Opinion

Ndoshta pas kësaj, viktimat e Gërdecit do të gjejnë qetësi…

24 Shtator 2021, 15:06| Përditesimi: 24 Shtator 2021, 15:07

  • Share

Thonë se “Zoti (drejtësia) vonon, por nuk harron”. Kjo ndoshta për ti lënë të qeta jo vetëm familjarët, por edhe viktimat e Gërdecit, të cilët humbën jetën nga babëzia e klasës më të korruptuar të ish-qeveritarëve të djeshëm. Më në fund, GJKKO-ja, ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë dhe të familjes Durda.Vendimi është marrë në Apelin e GJKKO-së e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të shkallës së parë.GJKKO në një vendimarrje të datës 27 korrik refuzoi kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet për Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes kur shpërtheu Gërdeci.

Pas shumë përpjekjesh nga familjarët e viktimave, më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D. u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi,ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar. Sipas vendimit të GJKKO-së të shkallës së parë, Prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe vepra është parashkruar.Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit që ka humbur jetën, i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut.

Në letrën drejtuar GJKKO-së, familja Durdaj shprehet se “dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit”. Dita e gjykimit po afron. Dhe kush më mirë se drejtësia e re, po përpiqet çdo ditë ta bëjë realitet këtë ëndërr dhe kërkesë të shqiptarëve. Të atyre që kanë 30 vjet që rropaten dyerve dhe zyrave të Prokurorisë, Gjykatave, Përmbarimeve, dhe nuk gjejnë drejtësi. Ka ardhur koha që ata që janë pasuruar, tallur dhe bërë orgjira me para shqiptarësh, të shkojnë para ligjit, në qeli. Ka ardhur koha që ata që shitën pasurinë e këtij vendi dhe të shqiptarëve, dhe blenë toka në bregdet, pallate, biznese dhe vila për vehten dhe dashnoret e tyre, të shkojnë pranë qelive. Viktimat e Gërdecit nuk do të gjejnë kurrë qetësi, derisa shkaktarët (dhe jo vetëm Fatmir Mediu) e tragjedisë që vrau 26 vetë, të dalin kokëulur nga procesi gjykimit, dhe të shkojnë në burg. Drejtësia e re, ka arritur që shumë shpejt të marrë përgëzime nga shqiptarët.

Dënimi (edhe pse minimal) ndaj ish-kryeprokurorit Llalla, nisja e hetimeve dhe gjykimit ndaj dhjetra dosjeve që prekin ish-ministrat dhe drejtuesit e shtetit në 2 dekadat e fundit, shkundja e strukturave nga frika dhe “harresa”, janë një ogur i mirë për zbatimin e ligjit në Shqipëri. Gërdeci, mbetet “thembra e Akilit” nga ku pritet të dalin fijet e padukshme të një afere të ndyrë korruptive, nga e cila nuk ka përfituar vetëm Fatmir Mediu, por edhe familja e ish-kryeministrit dhe bishtat e saj.

Gjykimi dhe dënimi i Mediut dhe “ustallarëve” të tij, duhet të shërbejë si një këmbanë drithëruese për ata që pas postit, mandatit dhe milionave që kanë, fshihen dhe kapardisen duke i bërë prej 30 vitesh karshillëk ligjit dhe jetëve të shqiptarëve.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alqi: 24/09/2021 20:32

    Mire e ke shkruar. Mediu i pari ne burg, Saliu me pare tij, edhe Rama qe shpetoi Mediun po ashtu.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?