i qëndruar pranë familjes e për të investuar fitimet prej emigranti.
“Kur u ktheva nga emigrimi, babai jetoi edhe 3 vite dhe ato vite nuk i harroj kurrë. Tashmë nënën e kam dhe kjo është motivi kryesor që jam kthyer për tu përballur me jetesën këtu. Me ndihmën e emigrimit kemi ndërtuar jetën në Bardhaj të Shkodrës. 11 vite kam punuar si ndërtues në Firence. Me kursimet hapa një restorant në mes të fshatit për të qenë i vetëpunësuar dhe për të ardhmen e fëmijëve”, rrëfen Ndoci.
Për të gjithë dashamirësit e traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, Ndoci krijoi një mini-muze me sende të vyera që shumë prej jush mund t’i keni harruar ose lënë të pluhrosura në ndonjë qoshe.
Ai ka mbetur ndër të paktët malësorë që frymëzimin e merr nga të parët e tij. Përveç objekteve të vjetra të kulturës së Malësisë së Madhe dhe fotove të rralla, ka formuar një grup muzikor me instrumentistë e këngëtarë të vjetër.
“E quajtëm “Besa Shosh” sepse ne jemi nga Shoshi i Dukagjinit dhe për arsye që besa ka qenë gjëja më e shtrenjtë ndër vite dhe ndër breza”, thotë mes të tjerash Ndoc Fusha teksa na prezanton me ‘pasurinë’ që ka siguruar.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.