Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë

Ndoshta Samiti në Tiranë mund ta 'ndryshonte' opozitën

18 Tetor 2023, 15:42| Përditesimi: 18 Tetor 2023, 15:48

  • Share

Vlerësimet e marra nga liderët e Bashkimit Europian, takimet dhe marrëveshjet e firmosura, jehona që Samiti i Procesit të Berlinit kishte në mediat europiane, mund të ishin një shans i mirë për të “ndryshuar” sado pak opozitën në Shqipëri. I themi “opozitë” një partie që sa vjen  dhe shkërrmoqet, por ja që ajo ka mbetur aktualisht tani për tani. Samiti duhej të ishte si një pikë referimi e lidershipit të një partie e ndarë në 3 pjesëza, të cilat nuk dihet cilët përfaqesojnë, të djathtët, të qendrës, apo pjesën “gri”.

Samiti duhej të ishte rasti më i mirë, i një pikëkthese nga opozita e “Rithemelimit” apo edhe ajo e “Ribashkimit”, për të nisur ashtu veç e veç, një rrugëtim të ri, përbashkues dhe bashkëpunues institucional me qeverinë. Nuk është aspak e gabuar të mbështetësh arritjet ekonomike, politike apo dhe të fushës së marrëdhënieve me jashtë, të qeverisë së vendit tënd. Rruga e ashpër dhe gjuha e urrejtjes që del nga “Rithemelimi” apo dhe grupimet e tjera shoqëruese të një opozite bajate, nuk janë asgjë tjetër veçse rritja e largësisë mes tyre dhe shqiptareve.

Samiti, duhej të ishte “pika kulmore” apo dhe “dita e artë” e një grupimi politik nga ku, duhej të shihte vehten në krahasim me kundërshtarin politik, Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama. Ata që gjithë ditën bëjnë “duva”  dhe përhapin pallavra me “arrestime dhe hetime kryeministrore”, do të bënin mirë të shihnin dhe drejtonin gishtin nga vetja. Askush nuk i telefonon, askush nuk i shkon në seli, askush nuk i mbështet dhe përkrah, askush nuk i beson dhe afron sikur të ishin grupim kuturru. Kjo situatë nga ku është zhytur opozita treshe në Shqipëri, vlen si një leksion reflektues për anëtarësinë dhe pjesën e shëndetshme të asaj partie. Samiti, ishte shansi i humbur i tyre.

Dhe kjo u vërtetua në deklaratat e Doktorit, në shtrëmbërimet e rezultateve përfundimtare të Samitit nga goja e vetë liderëve europianë, dhe urrejtja me të cilën “rithemeluesit” e shohin çdo arritje dhe sukses që bën Shqipëria nën qeverisjesn e Edi Ramës. Mesjetarizëm politik në kohët moderne. Të bësh opozitë mbi fakte dhe fabrikime të rreme, të mohosh arritjet dhe realitetin e ri, atë ç’ka shqiptarët e prekin çdo ditë, të bësh hasha gjithçka thuhet  dhe vlerësohet pozitivisht në gjuhën e huaj për vendin tënd, është më shumë se papjekuri politike dhe dashakeqësi.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?