Ndotja në lumin e Tiranës

'Ndotja e mjedisit është shtuar gjatë karantinës', KShH thirrje ministrive: Kontrolloni zbatimin e ligjit!

25 Qershor 2020, 17:57| Përditesimi: 25 Qershor 2020, 20:22

  • Share

Nisur nga zhvillimet e fundit lidhur me ndotjen e mjedisit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka bërë thirrje Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të urdhërojnë dhe kontrollojnë zbatimin e ligjit, të bashkëpunojnë në mënyrë efektive duke i dhënë rëndësi parësore verifikimit të ankesave të qytetarëve dhe të dhënave të sinjalizuara në media.

KShH thekson se edhe pse organet përkatëse të qeverisjes vendore shpesh herë janë në dijeni, ato kufizohen me dhënien e premtimeve apo kalimin e përgjegjësisë tek organet kompetente. Sipas njoftimit, gjatë muajve të karantinës, për shkak të pandemisë, situata paraqitet e rënduar dhe se kontrolli është dobësuar nga organet ligjzbatuese si Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), Policia e Shtetit, etj.

"KShH thekson se shteti ka detyrimin pozitiv të reagojë në mënyrë proaktive në të gjitha ato raste kur ndërmarrjet apo kompanitë e ngarkuara me menaxhimin e plehrave dhe në përgjithësi me ruajtjen e pastër të mjedisit nuk zbatojnë detyrat e tyre, gjë që shoqërohet me pasoja të dëmshme në shëndetin dhe jetën e njerëzve. Sipas KShH-së, në këtë drejtim kërkohet më tepër transparencë dhe llogaridhënie. Premtimet boshe apo ushtrimi i veprimtarisë në mënyrë të fragmentarizuar dhe me fushata afatshkurtra, nxisin ankesat e përsëritura dhe nuk sjellin përmirësim real të gjendjes", shkruhet në njoftim.

Komiteti ka përmendur disa nga problematikat kryesore në vend lidhur me ndotjen si p.sh. "ka më tepër se 10 ditë që banorëve të Çermës në Bashkinë e Divjakës u rrezikohet shëndeti (në mënyrë të veçantë i fëmijëve të tyre) nga djegia e plehrave pranë lumit Shkumbin. Menaxhimi i mbetjeve në Rrogozhinë vazhdon të jetë problem. Me pasoja tepër të dëmshme është edhe gjendja e plehrave në Kavajë, sidomos për faktin se bashkë me to, digjen mbetjet spitalore, kur dihet se për trajtimin e tyre ka dispozita të veçanta. Gati 3 ton mbetje përfundojnë çdo ditë në përrenjtë malorë që përshkojnë qytetin e Gjirokastrës, ndërkohë që koshat përbri  rrugëve, afër të cilëve kalojnë këta përrenj, përdoren shumë pak."

KShH edhe më parë ka reaguar publikisht për ndotjen e mjedisit dhe mosveprimin e institucioneve përgjegjëse shtetërore, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i një mjedisi të pastër është jetësore për shëndetin e njerëzve.

"Autoritetet publike kanë detyrimin pozitiv të kujdesen për këtë qëllim dhe në përputhje me ligjin të marrin masa ndëshkuese ndaj personave juridikë apo fizikë që i shkelin legjislacionin në fuqi", shkruhet në njoftim.

Kujtojmë se më 5 maj, Report Tv bëri një vëzhgim në rrjedhën e lumit të Tiranës në urën që lidh kryeqytetin me Qafë Kasharin dhe Rinasin për të treguar gjendjen ku mbetjet i kanë 'marrë frymën' lumit, ku gjenden qese plasmasi, pjesë makinash, perde, rroba, por edhe shumë mbetje të tjera plastike të cilat u janë ngjitur pemëve duke dëmtuar dhe tharë trungjet.

Komento

Komente

  • Loni: 25/06/2020 21:17

    Pse ka ligje shqiperia qe zbatohen... Cuditerisht ketu ska funksionuqr asgje..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?