Ndotje në Liqenin e Tiranës? Anisa Ruseti për Report TV: Shtim i algave jeshile, jo i rrezikshëm për popullatën! Ja dy faktorët dhe masat që merren

30 Tetor, 17:04| Përditesimi: 30 Tetor, 18:19

  • Share

Tre ditë më parë, u shfaqën pamje nga liqeni i Tiranës, ku mbizotëronin algat jeshile, që u dyshua se vinin për shkak të ndotjes së tij apo derdhjes së ujërave të zeza në të.

Por si qëndron e vërteta? A ka ndotje të liqenit të Tiranës apo është diçka biologjike dhe natyrore? Po era e pakëndshme që vjen prej tij, cili është shkaku?

Për këto pyetje dhe sqarimin e qytetarëve ishte sot e pranishme në emisionin e gazetarit Nertil Agalliu, “Sot, Live në Shqipëri”, në Report TV, drejtoresha e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti.

Alarmi u dha tre ditë më parë edhe nga deputeti Erjon Braçe, me një postim-video në rrjetin social Facebook, i cili theksonte se "vinte erë e keqe, kishte shtresë të trashë dhe "duhej ndërhyrë menjëherë".

Ish-nënkryetarja e Bashkisë tha se shkaku kryesor që algat jeshile shfaqen në liqen janë temperaturat e larta dhe jo normale në këtë sezon, muaji tetor dhe procesi natyral i tyre, por edhe disa ujëra të patrajtuara, për të cilat po bëhen analiza në bashkëpunim me institucionet e tjera, si Fakulteti i Shkencave dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Ajo tha se nuk ka rrezikshmëri për popullatën e kryeqytetit dhe se janë marrë masat për trajtimin e tyre, ashtu siç bëhet gjithnjë me anë të një makinerie, e cila është prezentë. Edhe era e pakëndshme që vjen prej liqenit, sipas Rusetit, vjen për shkak të prerjes së tyre nga makineria. Por ajo pranoi se nga analizat vihet re një lloj mikrobi dhe verifikimet po vijojnë për të zbuluar shkakun.

Më poshtë intervista e plotë e Rusetit:

Nertil Agalliu: Çfarë ka ndodhur te liqeni, pasi pamë një video me algat jeshile dhe ankesat për erën e pakëndshme?

Anisa Ruseti: Kemi një numër të shtuar të algave në liqeni dhe gjatë kësaj periudhe kemi një numër të shtuar të tyre, për shkak të disa faktorëve me të cilët jemi përballur përgjatë këtyre ditëve. E para dhe kryesorja që e kemi vënë re të gjithë janë temperaturat shumë të larta, që nuk janë fare tipike për këtë sezon dhe për këtë zonë, 25 gradë në tetor dhe pa një periudhë shirash, që ka ndikuar së tepërmi që algat e liqenit të Tiranës të kenë nevojë për më shumë oksigjen. Kjo ka bërë që ato të duken akoma më shumë në sipërfaqe dhe të kenë akoma më shumë zhvillim. Procesi ka 10 ditë që ka ndodhur, në fillim kishte zhvillim më të vogël, jo shqetësues, por pastaj ka shkuar duke u agravuar situata, edhe për shkak të temperaturave dhe të rënies së shiut.

Nertil Agalliu: Përveç momentit të uljes së temperaturave, aty duket se ka pastrim të liqenit aktualisht, sipas biologëve një nga shkaqet është edhe ndotja masive me lëndë ushqyese. Çfarë ndodh aty?

Anisa Ruseti: Ky është një pastrim mekanik te liqeni i Tiranës, që në e bëjmë dhe ka ndodhur çdo vit. Nuk ka pasur asnjë zhvillim të afërt që mund të ketë ndikuar tek kjo situatë. Menjëherë pasi stafi ynë i parqeve dhe Rekreacionit e ka vënë re se çfarë po ndodhte në liqen, ka komunikuar menjëherë me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë disa analiza fiziko-kimike, ku ajo që u vu re ishte ajo që thamë, zhvillimi i algave jeshile në liqenin e Tiranës. Por në të njëjtën kohë i jemi drejtuar edhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës për bërjen e disa analizave që janë biologjike. Kemi marrë raportin e parë nga ata dhe kemi parë që ky mikrob tregon derdhjen e ujërave të patrajtuara në liqen dhe për të cilën ne jemi duke bërë të gjitha analizat, e duke e ndjekur me çdo institucion, për të bërë një trajtim të duhur të këtij reagimi, pse ka ndodhur ky si fenomen. Por në të njëjtën kohë na kanë siguruar në të njëjtën kohë edhe nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit që situata në liqen kurrsesi nuk është e rrezikshme për popullatën e liqenit, por edhe për banorët apo qytetarët që frekuentojnë liqenin.

Nertil Agalliu: Kemi parë se gjatë muajve të verës kryesisht, kur liqeni bie në nivel, vihet re derdhja edhe e ujërave të zeza. A ka një plan që këto ujëra të zeza të mos derdhen në liqen?

Anisa Ruseti: Jo, nuk ka ujëra të zeza që derdhen pafund. Kemi një situatë, e kemi pranuar dhe jemi duke e menaxhuar. Të gjitha subjektet e trajtimit në liqen janë të certifikuara dhe licencuara për të bërë ndërhyrjen apo trajtimin e ujërave, ndonjëherë nëpërmjet gropave septike apo trajtimit të ujërave që i bëjnë në burim.

Nertil Agalliu: Por që ka prani të ujërave të zeza aty është e trajtuar në një rekomandim ndaj jush, se mbetet sfidë trajtimi i ujërave të zeza për të gjithë pellgun e Tiranës? Pra ekziston kjo, e trajtimit të ujërave të zeza?

Anisa Ruseti: Ne nuk jemi duke thënë se kjo nuk ndodh dhe nuk ekziston si fenomen. Por përmasa e problematikës që ne duam të adresojmë, dhe këtu kryesisht kemi parasysh të mos përhapim panik në popullatë.  Pra qëllimi kryesor këtu është që asnjë nga rosat dhe patat që janë tani në liqen nuk ka ngordhur. Peshqit e liqenit nuk kanë ngordhur. Habitati përreth, përveç një ere, përveç faktit se është e pakëndshme për të gjithë vizitorët, ajo që duam të sigurojmë qytetarët është se nuk jemi në kushtet e një rreziku për popullatën dhe kjo është e rëndësishme, ndërkohë që ne po marrim të gjitha masat për ta menaxhuar situatën dhe për ta rikthyer atë në situatën normale sa më shpejt të jetë e mundur. Pres shumë që rënia e temperaturave dhe e reshjeve të shiut do e përmirësojnë atë. Ndërkohë që ne po merremi me të gjitha institucionet për të verifikuar çdo shqetësim të mundshëm dhe çdo rekomandim që na ka ardhur nga fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Nertil Agalliu: Ju si drejtori a bëni investime, përveç bashkëpunimit që keni me institucionet? Pasi përveç pastrimit ka dhe problematika të tjera?

Anisa Ruseti: Kolegët e Bashkisë dhe Ujësjellës-Kanalizimeve kanë marrë herë pas here masa për çdo problematikë që mund të ketë pasur. Por ajo që doja të thoja është se ne nuk jemi kufizuar vetëm në pastrimin mekanik që bën makineria të liqenit, por edhe që disa nga ekspertët na kanë sugjeruar disa lloje peshqish, të cilët mund të hanë vetëm algat dhe ato në mënyrë natyrale dhe ato do ta kthejnë habitatin e liqenit në një situatë normale. Por kjo do të dojë pak kohë. Ne kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve, se e kuptojmë se është krijuar një situatë e bezdisshme për ta dhe shqetësuese për qytetarët që vijnë dhe frekuentojnë çdo ditë parkun e madh të liqenit. Por sigurojmë se jemi duke bërë maksimumin e mundshëm për ta rikuperuar dhe rikthyer atë në gjendjen e mëparshme.

Nertil Agalliu: Po video e dy ditëve më parë, ku u raportua për erë të “tmerrshme” ndotëse nga liqeni. Kjo nga se ka ardhur?

Anisa Ruseti: Ka ndodhur për dy situata. E para ajo që ne po bëjmë, dyshimeve që ne kemi, se mund të na ketë ndodhur një problematikë në ujërat e patrajtuara që derdhen në liqen dhe e dyta është një proces mekanik. Në momentin që makineria kalon dhe i pret algat, në gjuhën popullore ato pësojnë një tronditje dhe nga prerja mekanike lëshojnë edhe atë erën e pakëndshme për qytetarët. Por jemi në kushtet që nga njëra anë duhet ta bëjmë këtë procesin mekanik dhe nga ana tjetër sikurse thashë që për disa procese natyrore nuk i pengojmë dot.

Nertil Agalliu: Përpos liqenit, te lumi i Lanës, Bashkia e menaxhon, pasi si pasuri e qytetit edhe aty ka problematika, teksa kalon era është e “tmerrshme” në thonjëza?

Anisa Ruseti: Ajo që shqetësohem gjithmonë është për efektin që krijon te qytetarët e Tiranës. Për mënyrën se si ne i adresojmë dhe ia drejtojmë atyre. Patjetër, ka ditë të caktuara kur lumi i Tiranës ka problematika të tilla. Por nga detyra ime e mëparshme dhe parja e disa projekteve, rehabilitimi i lumit të Lanës ka ndodhur në Njësinë 4 dhe 8, ku tonelata të tëra inertesh apo banesa të ndërtuara në lumin e Lanës janë larguar. Kjo është një situatë që vjen gjithmonë dhe duke u përmirësuar. Por kjo nuk do të thotë se Bashkia e Tiranës është kufizuar vetëm me lëvizjen mekanike të inerteve apo problematikave që ka pasur aty, por jam shumë e bindur që aty, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, është duke u bërë maksimumi për të bërë trajtimin e ujërave dhe për ta përmirësuar situatën në tërësi në Tiranë.

Ora 18:14
Deputeti Braçe dha alarmin tre ditë më parë me një VIDEO: Shtresë e trashë, me një erë të keqe! Të kuptohet burimi, duhet ndërhyrë

 Një ndër ata që dha i pari alarmin ishte deputeti socialist Erjon Braçe.

Tre ditë më parë ai postoi edhe një video në rrjetin social Facebook, ku shpjegonte se në liqen, ana perëndimore e tij, kishte një shtresë të trashë që “vinte erë e tmerrshme”. Ai apelonte ndërhyrjen e menjëhershme dhe të “kuptohej burimi i saj”.

Postimi i deputetit Braçe në Facebook:

“Parku i Tiranës, Liqeni, ka një ndotje masive në sipërfaqe. Një shtresë e trashë me një erë të tmerrshme, të keqe, në anën perëndimore të tij që po përparon drejt qendrës së liqenit. Ja siç e shihni! Mendoj që duhet kuptuar burimi i kësaj dhe DUHET NDËRHYRË, se u bë ditë kështu!!”.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Carletto: 31/10/2024 00:01

    Po pra,zgjerojeni Parkun rreth edhe poshtë Digës së Liqenit Artificial,mbillni pemë e bëni Lulishte model me shatervane Fontane e Scultura si në Itali a Francë...!!!

    Përgjigju
  • bledi: 30/10/2024 22:57

    ALGAT TE PASTROHEN,,POR ATY NE LIQEN TE HIQET AI SHATERVAN IDIOT,,QE BEN ME SHUME ZHURME,,,,,E KANE LENE TIRANEN PA ASNJE SHATERVAN. ,,,JANE SHUME,,,,,DHE DUAN TE BEJNE LIQENIN ME SHATERVAN.EDHE DISA KAFE ATY DUHET TE PRISHEN,,,TE KETE ME SHUME BAR,..NE LIQEN NJEREZIT DALIN TE SHPLODHIN TRUTE. E JO TE DEGJOJNE ZHURME...

    Përgjigju
  • Signore Piano: 30/10/2024 22:47

    Po mos ndertoni më beton rreth e rrotull..aq më keq shumëkatëshe??!!.. duhet mbjellë pemë e duhen vendosur depuratore d'acqua....

    Përgjigju
  • PROFTE LIQENI: 30/10/2024 21:50

    Imagjinoni një kryebashkiak të Tiranës, i cili nuk mund të sjellë ujë të freskët për liqenin për të rigjeneruar jetën ekologjike në liqenin e Tiranës! I njëjti kryetar bashkie merret me rrugët e biçikletave. Dhe çiklistët po përdorin trotuare! Njerëzit nuk mund të ecin! Pse e votuam atëherë?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?