Kronikë

Ndotja akustike, Policia e Tiranës aksion për matjen e nivelit të zhurmave dhe garantimin e qetësisë publike! Lokali gjobitet me 3 mln lekë

13 Prill, 12:24| Përditesimi: 13 Prill, 13:38

  • Share

Policia e Tiranës ka nisur kontrollet intensive për matjen e nivelit të zhurmave me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike.

Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se ky operacion është ndërmarrë edhe si shkak nga kallëzimet që kanë bërë qytetarët veçanërisht zhurmës që krijohet gjatë orëve të natës.

Kështu një subjekt është gjobitur me 3 milion lekë. Në rast se lokalet vijojnë të shkelin rregulloren blutë paralajmërojnë përveç gjobës edhe pezullimin e aktivitetit të tyre.

Njoftimi i policisë:

Komisariatet në varësi të DVP Tiranës ka nisur zbatimin e një plani të posaçëm për monitorimin dhe matjen e nivelit të zhurmës në lokale apo ambiente që gjenerojnë muzikë të lartë, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët.

Plani i masave është ndërmarrë me iniciativë nga Policia e Tiranës por gjithashtu dhe si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për tejkalimin e normave të lejuara të zhurmës, veçanërisht në zonat e banuara dhe gjatë orëve të natës.

Matjet po kryhen me pajisje të certifikuara, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike për kontrollin e ndotjes akustike.

Masat administrative për subjektet e konstatuara në shkelje variojnë nga 2 milion lekë deri në 4 milion lekë, dhe në rast përsëritje deri në pezullimin e aktivitetit.

Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, është konstatuar një subjekt që operonte në kundërshtim me normat e përcaktuara ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtij subjekti është vendosur një masë administrative me gjobë, në vlerë 3 milion lekë, sipas legjislacionit në fuqi.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë garanton vijimin e kontrolleve në mënyrë të pandërprerë dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të ndotjes akustike përmes numrit pa pagesë 112 apo pranë komisariateve përkatëse.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar në forcimin e partneritetit me komunitetin dhe në ofrimin e shërbimeve që garantojnë rend, siguri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t'u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?